Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Korrik 2024

Llatja vlerëson investimet në infrastrukturën sportive në prag të Kampionatit Europian të Basketbollit në Elbasan

Kampionati Europian i Basketbollit U18 për djem, i cili do të mbahet në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” në Elbasan, është një ngjarje e rëndësishme për qytetin tonë.

 Në këtë kuadër, kryetari i bashkisë, z. Gledian Llatja, zhvilloi një bashkëbisedim me elitën e Klubit Shumësportësh në ambientet e ristrukturuara tërësisht të pallatit të sportit, duke falënderuar për punën e bërë dhe duke inkurajuar që ky kampionat të mos jetë i pari, por të sjellë të tjera të ardhme në Elbasan.

“Ky është aktiviteti i parë i madh ndërkombëtar që bëhet në Elbasan, por gjatë kësaj periudhe i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë të gjitha ambienteve tona sportive, sidomos Pallatit të Sportit ‘Tomorr Sinani’ dhe fushës së vjetër të sportit ‘Shefqet Lamcja’.

 Pallati i Sportit është një nga fokuset kryesore për rehabilitimin e tij. Këto ndërhyrje që kemi bërë bashkarisht kanë qenë të domosdoshme për ta rikthyer në shkëlqimin që ka pasur dhe pse jo ta kalojë atë,” tha z. Llatja.

Pallati i Sportit ka marrë një pamje të re dhe zhvillim infrastrukture me ambiente të përshtatshme, salla mbledhjesh, dhe një parket që përmbush standardet e kërkuara nga Federata e Basketbollit dhe ajo e Volejbollit. E gjithë infrastruktura që i shërben tifozëve është rikualifikuar. Kryetari Llatja theksoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe mbështetjen për sportistët e rinj.

“Vitet e fundit, sporti në Elbasan ka njohur një dimension tjetër. Kjo nuk ka ardhur vetë, por është bërë një punë e madhe nga ana jonë dhe ju. Dua t’ju falënderoj për punën e mirë që keni bërë dhe mbështetjen që i keni dhënë të rinjve dhe ekipeve tona. Ne jemi gati për Kampionatin Europian të Basketbollit U18 me ambientet tona dhe uroj shumë që të jemi kampionë,” shtoi ai.

Sa i përket akomodimit të ekipeve në Elbasan, z. Llatja pohoi se “po e presim me padurim Kampionatin Europian të Basketbollit që është një nga eventet kryesore, hotëlerinë e kemi, e cila ishte një nga kushtet që kërkohen, është shumë komode, kemi edhe zonën e Treganit që ka hotele shumë të mira, dhe në këtë periudhë që është kampionati është jashtë sezonit turistik, dhe ka mundësi të akomodojë të gjithë ekipet tona”.

Bashkia Elbasan ka dhënë të gjithë mbështetjen financiare që është kërkuar , dhe do të vazhdojë t’a japë për të gjithë pjesën e infrastrukturës  dhe terreneve sportive.

Në fund, kryetari i bashkisë ftoi të gjithë qytetarët e Elbasanit dhe vizitorët e Shqipërisë që vijnë si turistë të mos e humbasin këtë ngjarje të rëndësishme, duke theksuar se mbështetja e tifozëve është thelbësore për suksesin e kampionatit dhe zhvillimin e mëtejshëm të sportit në qytet.

Franceska Kasa: Artistja që ndriçon skenën muzikore me zërin e saj magjepsës

Franceska Kasa, një yll në ngjitje në skenën muzikore, po shkëlqen me zërin e saj magjepsës dhe pasionin e pashuar për këngën. Në moshën 15-vjeçare, ajo ka arritur të ndërtojë një karrierë të ndritur, duke ndjekur gjurmët e disa prej ikonave më të mëdha të muzikës. Rruga e saj drejt suksesit është mbushur me përpjekje të mëdha, sakrifica dhe një dashuri të madhe për artin e muzikës, duke e bërë një emër për t’u mbajtur mend dhe për t’u ndjekur me admirim.

