Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Nëntor 2024

80 Vjetori i Çlirimit të Shqipërisë: Lavdi Dëshmorëve të Atdheut!

Përulemi me respekt të thellë përpara dëshmorëve, për të nderuar sakrificën sublime të atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut tonë.

Sakrifica e dëshmorëve tanë është një mesazh i pavdekshëm për brezat që do të vijnë, liria nuk është e dhënë, ajo fitohet dhe ruhet me gjak, me besim dhe me unitet.

Ndërsa nderojmë të rënët për liri, ne ripërtërijmë zotimin tonë për të ndërtuar një Shqipëri që i qëndron idealeve të tyre. Një Shqipëri të lirë, të drejtë dhe të bashkuar.

Ndaj në këtë 80-vjetor, le të kujtojmë jo vetëm dhimbjen e së kaluarës, por edhe krenarinë e trashëgimisë që na kanë lënë dëshmorët tanë. Ata jetojnë në çdo gur të këtij vendi, në çdo flamur që valëvitet krenar dhe në çdo zemër shqiptari që ndjen dashuri për këtë tokë të shenjtë.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të Atdheut!

Elbasani feston 112-vjetorin e Pavarësisë

Sot, qyteti i Elbasanit ka festuar 112-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në një atmosferë të mbushur me simbolikën kuq e zi, qindra qytetarë, përfaqësues të pushtetit lokal, kreu i bashkisë, prefekti dhe figura të tjera të rëndësishme morën pjesë në ceremoninë festive të organizuar me këtë rast.

Pika kulmore e aktivitetit ishte ceremonia e homazheve në bustin e Aqif Pashë Elbasanit, një ndër heronjtë e shquar të historisë sonë kombëtare, i cili luajti një rol të rëndësishëm duke ngritur flamurin e Pavarësisë në qytetin e Elbasanit. Me fjalë të mbushura me nderim, të pranishmit kujtuan kontributin e tij në përpjekjet për liri dhe pavarësi.

Gjithë qyteti ishte i veshur me petkun festiv: flamuj kombëtarë, dekorime dhe aktivitete kulturore të ndryshme që rikthyen ndjenjën e bashkimit kombëtar. Sheshet dhe rrugët kryesore u mbushën me ngjyrat kuq e zi, ndërsa grupe të shumta artistësh lokalë dhanë performanca muzikore për të festuar këtë ditë të veçantë.

Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja shprehu krenarinë për kontributin historik të Elbasanit në shpalljen e Pavarësisë dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së vlerave kombëtare.

Për qytetarët e Elbasanit, 28 Nëntori mbetet një simbol i lavdisë kombëtare, i sakrificës dhe i shpresës për një të ardhme më të ndritur. Festa vazhdon me aktivitete të tjera deri në orët e vona të mbrëmjes, duke e kthyer këtë ditë në një moment uniteti dhe krenarie për të gjithë shqiptarët.

Homazhe në nder të Shpalljes së Pavarësisë së Elbasanit

Sot, në Elbasan, u përkujtua Shpallja e Pavarësisë më 25 Nëntor 1912, një ngjarje historike ku Elbasani shpalli i pari Pavarësinë kombëtare, duke ngritur flamurin tre ditë para aktit të shpalljes në Vlorë dhe duke vendosur gurin e parë në themelet e lirisë dhe sovranitetit të Shqipërisë.

Homazhe për këtë ditë u zhvilluan pranë monumentit të Aqif Pashë Elbasanit, një nga figurat kryesore të kësaj ngjarjeje. Në ceremoni morën pjesë kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, përfaqësues të pushtetit lokal, deputetë, historianë dhe qytetarë.

Kryetari Llatja theksoi se “Aqif Pashë Elbasani, si bashkëpunëtor i Ismail Qemalit, luajti një rol kyç në organizimin e kryengritjeve antiosmane dhe ngritjen e flamurit kombëtar në Elbasan. Me aktin e 25 Nëntorit, Elbasani dërgoi një mesazh të fuqishëm dhe u pozicionua si pararendës i shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor.”

