Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 24 Qershor 2026

Elbasani në qendër të sportit ballkanik, nis Kampionati i 33-të i Pingpongut

Pas disa vitesh mungesë, Shqipëria mirëpret sërish Kampionatin Ballkanik të Pingpongut. Edicioni i 33-të i këtij aktiviteti po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” në Elbasan, nga data 24 deri më 28 qershor, duke mbledhur 13 ekipe nga vendet e rajonit dhe një total prej 150 sportistësh e zyrtarësh.

Shqipëria paraqitet me delegacionin më të madh të kampionatit, me 22 sportistë, ndërsa ky është edicioni i parë në historinë e këtij kompeticioni që zhvillohet me pjesëmarrjen e 13 skuadrave.

Në ceremoninë hapëse morën pjesë drejtues të sportit shqiptar dhe atij ballkanik, të cilët vlerësuan rëndësinë e organizimit të këtij eventi në vendin tonë. Sipas tyre, zhvillimi i Kampionatit Ballkanik në Shqipëri dëshmon besimin që institucionet sportive të rajonit kanë ndaj kapaciteteve organizative të vendit tonë.

Përfaqësuesit e Federatës Ballkanike të Pingpongut shprehën vlerësimin për organizimin e aktivitetit në Elbasan, duke theksuar se ky është një nga edicionet më të veçanta të kampionatit, jo vetëm për numrin rekord të vendeve pjesëmarrëse, por edhe për nivelin e lartë të përgatitjeve.

Organizatorët nënvizuan se rikthimi i këtij eventi në Shqipëri pas 11 vitesh përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e pingpongut në vend, si dhe për rritjen e nivelit konkurrues të sportistëve shqiptarë.

Në një atmosferë festive dhe miqësore në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani”, garat kanë nisur me synimin për të shpallur kampionët e rinj të Ballkanit, por edhe për të forcuar bashkëpunimin dhe lidhjet sportive mes vendeve pjesëmarrëse.

Hotspot-e WiFi4WB në Elbasan, internet falas në hapësirat publike të qytetit

Në kuadër të projektit EU4Digital, Bashkia Elbasan ka përfituar instalimin e hotspot-eve publike WiFi4WB, duke ofruar akses falas në internet për qytetarët dhe vizitorët në disa pika publike të qytetit.

Pikat ku është vendosur shërbimi WiFi publik janë:
Sheshi “ Kozma Naska”
Parku ” Aqif Pasha”

Nisma WiFi4WB financohet nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndërsa zbatohet nga GIZ, si pjesë e projektit EU4Digital, që synon forcimin e lidhjes digjitale në Shqipëri dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Përmes këtij projekti synohet zgjerimi i aksesit në internet publik falas, duke krijuar më shumë mundësi për komunikim, informim dhe përdorim të shërbimeve digjitale nga komuniteti.

Bashkia Elbasan është një nga 500 bashkitë përfituese në rajon në kuadër të programit
WiFi4WB, i cili ndjek modelin e iniciativës WiFi4EU të Bashkimit Evropian, që ka sjellë internet publik falas në mijëra pika në të gjithë Europën.

Në çdo pikë ku është instaluar hotspot-i do të vendosen edhe tabela informuese zyrtare sipas standardeve të projektit, për të garantuar identifikimin dhe promovimin e kësaj mbështetjeje.