Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 8 Maj 2026

Paketa e investimeve për lagjet, vijojnë dëgjesat në Rajonin Nr. 4 të Elbasanit

Vijoi në Rajonin Nr. 4 turi i bashkëbisedimeve për buxhetin afatmesëm të Bashkisë së Elbasanit, ku fokusi i diskutimeve u vendos te projektet dhe investimet që pritet të transformojnë lagjet e qytetit gjatë viteve në vijim.

Gjatë takimit u prezantua paketa e investimeve për rehabilitimin e blloqeve të banimit, sistemimin e shesheve, ndriçimin modern, si dhe ndërhyrjet në infrastrukturën e kanalizimeve të ujërave të zeza. Një nga projektet kryesore të parashikuara është ndërhyrja te pallatet 496 dhe rehabilitimi total i lagjes “Visarion Xhuvani”, projekt që pritet të nisë së shpejti.

Po ashtu, Bashkia e Elbasanit ka planifikuar një fond prej 1.5 milionë eurosh për investime në lagjet e qytetit dhe blloqet e pallateve, ndërsa një tjetër paketë me të njëjtën vlerë do të shkojë për rrugët rurale të fshatrave të Elbasanit. Në fokus mbetet edhe infrastruktura arsimore, ku për herë të parë në një vit po rikonstruktohen njëkohësisht katër shkolla, me një investim që kap vlerën mbi 10 milionë euro.

Deputeti Adi Qose vuri në dukje se bashkëpunimi mes qytetarëve dhe bashkisë ka sjellë më shumë investime dhe projekte konkrete për komunitetin. Ai theksoi rëndësinë e dëgjesave publike si një mënyrë për të përcaktuar prioritetet reale të banorëve.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, u shpreh se modeli i buxhetimit me pjesëmarrje ka krijuar një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me qytetarët, duke bërë të mundur realizimin e një sërë investimesh në lagje të ndryshme të qytetit.

“Kemi krijuar një marrëdhënie të ndërmjetme, ku një sërë investimesh i kemi bërë të mundura nëpërmjet këtij modeli bashkëbisedimi. Kemi futur në buxhetin e këtij viti pallatet 496, për të bërë një investim fantastik dhe për të rehabilituar totalisht lagjen ‘Visarion Xhuvani’. Do të fillojmë punën shumë shpejt. Gjithashtu kemi parashikuar zgjidhjen e problemit të kanalizimeve të ujërave të zeza, sistemet moderne të ndriçimit dhe rikualifikimin e shesheve të pallateve”, tha Llatja.

Ai shtoi se Bashkia e Elbasanit do të vijojë konsultimet me banorët për të adresuar problematikat dhe prioritetet e çdo komuniteti në hartimin e buxhetit afatmesëm.

“Të Bashkuar për Klimën”, Llatja/ Veprimi klimatik nis nga niveli vendor

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, mori pjesë në konferencën “Të Bashkuar për Klimën”, organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe GIZ⁠, e fokusuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal për përballimin e sfidave klimatike.

Gjatë panelit “Planifikimi i Rrugëve Lokale drejt Përshtatjes dhe Neutralitetit Klimatik”, Llatja ndau eksperiencën e Bashkisë Elbasan në drejtim të planifikimit vendor, mbrojtjes së zonave me rrezik, financimeve të gjelbra dhe përdorimit të zgjidhjeve të bazuara në natyrë për rritjen e qëndrueshmërisë së komuniteteve.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku theksoi se veprimi klimatik nis nga niveli vendor dhe se bashkëpunimi mes institucioneve është thelbësor për ndërtimin e qyteteve më të gjelbra, më të sigurta dhe më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.

Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve vendore e qendrore, organizatave ndërkombëtare dhe ekspertë të mjedisit, me fokus ndarjen e praktikave më të mira dhe forcimin e politikave për zhvillim të qëndrueshëm.