Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

“Poezia si Kujtesë”, një mbrëmje emocionesh dhe reflektimi në Skampa

Në kuadër të 21 Majit, “Ditës së Qëndresës ndaj Regjimit Totalitar” dhe përkujtimit të revoltës së Spaçit, në ambientet e Skampa u organizua aktiviteti poetik “Poezia si Kujtesë”, një takim i veçantë kushtuar fjalës së lirë dhe kujtesës historike.

Pjesë e aktivitetit ishte poetja laureate Rita Petro, së bashku me pedagogen Jonila Godole, studentë dhe gjimnazistë të Elbasanit, të cilët interpretuan vargje të poetëve dhe përkthyesve që përjetuan burgjet, internimet dhe persekutimin gjatë diktaturës.

Përmes interpretimit të poezive, të rinjtë sollën emocione të forta dhe mesazhe mbi lirinë, dinjitetin dhe qëndresën njerëzore. Një vend të veçantë zunë edhe krijimet e atyre poetëve që u pushkatuan vetëm për fjalën e lirë, duke e kthyer aktivitetin në një homazh prekës për kujtesën dhe të vërtetën historike.

“Poezia si Kujtesë” u shndërrua në një mbrëmje reflektimi dhe ndërgjegjësimi, ku arti dhe fjala poetike dëshmuan edhe një herë fuqinë për të mbajtur gjallë kujtesën e një periudhe që nuk duhet harruar.