Ajo është një vajzë me një zë të jashtëzakonshëm dhe një pasion të pashuar për këngën, i cili është zbuluar që në moshën 4-vjeçare. Duke kënduar përpara televizorit, Franceska shpejt tërhoqi vëmendjen e nënës së saj, e cila pa potencialin dhe pasionin e saj për muzikën dhe e mbështeti fuqimisht që nga fillimi.

Në rrugëtimin e saj muzikor, Franceska është frymëzuar nga emra të mëdhenj si Aurela Gaçe, Tina Turner dhe Dua Lipa. Duke marrë pjesë në qendrën kulturore të Elbasanit, ajo nisi hapat e saj të parë në muzikë, duke ndjekur mësimet e profesor Liman Tërnovës, i cili ka qenë një mentor i përkushtuar dhe një mbështetës i vazhdueshëm i saj.

Franceska ka marrë pjesë në shumë festivale muzikore, fillimisht në qytetet shqiptare si Elbasani, Tirana dhe Shkodra, dhe më pas në skena ndërkombëtare në Kosovë, Maqedoni dhe përtej. Si anëtare e Shoqatës Botërore Ëappa Ëorld, ajo ka performuar në shumë vende dhe ka fituar trofe dhe certifikata të shumta. Për Franceskën, modeli i saj i preferuar mbetet Aurela Gaçe, një artistë nga e cila ajo mëson dhe frymëzohet vazhdimisht.

Zhanri muzikor i Franceskës është pop dhe xhaz, por ajo është një artiste e gjithanshme që mund të interpretojë të gjitha rrymat muzikore. Përkundër sfidave të shumta, përfshirë ngjirjen vokale gjatë provave, Franceska vazhdon të përmirësojë teknikën e saj dhe të përgatitet për performanca të mëdha. Ajo ka marrë pjesë në festivale si Gjeniu i Vogël, Junior Fest dhe X Factor, dhe në arenën ndërkombëtare ka fituar çmime në Sanremo dhe Capitala Musicala në Rumani.

Pavarësisht angazhimeve muzikore, Franceska ka arritur të shkëlqejë edhe në shkollë, duke qenë një nxënëse me rezultate të shkëlqyera. Një nga momentet më të paharruara të saj ishte kur gjatë performancës në Rumani, në ditëlindjen e saj, drejtori i festivalit e surprizoi me një tortë në skenë.

Franceska shpreson që në të ardhmen të korrë suksese edhe më të mëdha dhe të realizojë ëndrrën e saj të performojë në skena botërore. Ajo nuk ka një ritual të veçantë për zërin, por i kushton rëndësi vokalicave të përditshme. Mesazhi i saj për të rinjtë është të punojnë fort, të besojnë në vetvete dhe të mos dorëzohet kurrë. Franceska dhe familja e saj janë shumë krenarë për arritjet e saj deri tani dhe presin një rrugëtim të suksesshëm në të ardhmen.

Një këngë që ka një domethënie të veçantë për të është “You Never Knoë”, e cila përçon mesazhin se njerëzit shpesh gjykojnë pa njohur të tjerët dhe pa ditur çfarë kanë përjetuar. Franceska shpreson që pas pesë vitesh të jetë një artiste e zhvilluar dhe e suksesshme, duke vazhduar të ndjekë ëndrrat e saj dhe të fitojë duartrokitjet e publikut në skena botërore.

Mesazhi i artistet Franceskë për moshatarët e saj, dhe të gjithë të rinjtë është: Të punojne fort! Të besojnë në vetvete! Të mos dorëzohen dhe te mos e lejnë ëndrrën e tyre përgjysmë.

