Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 22 Qershor 2026

Njoftim për Faljen dhe Lehtësimin e Detyrimeve Tatimore Vendore

Drejtoria e Taksave, Tarifave Vendore dhe Tregjeve, Bashkia Elbasan ju rikujton se me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 86/2025 “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e deyrimeve tatimore….të pagueshme në doganë”, si dhe udhëzimit në zbatim të tij, tatimpaguesit tashmë kanë një mundësi për të lehtësuar dhe mbyllur detyrimet vendore të prapambetura.

KONKRETISHT:

➢ Fshihen plotësisht: Detyrimet e papaguara, të përcaktuara sipas ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, që u përkasin periudhave tatimore deri në datën 31.12.2014.
➢ Lehtësohen detyrimet për periudhën 2015-2019, si më poshtë:
a) Shuhet 50% e taksës/tarifës vendore nëse pjesa e mbetur 50% e taksës/tarifës paguhet e gjitha njëherësh brenda datës 30.06.2026.
b) Shuhet 25% e taksës/tarifës vendore nëse pjesa e mbetur 75% e taksës/tarifës paguhet brenda datës 31.12.2026.
Shënim: Në të dyja rastet, sipas shkronjave “a” e “b” të kësaj pike, gjobat dhe kamatvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.
➢ Shuhen gjobat dhe kamatvonesat për detyrimet që u përkasin periudhave tatimore nga data 01.01.2020 deri në datë 31.12.2024, me kusht që tatimi/taksa/tarifa për periudhën përkatëse të paguhet brenda datës 31.12.2026.

Kush NUK përfiton nga ky ligj?

Nuk përfitojnë nga fshirja apo lehtësimi i detyrimeve:

Subjektet/tatimpaguesit që:

  • Janë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore ose doganore,
  • Janë në proces gjyqësor ose hetimi për këto vepra gjatë zbatimit të ligjit.
  • LIGJI I SHTRIN EFEKTET NGA DATA 01.01.2026 DERI MË 31.12.2026.

Për zbatimin e këtyre masave lehtësuese, përfitimi është i kushtëzuar nga respektimi i afateve ligjore, ndërsa mosparaqitja apo mosveprimi brenda këtyre afateve sjell humbjen e të drejtës për përfitim.

Për më shumë informacion, ju lutemi drejtohuni pranë sporteleve të Drejtorisë së Taksave, Tarifave Vendore dhe Tregjeve, pranë Bashkisë Elbasan.

Më shumë akses dhe zhvillim për Kryezjarrin, vijojnë punimet në rrugën kryesore

Vijojnë me ritme të mira punimet për rehabilitimin e rrugës kryesore në fshatin Kryezjarr, Njësia Administrative Shirgjan, një investim i rëndësishëm që do të përmirësojë ndjeshëm lëvizjen dhe aksesin për rreth 400 familje dhe fermerët e zonës.

Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili u njoh nga afër me ecurinë e projektit dhe ndikimin që ky investim do të ketë në përmirësimin e jetës së banorëve dhe zhvillimin e aktivitetit bujqësor në zonë.

“Jo vetëm në Njësinë Administrative Shirgjan, por në çdo njësi administrative të Bashkisë Elbasan, investimet në infrastrukturën rurale mbeten një prioritet i rëndësishëm.

Nga rehabilitimi i rrugëve lidhëse deri te pastrimi i kanaleve vaditëse dhe kulluese, çdo ndërhyrje synon të mbështesë fermerët, të përmirësojë aksesin në tokat bujqësore dhe të krijojë mundësi më të mira për zhvillimin ekonomik të zonave rurale. Ne do të vazhdojmë të investojmë në çdo komunitet, duke sjellë më shumë zhvillim dhe një cilësi më të mirë jetese për qytetarët”, u shpreh Llatja.

Ky projekt synon të lehtësojë qarkullimin e përditshëm të banorëve, të përmirësojë transportin e produkteve bujqësore dhe të rrisë sigurinë e lëvizjes në një nga akset më të rëndësishme të fshatit. Përmes këtij investimi, krijohen kushte më të mira për fermerët dhe banorët, duke i dhënë një shtysë të mëtejshme zhvillimit ekonomik dhe social të zonës.

Bashkia Elbasan vijon të investojë në infrastrukturën rurale, duke i kushtuar vëmendje çdo zone dhe çdo komuniteti. Krahas ndërhyrjeve në rrjetin rrugor, po punohet vazhdimisht edhe për mirëmbajtjen dhe pastrimin e kanaleve vaditëse dhe kulluese, me qëllim mbështetjen e sektorit të bujqësisë dhe përmirësimin e kushteve të punës për fermerët.

Rehabilitimi i rrugës në Kryezjarr është pjesë e programit të investimeve të Bashkisë Elbasan për përmirësimin e infrastrukturës lokale dhe rritjen e cilësisë së jetës në zonat rurale të territorit të saj.

NJOFTIM: Afati i pagesës së taksave dhe tarifave vendore deri më 31 korrik 2026

Njoftohen të gjithë subjektet taksapagues që ushtrojnë aktivitet
ekonomik ose zotërojnë një apo më shumë prona (të kategorisë njësi
shërbimi) në territorin e Bashkisë Elbasan se në zbatim të Vendimit të
Këshillit Bashkiak nr. 140 datë 27.11.2025 janë gjeneruar taksat dhe
tarifat vendore për vitin 2026.

Afati i pagesës së taksave dhe tarifave
vendore për vitin 2026 është data 31 Korrik 2026.Ju njoftojmë gjithashtu
se me Vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 77 datë 04.06.2026 janë
përcaktuar afatet e reja të pagesës së tarifës për zënien e hapësirës
publike në zbatim të Rregullores së re për shfrytëzimin e hapësirës
publike.

Pagesa e detyrimit tatimor mund të kryhet pranë Postës Shqiptare,
bankave të nivelit të dytë ose Unionit Financiar. Për mospagesë në
afatin e caktuar aplikohet kamatvonesë në masën 1.8% çdo muaj, por jo më
shumë se 12 muaj.

Për pagesat që kryhen pas datës 31 korrik 2026 nis aplikimi i masave
shtrënguese të parashikuara në ligjin nr. 9920 datë
19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i
ndryshuar.

Për çdo paqartësi dhe informacion si dhe për të tërhequr faturën e
detyrimit tatimor, ju lutem paraqituni pranë sportelit të shërbimit të
D.T.T.V.T.-së pranë bashkisë.

Faleminderit!