Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 21 Maj 2026

“Poezia si Kujtesë”, një mbrëmje emocionesh dhe reflektimi në Skampa

Në kuadër të 21 Majit, “Ditës së Qëndresës ndaj Regjimit Totalitar” dhe përkujtimit të revoltës së Spaçit, në ambientet e Skampa u organizua aktiviteti poetik “Poezia si Kujtesë”, një takim i veçantë kushtuar fjalës së lirë dhe kujtesës historike.

Pjesë e aktivitetit ishte poetja laureate Rita Petro, së bashku me pedagogen Jonila Godole, studentë dhe gjimnazistë të Elbasanit, të cilët interpretuan vargje të poetëve dhe përkthyesve që përjetuan burgjet, internimet dhe persekutimin gjatë diktaturës.

Përmes interpretimit të poezive, të rinjtë sollën emocione të forta dhe mesazhe mbi lirinë, dinjitetin dhe qëndresën njerëzore. Një vend të veçantë zunë edhe krijimet e atyre poetëve që u pushkatuan vetëm për fjalën e lirë, duke e kthyer aktivitetin në një homazh prekës për kujtesën dhe të vërtetën historike.

“Poezia si Kujtesë” u shndërrua në një mbrëmje reflektimi dhe ndërgjegjësimi, ku arti dhe fjala poetike dëshmuan edhe një herë fuqinë për të mbajtur gjallë kujtesën e një periudhe që nuk duhet harruar.

Qarku i Elbasanit shpallet kampion në basketboll për djem në “Ekipet Sportive në Shkolla”

Qarku i Elbasanit është shpallur kampion në basketboll për djem në edicionin e katërt të aktivitetit “Ekipet Sportive në Shkolla”, pas një paraqitjeje shumë të mirë në finalen e zhvilluar në pallatin e sportit “Feti Borova” në Tiranë.
Ekipi i Elbasanit triumfoi ndaj përfaqësueses së Fierit me rezultatin 42-28, duke siguruar vendin e parë dhe titullin kampion në këtë kompeticion sportiv për nxënësit.
Projekti “Ekipet Sportive në Shkolla”, i organizuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar në bashkëpunim me Klubi Shumësportësh Elbasan, synon evidentimin dhe zhvillimin e talenteve të reja sportive, duke krijuar një bazë të rëndësishme për ekipet zinxhir të klubit.
Ky sukses konsiderohet një tjetër arritje për sportin elbasanas dhe për punën e trajnerëve me të rinjtë, të cilët po japin rezultate konkrete në arenën kombëtare.
Urime sportistëve dhe stafit teknik për këtë fitore dhe përfaqësim dinjitoz të Elbasanit.