Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 23 Qershor 2026

Elbasani mirëpret Kampionatin e 33-të Ballkanik të Pingpongut për të Rinjtë

Nga data 24 deri më 28 qershor 2026, Elbasani do të jetë qendra e pingpongut ballkanik, duke mirëpritur Kampionatin e 33-të Ballkanik të Pingpongut për të Rinjtë (33rd Balkan Youth Table Tennis Championship), një nga aktivitetet më të rëndësishme sportive për moshat e reja në rajon.

Gjatë pesë ditëve të garave, Pallati i Sportit “Tomorr Sinani” do të presë sportistët më të talentuar të Ballkanit, të cilët do të konkurrojnë në një atmosferë sportive që promovon talentin, fair-play-in, miqësinë dhe bashkëpunimin mes të rinjve.

Në këtë kampionat prestigjioz marrin pjesë 13 shtete: Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Qipro, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.

Organizimi i këtij eventi ndërkombëtar e vendos Elbasanin në qendër të vëmendjes sportive rajonale, duke dëshmuar edhe një herë kapacitetet e qytetit për të pritur aktivitete të rëndësishme sportive dhe për të promovuar vlerat e sportit tek brezi i ri.

Kampionati do të zhvillohet nga 24 deri më 28 qershor në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani”, ndërsa qytetarët dhe sportdashësit janë të ftuar të ndjekin nga afër emocionet dhe spektaklin që do të sjellin kampionët e rinj të Ballkanit.

Të gjitha kanalet vaditëse në funksion, drejt përfundimit edhe kanali i Labinot-Fushë

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka ndjekur nga afër punimet për hapjen e kanalit vaditës në zonën e Labinot-Fushë, i cili do të sigurojë ujë për rreth 300 familje fermere dhe mbi 100 hektarë tokë bujqësore.

Gjatë inspektimit, Llatja falënderoi punonjësit e Ndërmarrjes së Punëve Publike, të cilët kanë punuar me intensitet, edhe gjatë fundjavës, për të përfunduar në kohë këtë ndërhyrje të rëndësishme për bujqësinë e zonës.

Për shkak të devijimit të lumit Shkumbin, si pasojë e punimeve të Korridorit VIII, ndërhyrja ka zgjatur në kohë për shkak të vështirësive të krijuara.

Ndërkohë Bashkia Elbasan ka siguruar përkohësisht 50 litra ujë në sekondë përmes një sistemi pompimi, deri në përfundimin e veprës së marrjes.

Kanali me gjatësi rreth 1.2 kilometra po përgatitet për të përcjellë ujin nga lumi Shkumbin në të gjithë zonën e Labinot-Fushës.

Sipas kryebashkiakut Llatja, që prej datës 15 qershor të gjitha kanalet vaditëse në territor janë aktive, ndërsa ky është segmenti i fundit që po vihet në funksion për këtë sezon vaditës.