Ai shtoi se “në 25 Nëntor 1912, Elbasani shpalli Pavarësinë, nënshkroi aktin dhe ngriti flamurin i pari. Ky akt e vendosi Elbasanin si një nga figurat kryesore të ngjarjeve historike. Karta e lirisë së Elbasanit ishte një akt që duhej të njihej nga çdo fuqi e huaj. Mirënjohja jonë shkon për rilindasit që vunë interesat kombëtare mbi gjithçka. Elbasani ka qenë dhe mbetet një simbol i patriotizmit dhe bashkimit për kombin shqiptar.”

Ministri Mazniku theksoi se “ fakti se një grup burrash, pavarësisht ndasive të besimit dhe politikës, u bashkuan në Elbasan për të shpallur Pavarësinë dhe për t’i treguar të gjithë botës, nga Elbasani, se Shqipëria është një shtet dhe një komb, është një dëshmi e fortë.

 Kjo u vërtetua përmes asaj deklarate, që nisi nga ky qytet, ndaj duhet të jemi krenarë për rolin që ka luajtur Elbasani. Sot jemi krenarë. Jemi në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe ka pyetje në mbarë botën për mundësinë që Shqipëria të jetë anëtare e BE-së. Unë besoj se çdo qytetar, ashtu si 112 vjet më parë, përmes punës dhe angazhimit të tij, po riprovon atë që provoi para 112 vjetësh. Sot, Shqipëria ka gjithçka të nevojshme për të qenë anëtare e BE-së, dhe lidhja e historisë është e rëndësishme për të na dhënë besim. Ne i kemi të gjitha mundësitë për të pasur një të ardhme në BE”, tha ai.

 Ngjarjet e vitit 1912 përkujtohen çdo vit si një moment krenarie për Elbasanin, duke nderuar sakrificën dhe vizionin e atyre që e formuan historinë tonë kombëtare.

“Për ty, Shqipëri!”

“Për ty, Shqipëri!”

Nën kujdesin e Bashkisë Elbasan dhe Kryetarit Gledian Llatja, në datë 28 Nëntor në orën 17.00 në Sheshin ” Gensher” organizohet një koncert i madh me rastin e Festës së Flamurit. Kjo mbrëmje e veçantë do të sjellë emocion dhe gëzim për të gjithë, me pjesëmarrjen e këngëtarëve më të njohur të qytetit, që do të krijojnë një atmosferë të paharrueshme.Tematika e këtij aktiviteti është promovimi i muzikës qytetare të qarkut të Elbasanit dhe asambleve popullore nga e gjithë zona, duke nxjerrë në pah traditat dhe kulturën e pasur të kësaj treve.Ejani të festojmë së bashku këtë ditë të shenjtë për kombin, në zemër të Elbasanit, aty ku flamuri dhe traditat bashkojnë të gjitha brezat!

Elbasani nderon kontributin e Gjuhës Shqipe në ditën e Alfabetit

Në përvjetorin e 116-të të Kongresit të Manastirit dhe miratimit të alfabetit të gjuhës shqipe,Elbasani nën kujdesin e vecantë të kryetarit të bashkisë Gledian Llatja ka shënuar një aktivitet të rëndësishëm, ku u vlerësua kontributi i qytetit në zhvillimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe.

Në ngjarjen, e cila u mbajt me rastin e 116-vjetorit të miratimit të alfabetit të gjuhës shqipe nga Kongresi i Manastirit, morën pjesë Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z.  Arbjan Mazniku si dhe elitat e qytetit, akademikë dhe mësues të shquar. Ata theksuan rëndësinë e këtij momenti historik dhe vlerësuan përpjekjet e qytetarëve dhe intelektualëve elbasanas për përhapjen dhe forcimin e gjuhës shqipe, e cila është një faktor kyç për bashkimin dhe identitetin kombëtar.