Projekti “Transparenca dhe Barazia në Ndërhyrjet Infrastrukturore në Shkolla” ndërmerr hapat e parë në Elbasan me mbështetjen e USAID dhe UNICEF

Në Elbasan, një nga bashkitë përfituese ku po zbatohet projekti “Transparenca dhe Barazia në Ndërhyrjet Infrastrukturore në Shkolla”, mbështetur nga USAID dhe zbatuar nga UNICEF dhe Bashkia Elbasan, u zhvillua njw aktivitet për përmirësimin e infrastrukturës shkollore. Në këtë kontekst, UNICEF, me mbështetjen financiare të USAID-it, po bashkëpunon me gjashtë komuna për të vlerësuar infrastrukturën shkollore, duke përfshirë institucionet komunale si partnerë kyç.

Përfaqësues të UNICEF-it dhe drejtoresha e USAID në Shqipëri, znj. Mischere Kawas, kanë marrë pjesë në një seri aktivitetesh, duke nisur me “Tur Galeria- Kopshti im ideal”. Në këtë ngjarje, UNICEF-i, përfaqësuesit e USAID-it dhe Kryetari i Bashkisë, patën mundësinë të shohin punime artistike të realizuara nga fëmijët e kopshteve dhe shtatë shkollat e përzgjedhura “Shkolla ime, komuniteti im” nga Elbasani. Secila shkollë ishte e përfaqësuar nga drejtori i shkollës, dy të rinj, dy prindër dhe dy mësues, të cilët paraqitën analizën e nevojave të identifikuara në sistemin GIS dhe prioritizuan ndërhyrjet më të menjëhershme.

Kryetari i bashkisë, z. Gledian Llatja, theksoi se janë duke u bërë investime në shumë shkolla, duke përmendur “Jorgji Dilo”, “Bardhyl Popa” dhe “Kostandin Kristoforidhi”, ndërsa investime të pjesëshme po bëhen për të rregulluar problematikat e bartura, veçanërisht për sistemimin e tualeteve të vajzave.

Z. Llatja falenderoi USAID dhe UNICEF për zgjidhjen e problematikave në infrastrukturën shkollore dhe krijimin e një sistemi të qartë dhe të pastër për një nga problematikat kryesore të qytetit. Ai vuri në dukje rëndësinë e një komuniteti aktiv për zgjidhjen e problemeve, evidentimin dhe përcaktimin e prioriteteve, duke bërë të ditur se deri tani janë bërë publike 21 shkolla të Elbasanit.

Drejtoresha e Misionit të USAID në Shqipëri, znj. Mischere Kawas, shprehu mbështetjen për realizimin e këtij projekti dhe bindjen se do të përmbushë nevojat e shkollave dhe komunitetit. “Prioriteti ynë është të sigurohemi që zërat tuaj të dëgjohen. Dhe ky tubim sot është një përfaqësim i përsosur i këtij qëllimi – demokracisë në veprim”.

Përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Murat Sahin, vuri theksin tek angazhimi i komunitetit të prindërve dhe të mësuesve për të siguruar cilësinë e duhur të shkollave dhe sistemit arsimor, duke e cilësuar projektin si shumë premtues.

Shtatë shkolla në Elbasan janë zgjedhur për projektet e ndërhyrjes në infrastrukturë .

1. Shkolla Dhaskal Todri

2. Shkolla Ahmet Dakli

3. Shkolla Sulë Misiri

4. Shkolla e Shushicës

5. Shkolla Vasil Kamami

6. Shkolla e Kuqanit Anastas Çakalli

7. Shkolla Abdyl Paralloi

Rritje impresionuese e turizmit në Elbasan: 53% më shumë vizitorë se viti i kaluar

Elbasani ka parë një rritje të jashtëzakonshme të turizmit këtë vit, me 53% më shumë vizitorë në gjashtë muajt e parë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky numër premtues parashikon një sezon veror të mbushur me turistë të rinj që zgjedhin të eksplorojnë këtë qytet të mrekullueshëm.

