Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 3 Tetor 2024

Takim i suksesshëm me Ambasadorin e Katarit në Elbasan

Kryetari  i bashkisë z. Gledian Llatja pati kënaqësinë të presë Ambasadorin e Shtetit të Katarit, Sh.T. z. Jabor Ali H.A. Al-Dossari, në një takim të frytshëm dhe plot optimizëm për të ardhmen. Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit strategjik në disa fusha kyçe, duke përfshirë ekonominë, turizmin, dhe shkëmbimet kulturore.

Bashkëpunimi në fushën e ekonomisë ishte një nga pikat kryesore të bisedës, me fokusin për të gjetur mënyra konkrete për të rritur investimet dhe zhvillimin e përbashkët në qytetin e Elbasanit. Turizmi, një tjetër sektor me potencial të madh, u vlerësua si një fushë me rëndësi të veçantë për të dy vendet, duke ofruar mundësi për promovimin e kulturave dhe traditave unike të Shqipërisë dhe Katarit.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm ishte shkëmbimi kulturor, ku u theksua rëndësia e forcimit të lidhjeve midis dy popujve nëpërmjet artit, muzikës dhe trashëgimisë kulturore. Ambasadori Al-Dossari shprehu gatishmërinë e Katarit për të mbështetur iniciativa që forcojnë marrëdhëniet miqësore midis vendeve tona.

Bashkia e Elbasanit është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Shtetit të Katarit dhe është e angazhuar që idetë e diskutuara të kthehen në projekte konkrete.

Më 8 tetor nis procesi i buxhetimit me pjesëmarrje

Më 8 tetor, në Elbasan do të fillojë procesi i buxhetimit me pjesëmarrje, një praktikë e vendosur prej vitesh në qytetin tonë. Ky proces synon të përfshijë drejtpërdrejt qytetarët në vendimmarrjen për zgjidhjen e problematikave të komunitetit.

Në këtë takim, të organizuar nën drejtimin e Kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, qytetarët do të kenë mundësinë të paraqesin shqetësimet dhe prioritetet e tyre, duke u bërë pjesë aktive e përcaktimit të nevojave që do të reflektohen në buxhetin e ardhshëm të qytetit. Çështjet që prekin infrastrukturën, arsimin, shërbimet publike dhe çdo aspekt tjetër të jetës qytetare do të jenë në qendër të diskutimeve.

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje ka për qëllim të forcojë transparencën dhe përgjegjshmërinë, duke i dhënë qytetarëve një rol kyç në zhvillimin e komunitetit të tyre. Ftojmë të gjithë qytetarët të marrin pjesë dhe të japin kontributin e tyre për të ndërtuar një Elbasan më të mirë dhe më të zhvilluar.

Përfundoi me sukses Edicioni i IX i Takimit Kombëtar të Orkestrave të Harqeve “Muzika e Dhomës dhe Krijimtaria e saj” në Teatrin “Skampa”


Për tri ditë, orkestra dhe ansamble nga qytete të ndryshme të Shqipërisë interpretuan muzikë lirike dhe operistike nga autorët më të njohur, duke ofruar një përvojë të jashtëzakonshme për publikun elbasanas.

Nga viti në vit, ky festival ka njohur rritje të vazhdueshme, dhe edicioni i këtij viti solli disa risi të rëndësishme. Përveç repertorit të pasur, për herë të parë u dhanë çmime me vlerë të caktuar monetare, duke i dhënë një dimension të ri këtij eventi tradicional që tashmë ka tetë edicione të mëparshme.

Mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia Elbasan, ky festival është bërë një traditë e pritur me shumë entuziazëm, dhe pritshmëritë për suksesin e tij u plotësuan. Performanca e orkestrës pritëse të Elbasanit në mbylljen e natës së parë u vlerësua si një nga momentet më të paharrueshme të festivalit.