Në fjalimin e tij, kryetari i bashkisë Gledian Llatja theksoi rëndësinë e Elbasanit në historinë e gjuhës shqipe, duke kujtuar që qyteti ka qenë dhe mbetet një qendër e rëndësishme e zhvillimit të arsimit dhe kulturës shqipe. “Elita e qytetit ndodhet sot këtu, mësuesit, pedagogët, ata që punojnë pa fund për të lartësuar gjuhën shqipe dhe për të edukuar breza të rinj për të ardhmen e vendit tonë,” tha ai.

 Llatja shtoi gjithashtu se Elbasanin e lidhim këtë ditë me Normalen, me Universitetin dhe me qytetin tonë. Edhe pse në Elbasan nuk ka pasur mësim shqip dhe mësues vetëm pas vitit 1909, ne i kemi fillimet më përpara me shkollat shëtitëse. Ne jemi duke u përgatitur për të ristrukturuar Muzeun e Arsimit brenda në Kala, me qëllimin që ta lëmë këtë trashëgimi për brezat e rinj dhe ta përcjellim për të gjithë ata që vijnë në Elbasan. Kjo është një histori e lidhur ngushtë me gjuhën shqipe.

Duam të kujtojmë shkollat shëtitësem mësuesit shëtitës të Elbasanit, pasi ato kanë qenë të lidhura me gjuhën, patriotizmin dhe Rilindjen Shqiptare. Ne jemi të nderuar që Elbasani ka dhënë dhe vazhdon të japë shumë për gjuhën shqipe dhe trashëgiminë tonë. Detyra jonë sot është ta çojmë këtë trashëgimi në një nivel tjetër, ta përcjellim tek rinia dhe ta mbajmë fort gjuhën shqipe, pa ndikuar nga gjuhët e tjera.

Po punojmë për restaurimin e Muzeut Etnografik të Elbasanit dhe për kthimin e shtëpisë së Aleksandër Xhuvanit në një ambient të përshtatshëm për artin dhe kulturën. Po ashtu, kemi një projekt për vitin e ardhshëm për të kthyer shtëpinë e Lef Nosit në një ambient për rininë e Elbasanit, ku do të lidhen edhe me teknologjinë. Këtë vit, në qendër të Athinës ne hapëm Mësënjtoren Kostandin Kristoforidhi dhe po punojmë që në vitin 2025 ta hapim edhe në Selanik”.

Ai shtoi se “ne duam të vazhdojmë të përçojmë traditën e mirë që lidhet me gjuhën, e cila ka qenë themeli i kombit tonë dhe ka mbajtur gjallë identitetin shqiptar. Për ne, si Elbasan, kjo është një ditë e shënuar, sepse këtu kanë qenë fillesat e Kongresit të Elbasanit dhe zhvillimi i madh gjuhësor që ka pasur ky qytet.”

Akademikët Natasha Porocani, Teuta Toska dhe Evis Kushi referuan gjatë aktivitetit, duke bërë një përmbledhje të rëndësishme të njësimit të alfabetit dhe ngjarjeve të Kongresit të Manastirit të vitit 1908. Ata nënvizuan se ky kongres ishte një moment historik që shënoi bashkimin e shqiptarëve përmes gjuhës.

Ministri Mazniku, në fjalën e tij, vuri në dukje se Elbasani është djepi i zhvillimit të gjuhës shqipe dhe një nga qytetet që ka luajtur një rol të madh në forcimin e identitetit kombëtar shqiptar. Ai theksoi se rilindësit shqiptarë, me aftësinë e tyre të jashtëzakonshme, kanë krijuar një komb të bashkuar rreth gjuhës shqipe, dhe se abetarja dhe alfabeti janë simbol i bashkimit të shqiptarëve.