Kreu i bashkisë z. Gledian Llatja i cili i ka dhënë prioritet promovimit të turizmit pohon se “Elbasani ofron një gamë të gjerë atraksionesh për të gjithë llojet e turistëve. Kalaja e Elbasanit, me historinë dhe arkitekturën e saj të pasur, është një nga pikat kryesore të vizitës. Rrapat shekullore dhe Hamamet e vjetra ofrojnë një dritare në të kaluarën e lavdishme të qytetit. Për ata që kërkojnë natyrën, Bysheku dhe Gjinar janë destinacione të mrekullueshme, me peisazhe të pabesueshme dhe mundësi për ecje dhe aventura”. Funari, një tjetër thesar natyror, po bëhet gjithnjë e më popullor për turistët që kërkojnë të largohen nga zhurma e qytetit dhe të shijojnë qetësinë e natyrës.

Me më shumë udhëtime rrugore, dhe ujore, qyteti po bëhet gjithnjë e më i aksesueshëm dhe i popullarizuar. Pritet që kjo rritje të vazhdojë të sjellë më shumë zhvillim dhe mundësi për Elbasanin.

Për disa vite, kryetari i bashkisë Gledian Llatja ka qenë një mbështetës i fuqishëm i zhvillimit të turizmit në Elbasan. Synimi i tij kryesor është që Elbasani të shndërrohet në një qendër të rëndësishme për turizmin kulturor. Me një trashëgimi të pasur kulturore dhe natyrore, Elbasani tashmë është pjesë e hartës turistike, duke tërhequr vizitorë gjatë gjithë vitit.

Kujtohet 81 vjetori i krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Partizane në Labinot

Në Labinot të Elbasanit, u përkujtua me nderim dhe respekt 81 vjetori i krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Partizane.

 Ky event historik mblodhi bashkë qytetarë, historianë dhe personalitete të ndryshme mes tyre edhe kreun e bashkisë z. Gledian LLatja, si edhe drejtuesin politik të qarkut Damian Gjiknuri të cilët shprehën mirënjohjen e tyre për ata burra e gra, djem e vajza, që luftuan deri në vetmohim për lirinë e vendit.

Në fjalimet e mbajtura, u theksua rëndësia e kontributit të Elbasanit, i cili në këtë luftë ka qenë i çmueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Gjatë ceremonisë, u vunë kurora me lule në monumentet e dëshmorëve, ndërsa të pranishmit sollën në vëmendje rolin kyç që Labinoti dhe Elbasani patën në luftën për çlirimin e vendit.

Kjo ngjarje shërben si një kujtesë e gjallë për sakrificat dhe heroizmin e atyre që luftuan për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur.

Kryebashkiaku Gledian Llatja, takim për përfshirje sociale për fëmijët me aftësi të kufizuara

Në kuadër të projektit “Bashkëpunimi Rajonal për Përfshirje më të Mirë Sociale në Nivel Lokal”, kreu i bashkisë z. Gldian Llatja  zhvilloi një takim mbështetur nga NALAS dhe GIZ/ORF, në bashkëpunim me GADC, për të prezantuar gjetjet kryesore të Hartëzimit Social për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara.

Ky proces synon të identifikojë dhe adresojë nevojat specifike të fëmijëve me aftësi të kufizuara në komunitet. Qëllimi kryesor është të nxisim zhvillimin e shërbimeve të reja dhe të përmirësojmë ato ekzistuese, duke krijuar një mjedis më gjithëpërfshirës dhe mbështetës.

Në takim u diskutuan hapat e ardhshëm për të përmirësuar shërbimet sociale dhe për të siguruar që fëmijët me aftësi të kufizuara të kenë akses të barabartë në të gjitha mundësitë që ofron shoqëria. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit midis organizatave lokale dhe ndërkombëtare për të arritur këto qëllime.

Në përfundim të takimit, u bë thirrje për veprime konkrete dhe për angazhim të vazhdueshëm për të krijuar një komunitet më gjithëpërfshirës dhe mbështetës për fëmijët me aftësi të kufizuara.