Muaj: Shkurt 2025
Rindërtimi i shkollës së Treganit, kthim në strukturën e re dhe të sigurt për nxënësit
Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, dhe deputetja Desatila Tahiraj, inspektuan punimet në shkollën e Treganit, një objekt që u shemb plotësisht gjatë tërmetit të vitit 2019. Pas një periudhe të gjatë punimesh, rindërtimi i shkollës është duke përfunduar, duke sjellë një ndërtesë të re dhe moderne, që do të shërbejë për rreth 150 fëmijë të fshatit, si dhe për banorët e zonës.
Ky projekt ka qenë një kërkesë e banorëve të zonës, të cilët kanë theksuar nevojën për ndërtimin e një shkolle të re, që do të ofronte kushte më të mira dhe do të kontribuonte në zhvillimin e përgjithshëm të komunitetit.
Kryetari Llatja theksoi se ky rindërtim ka pasur disa sfida teknike dhe gjeologjike, për shkak të kushteve të veçanta të territorit dhe strukturës së shkollës së vjetër. Ai shtoi se prioriteti kryesor ka qenë sigurimi i një strukture të qëndrueshme dhe krijimi i kushteve të përshtatshme për fëmijët. “Falenderoj Ministrinë e Arsimit për mbështetje në këtë projekt, i cili përfshin jo vetëm shkollën 9-vjeçare, por edhe kopshtin e Treganit, duke e bërë këtë objekt një qendër të vërtetë komunitare për fshatin dhe Njësinë Administrative,” u shpreh Llatja.
Shkolla e re do të ofrojë kushte të përmirësuara për mësim dhe aktivitete edukative. Ajo ka një sipërfaqe prej rreth 1500 m² dhe përfshin katër klasa për nxënësit, një guzhinë, një hapësirë lidhëse mes shkollës dhe kopshtit, si dhe disa dhoma shërbimi, përfshirë drejtorinë, sallën e mësuesve, sekretarinë dhe tualetët. Përveç kësaj, pas ndërtimit të shkollës, do të jetë edhe një palestër moderne, e cila do të shërbejë si qendër komunitare për fshatin.
Deputetja Tahiraj e vlerësoi këtë projekt si një arritje të rëndësishme pas pesë viteve, duke e quajtur kthimin në shkollë një moment të rëndësishëm për fëmijët dhe familjet e Treganit. “Për pesë vite, fëmijët tanë kanë mësuar në Shirgjan, dhe tani, në shtator 2025, do të mund të kthehen në shkollën e re që plotëson të gjitha standardet dhe ofron një mjedis të sigurt dhe funksional,” tha ajo.
Shkolla e Treganit është një ndër projektet kyçe për zhvillimin e zonës, duke shfrytëzuar potencialin turistik të ujrave termale të Elbasanit dhe duke kontribuar në forcimin e infrastrukturës arsimore dhe sociale.
Përfundimi i punimeve është i afërt, duke hapur dyert për një vit të ri shkollor, i cili do të ofrojë mundësi më të mira për fëmijët dhe do të shërbejë si një qendër e re komunitare për Treganin.
Xhamia e Ballies në Elbasan, ndër pesë objektet më të bukura të kultit në botë
Xhamia e Ballies në Elbasan është përzgjedhur si një nga pesë objektet më të bukura të kultit në botë, në finalen e çmimit prestigjioz “Ndërtesa e Vitit 2025” nga ArchDaily.
Ky vlerësim është një arritje e jashtëzakonshme për arkitekturën shqiptare dhe veçanërisht për arkitekturën fetare në vendin tonë. Tashmë kjo xhami konkuron me katër ndërtesat e tjera nga Kina, Kanadaja, Bangladeshi dhe Kili.
Xhamia ka një sipërfaqe rreth 1900 metra katrorë dhe përbëhet nga katër kate, në të cilat përveç vendit të faljes përfshihen edhe sallat e konferencave dhe zyrat e stafit të Myftinisë Elbasan.
Xhamia e Ballies shquhet për një dizajn inovativ që kombinon mjeshtërisht traditën islame me elemente moderne, duke krijuar një hapësirë unike dhe frymëzuese për besimtarët dhe vizitorët. Arkitektura e saj përfaqëson një qasje të re dhe të avancuar në ndërtimin e objekteve të kultit, duke ruajtur identitetin dhe vlerat kulturore, por edhe duke u përshtatur me kërkesat dhe estetikën bashkëkohore.
Xhamia e Ballies është një ndër objektet më të lashta në Elbasan e cila u ndërtua nga Hasan Balliu në vitin 1608 në qendër të qytetit të Elbasanit.
Regjimi komunist në 1967 urdhëroi prishjen e saj. Ajo ka qenë simbol i Elbasanit, nga më të bukurat dhe të vjetrat. Është quajtur ndryshe “xhamia blu” për bukurinë dhe madhështinë që ka pasur. Pas shumë vitesh Xhamia e Ballies u ringrit shumë më madhështore se e vjetra në qendër të qytetit të Elbasanit dhe është kthyer në identitet. Elementi më tërheqës i xhamisë së shkatërruar në kohën e regjimit komunist ishte minareja që konkurronte të gjitha të tjerat me modelimin dekorativ origjinal të saj.
