Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Të gjitha kanalet vaditëse në funksion, drejt përfundimit edhe kanali i Labinot-Fushë

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka ndjekur nga afër punimet për hapjen e kanalit vaditës në zonën e Labinot-Fushë, i cili do të sigurojë ujë për rreth 300 familje fermere dhe mbi 100 hektarë tokë bujqësore.

Gjatë inspektimit, Llatja falënderoi punonjësit e Ndërmarrjes së Punëve Publike, të cilët kanë punuar me intensitet, edhe gjatë fundjavës, për të përfunduar në kohë këtë ndërhyrje të rëndësishme për bujqësinë e zonës.

Për shkak të devijimit të lumit Shkumbin, si pasojë e punimeve të Korridorit VIII, ndërhyrja ka zgjatur në kohë për shkak të vështirësive të krijuara.

Ndërkohë Bashkia Elbasan ka siguruar përkohësisht 50 litra ujë në sekondë përmes një sistemi pompimi, deri në përfundimin e veprës së marrjes.

Kanali me gjatësi rreth 1.2 kilometra po përgatitet për të përcjellë ujin nga lumi Shkumbin në të gjithë zonën e Labinot-Fushës.

Sipas kryebashkiakut Llatja, që prej datës 15 qershor të gjitha kanalet vaditëse në territor janë aktive, ndërsa ky është segmenti i fundit që po vihet në funksion për këtë sezon vaditës.