“ Rilindasit tanë kanë qenë të jashtëzakonshëm në nivel global, sepse krijuan strukturën e kombit shqiptar, duke e bazuar atë në gjuhën shqipe. Ne flasim rregullisht për rëndësinë që ka abetarja, por ka një rëndësi edhe më të madhe për të gjithë kombin, sepse ajo na mundëson të kuptojmë të njëjtën gjuhë, të shohim të njëjtat simbole dhe, më pas, të bëhemi pjesë e një ndjesie të përbashkët.

Abetarja dhe alfabeti janë fijet që mbajnë bashkë kombin shqiptar, janë fije të jashtëzakonshme historike. Sa herë që flasim për Elbasanin, për Normalen, për historinë, kujtojmë se ky qytet ka pasur ata njerëz që kanë endur fijën e kombit shqiptar, që na kanë dhënë mundësinë të jemi të bashkuar si komb. Elbasani ka qenë një gur themeli i kombit shqiptar dhe ka mundësuar ruajtjen e pemës së kombit, duke mbajtur gjallë traditën dhe kulturën.

Prandaj, gjuha shqipe duhet të fuqizohet dhe të mirëmbahet çdo ditë. Elbasani ka qenë dhe mbetet vendi ku, gjatë 100 viteve të fundit, është formuar dhe zhvilluar mësimdhënia. Për këtë arsye, ju jam mirënjohës të gjithëve ju që kontribuoni për këtë arritje të rëndësishme”.

Në përfundim të aktivitetit, Bashkia e Elbasanit nderoi disa personalitete të shquara të qytetit, duke u dorëzuar atyre certifikata Mirënjohja e Qytetit, me motivacionin “ Për kontributin në ruajtjen e vlerave gjuhësore kombëtare, dhe edukimin e brezave me dashuri për gjuhën shqipe”. Titujt e mirënjohjes u dorëzuan për zonjat e nderuara Tatjana Mani Manjola Hatellarin, dhe Entela Seiti.

Ky aktivitet shënoi një ditë të veçantë për Elbasanin, duke kujtuar rëndësinë e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e pasurisë së saj kulturore.

Festimet për Ditën e Alfabetit janë një mundësi për të pasuruar ndërgjegjësimin e brezave të rinj për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare.

“Thuaji jo armëve”, mbahet aktiviteti me të rinjtë në Elbasan

Në Elbasan u zhvillua një takim me fokus forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve publike dhe organizatave rinore për parandalimin e dhunës dhe rritjen e besimit në institucionet publike. Takimi mblodhi së bashku përfaqësues të lartë të institucioneve dhe të rinj të angazhuar për të ndarë ide konkrete dhe strategji të qëndrueshme për një Elbasan më të sigurt dhe gjithëpërfshirës.

Në takim morën pjesë kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja,  Ambasadori i OSBE-së, z. Michel Tarran, Drejtori i Policisë Elbasan, z. Fatmir Hoxha, Drejtuesi i Prokurorisë, z. Kreshnik Ajazi, si dhe dhjetëra të rinj dhe të reja. Diskutimet u përqendruan në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike për të përmirësuar sigurinë dhe për të fuqizuar rolin e të rinjve në proceset vendimmarrëse.

“Fuqizimi i të rinjve është një prioritet i padiskutueshëm” theksoi z. Llatja, duke nënvizuar se këshillat rinorë dhe procesi i buxhetimit me pjesëmarrje janë shembuj konkretë të angazhimit për të ndërtuar ura komunikimi mes brezave dhe institucioneve.

Ambasadori i OSBE-së, z. Michel Tarran, vlerësoi rolin e institucioneve lokale dhe të rinjve në zbatimin e projekteve që forcojnë sigurinë dhe reduktojnë dhunën.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një platforme të qëndrueshme bashkëpunimi, ku të rinjtë jo vetëm që dëgjohen, por edhe përfshihen aktivisht në vendimmarrje, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës në qytet.

Sipas z. Llatja ” një Elbasan më i sigurt dhe gjithëpërfshirës është synimi ynë i përbashkët”.