Sot xhamia e rindërtuar ka të përshtatur klasiken me modernen. Ka salla për abdesë, për faljen e grave dhe ambient për faljen e burrave. Kapaciteti është 1500 besimtarë vetëm brenda, por ka dhe hapësirë jashtë.
Puna dhe pasioni që mbajnë gjallë traditën: Takimi me blektorin Drini
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka zhvilluar një takim të veçantë me fermerin Drini, i cili me përkushtim vazhdon traditën e blektorisë të trashëguar nga gjyshi i tij. Me 300 krerë dele, të ndara në dy tufa, Drini kujdeset personalisht për delet e sapolindura, ndërsa për tufën tjetër janë të angazhuar punëtorë që ndihmojnë në kullotjen dhe mirëmbajtjen e bagëtive.
“Drini është një shembull i jashtëzakonshëm i punës së palodhur dhe përkushtimit ndaj traditës. Ai e çon përpara me mund e sakrificë këtë pjesë kaq të rëndësishme të bujqësisë dhe blektorisë, duke mos e humbur lidhjen me rrënjët,” u shpreh kryetari Llatja gjatë bisedës me fermerin.
Për Drinin, kjo punë është më shumë se një mënyrë jetese, është një pasion që e ndan edhe me djalin e tij, të cilin e merr shpesh me vete në kullotat e zonës. Përkushtimi i tij ndaj blektorisë dhe ruajtja e traditës familjare janë një model frymëzimi për brezat e rinj që zgjedhin të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin rural.
Kryetari i Bashkisë vlerësoi angazhimin dhe punën e palodhur të Drinit, duke theksuar se mbështetja për fermerët dhe zhvillimi i bujqësisë janë një prioritet për Bashkinë Elbasan. “Puna e njerëzve si Drini është një pasuri për komunitetin tonë. Ne do të vijojmë të mbështesim fermerët që me mund mbajnë gjallë traditat dhe ekonominë lokale,” përfundoi Llatja.
Ujësjellësi nis rehabilitimin e rrugëve pas masave të bashkisë dhe investimeve në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve
Pas masave administrative të Bashkisë Elbasan dhe kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve, Ujësjellës Kanalizime Rajoni Elbasan ka nisur punimet për rehabilitimin e rrugëve, rrugicave dhe trotuareve të dëmtuara gjatë shtrirjes së tubacioneve të reja të ujësjellësit dhe kanalizimeve.
Ky projekt i shumëpritur synon sigurimin e ujit të pijshëm 24 orë në ditë për qytetarët, një kërkesë e kahershme e banorëve, e cila po bëhet realitet falë investimeve nga KFV gjermane dhe qeveria shqiptare. Përveç furnizimit të qëndrueshëm me ujë, ky proces synon rikthimin e zonave të prekura në gjendjen e tyre optimale, duke siguruar standarde të larta cilësie dhe një infrastrukturë moderne për qytetarët.
Punimet po kryhen me përkushtim për të garantuar një shërbim më efikas dhe të qëndrueshëm në furnizimin me ujë të pijshëm. Bashkia Elbasan do të vijojë monitorimin e këtij procesi për të garantuar zbatimin me cilësi dhe në afatet e përcaktuara, ndërsa falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen e tyre gjatë kësaj faze të rëndësishme të përmirësimit të infrastrukturës urbane.
Ambasadori i Sllovakisë viziton Bashkinë Elbasan, diskutohet forcimi i bashkëpunimit
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka pritur në një takim zyrtar Ambasadorin e Sllovakisë në Shqipëri, SH.T.Z. Albin Otruba. Gjatë takimit u diskutua për forcimin e marrëdhënieve mes Elbasanit dhe Sllovakisë, duke u fokusuar në zhvillimin e infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë dhe mbështetjes sociale.
Bashkëpunimi mes dy palëve do të zgjerohet edhe në sektorë të tjerë me potencial zhvillimi, si turizmi, bujqësia dhe kultura. Kryetari Llatja vlerësoi këtë takim si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të mundësive të reja për investime dhe zhvillim ekonomik në qytetin e Elbasanit.
Nga ana e tij, Ambasadori Otruba shprehu gatishmërinë për të mbështetur projekte të përbashkëta që do të ndihmojnë në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe do të sjellin përfitime konkrete për komunitetin lokal.
Njoftim për mbledhje jashtë rradhe të Këshillit Bashkiak
NJOFTIM
Lënda: Njoftim për mbajtjen e mbledhjes jashtë rradhe së Këshillit Bashkiak Elbasan.
Ju njoftojmë se më datë 10.02.2024 ora 11:00 zhvillohet mbledhja jashtë rradhe online me vendim qarkullues e Këshillit Bashkiak Elbasan e thirrur nga Kryetari i Bashkisë në bazë të Ligjit 139/2015, neni 53 pika 3), me këtë rend dite:
- Miratimi i rendit të ditës së Mbledhjes.
- Për miratimin e marrëveshjes së bashkëpunimit për projektin e fituar me titull: Energjia e gjelbër dhe e qëndrueshme në ndërtesat e Elbasanit 2024-2026 lidhur midis palëve zbatuese dhe donatorit.
KRYETARI I BASHKISË
Gledian Llatja