Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 10 Tetor 2024

Llatja: Tregani, me Llixhat dhe investimet në infrastrukturë, po shndërrohet në një destinacion kyç turistik

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje vijoi në njësinë administrative Tregan, ku gjatë dëgjesës publike ka marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja. Një nga investimet më të mëdha që Bashkia ka realizuar në këtë njësi është ndërtimi i shkollës 9-vjeçare “Jonuz Çarçiu”, projekt i cili u zbatua nën kujdesin e veçantë të kryetarit.

Gjatë fjalës së tij, z. Llatja kujtoi një sërë takimesh të realizuara me banorët e Treganit për të ndjekur problematikat, zhvillimet dhe shqetësimet e banorëve, sidomos gjatë sezonit turistik. “Keni kërkuar organizimin e një feste për promovimin e turizmit, dhe ne e realizuam këtë. Gjithashtu kemi ngritur edhe një agjenci për promovimin e turizmit, të cilën tashmë po e kalojmë në një fazë më të avancuar, duke krijuar një guidë më të madhe turistike për vizitorët që vijnë në Llixha, në Tregan, dhe në të gjitha atraksionet e Elbasanit,” theksoi ai.

Kreu i Bashkisë u ndal edhe tek problematika e shkollës në Tregan, një çështje e rëndësishme për komunitetin. “Sot jemi në një moment ku shkolla ka nisur ndërtimin dhe po punojmë për përmirësimin e rrugës që të çon drejt saj. Gjithashtu, jemi në proces përfundimi për rrugën e Bajramasve dhe për sistemimin dhe asfaltimin e disa rrugëve të tjera,” tha z. Llatja, duke nënvizuar se këto projekte janë pjesë e planifikimit të buxhetit për vitin 2025.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve të ardhshme, si ndriçimi i zonave me prani të madhe turistësh dhe shtrimi i asfaltit në fshatrat kryesore, duke përmendur specifikisht projektin për rrugën e Kodër Bujarasit që do të lidhë pjesën poshtë me fshatrat përreth.

“Njësia administrative Tregan ka qenë shumë aktive në zgjidhjen e problematikave dhe ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt të vazhdueshëm me banorët për t’u marrë me hallet e tyre,” përfundoi kryetari i Bashkisë.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, pret Ambasadorin e Bashkimit Europian, Silvio Gonzato

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Silvio Gonzato, zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, për të diskutuar mbi prioritetet e zhvillimit të qytetit dhe mundësitë e bashkëpunimit me Bashkimin Europian. Në fokus të bisedës ishin mbështetja e projekteve lokale dhe roli i BE-së në përgatitjen e bashkive shqiptare për procesin e integrimit europian.

“Kjo mbështetje nga Bashkimi Europian është thelbësore për forcimin e kapaciteteve të bashkive dhe për përshpejtimin e integrimit të vendit në familjen europiane,” u shpreh kryetari i bashkisë.

Në vazhdën e takimit, ambasadori Gonzato, së bashku me ministrin e Brendshëm, z. Ervin Hoxha, dhe Kryekordinatoren e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), znj. Rinesa Xhaja, vizituan nga afër një ndërmarrje sociale në Elbasan. Kjo ndërmarrje është ngritur mbi prona të sekuestruara nga aktivitetet kriminale, duke demonstruar një model të suksesshëm të përfshirjes sociale dhe ekonomike.