Dita e Pastrimit: Bashkë për një ambient më të pastër dhe të gjelbër!
Sot, nën moton “Bashkë për një ambient më të pastër dhe të gjelbër”, Agjencia e Kulturës dhe Turizmit, Agjencia e Pyjeve, Bujqësisë dhe Mjedisit, dhe Këshilli Rinor, organizuan një aksion pastrimi në zonën e Byshekut, një nga destinacionet turistike më të rëndësishme të Elbasanit. Ky aksion synon të rrisë ndërgjegjësimin për mbajtjen e ambientit të pastër dhe ruajtjen e bukurive natyrore të zonës.
Drejtori i Agjencisë së Kulturës dhe Turizmit, Artur Guni, theksoi rëndësinë e përfshirjes së komunitetit, sidomos të rinisë, në aktivitete të tilla, duke vënë në pah se një ambient i pastër ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe promovimin e turizmit lokal. “Një akt i vogël, si mbledhja e mbeturinave, mund të bëjë një ndryshim të madh për komunitetin dhe mjedisin tonë. Është detyrë e të gjithëve që të kujdesemi për pasurinë natyrore që na rrethon, dhe Bysheku është një nga thesaret tona,” u shpreh Guni.
Pjesëmarrësit, përfshirë të rinjtë e Këshillit Rinor, treguan angazhimin dhe përgjegjësinë e tyre qytetare, duke kontribuar në këtë nismë të rëndësishme. Përmes këtij aksioni, ata dërguan një mesazh të qartë për të gjithë qytetarët: mbrojtja e mjedisit është një përgjegjësi që na takon të gjithëve.
Kjo nismë është vetëm fillimi i një sërë aktivitetesh që do ndërmerren nga Bashkia e Elbasanit dhe partnerët e saj, me qëllim promovimin e kulturës së pastërtisë dhe ruajtjen e zonave turistike.
Bashkë për një të ardhme më të pastër dhe më të qëndrueshme!