Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Elbasani në qendër të sportit ballkanik, nis Kampionati i 33-të i Pingpongut

Pas disa vitesh mungesë, Shqipëria mirëpret sërish Kampionatin Ballkanik të Pingpongut. Edicioni i 33-të i këtij aktiviteti po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” në Elbasan, nga data 24 deri më 28 qershor, duke mbledhur 13 ekipe nga vendet e rajonit dhe një total prej 150 sportistësh e zyrtarësh.

Shqipëria paraqitet me delegacionin më të madh të kampionatit, me 22 sportistë, ndërsa ky është edicioni i parë në historinë e këtij kompeticioni që zhvillohet me pjesëmarrjen e 13 skuadrave.

Në ceremoninë hapëse morën pjesë drejtues të sportit shqiptar dhe atij ballkanik, të cilët vlerësuan rëndësinë e organizimit të këtij eventi në vendin tonë. Sipas tyre, zhvillimi i Kampionatit Ballkanik në Shqipëri dëshmon besimin që institucionet sportive të rajonit kanë ndaj kapaciteteve organizative të vendit tonë.

Përfaqësuesit e Federatës Ballkanike të Pingpongut shprehën vlerësimin për organizimin e aktivitetit në Elbasan, duke theksuar se ky është një nga edicionet më të veçanta të kampionatit, jo vetëm për numrin rekord të vendeve pjesëmarrëse, por edhe për nivelin e lartë të përgatitjeve.

Organizatorët nënvizuan se rikthimi i këtij eventi në Shqipëri pas 11 vitesh përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e pingpongut në vend, si dhe për rritjen e nivelit konkurrues të sportistëve shqiptarë.

Në një atmosferë festive dhe miqësore në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani”, garat kanë nisur me synimin për të shpallur kampionët e rinj të Ballkanit, por edhe për të forcuar bashkëpunimin dhe lidhjet sportive mes vendeve pjesëmarrëse.