Prezenca e OSBE njoftoi se, Teatri “Skampa” ishte dëshmitar i bashkëpunimit organik dhe ndërveprimit të gjallë, që vetëm rinia ka fuqinë ta nxisë, duke përhapur ide, duke sjellë mesazhe të fuqishme për të ndryshuar mendësi dhe zakone. Të rinjtë kontribuuan me mesazhe për “Murin e kujtesës”, një instalacion që do të vendoset në një nga rrugët e Elbasanit.

Diskutimet u përqendruan në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike për të përmirësuar sigurinë dhe për të fuqizuar rolin e të rinjve në proceset vendimmarrëse.

Njoftim për mbledhjen e Këshillit Bashkiak

NJOFTIM

Lënda: Njoftim për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak Elbasan.

Ju njoftojmë se më datë 26.11.2024  ora  11:00  zhvillohet mbledhja e rradhës e Këshillit Bashkiak Elbasan e thirrur nga Kryetari i Këshillit në bazë të Ligjit 139/2015, neni 53 pika 3), në ambjentet Qendres Rinore, me këtë rend dite:

  1. Miratimi i rendit të ditës së Mbledhjes.
  2. Miratimi i procesverbaleve të muajit Shtator 30.09.2024, muajit Tetor 23.10.2024 dhe muajit Nëntor 14.11.2024.
  3. Për miratimin e vlerës financiare të dëmeve shkaktuar nga djegia e banesës së Z. Ferit Halit Koçi banor në lagjen “Aqif Pasha” Nr. 4 dhe dhënien e kompensimit nga ana e Bashkisë Elbasan.
  4. Për miratimin e vlerës financiare të dëmeve shkaktuar nga djegia e banesës së Z. Josif Jorgji Doka banor në fshatin Kuqan të Njësisë Administrative Shirgjan dhe dhënien e kompensimit nga ana e Bashkisë Elbasan.
  5. Mbi miratimin e listës emërore të familjeve që do të përfitojnë subvencionim qeraje, për vitin 2025, në qytetin e Elbasanit.
  6. Mbi një ndryshim në VKB Nr.112 Datë 23.10.2024.
  7. Mbi korigjimin e vendimit Nr.13 Dt 23.10.2024 të KB Mbi miratimin e riorganizimit të njësive operative vartëse te bashkisë dhe numrit maksimal të pinonjësve të tyre dhe të aparatit të administratës së Bashkisë Elbasan.

Kolonia e Piktorëve “Skampis 2024” shndërron Elbasanin në një qendër arti

Për dy ditë me radhë, Kolonia e Piktorëve “Skampis 2024” ka sjellë një atmosferë krijuese në Elbasan, duke mbledhur artistë të talentuar që kanë pasqyruar bukuritë dhe trashëgiminë e qytetit përmes artit të tyre.

Artistët kanë shpalosur penelin e tyre mbi pamje ikonike të Elbasanit, duke përfshirë Kalanë historike, rrugicat e vjetra dhe peizazhet natyrore të Funarit dhe Gjinarit. Përmes këtyre veprave, ata kanë rikthyer historinë dhe natyrën në një formë artistike që mishëron shpirtin e qytetit.

Ky aktivitet u përmbyll me një ekspozitë unike në Hotel “Skampa”, ku të gjitha punimet e realizuara gjatë ditëve të kolonisë u prezantuan për publikun. Ekspozita ofron një mundësi për artdashësit dhe qytetarët të shijojnë bukuritë e Elbasanit përmes syve të artistëve.

Kolonia e Piktorëve “Skampis 2024” është një tjetër dëshmi e përkushtimit të qytetit  për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore përmes artit dhe krijimtarisë.

Ky udhëtim artistik e shpalos Elbasanin si një qendër të rëndësishme të kulturës dhe historisë shqiptare, duke mbështetur iniciativa që ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë kulturore.