Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 26 Qershor 2026

Pas punimeve të nënstacionit elektrik, rruga e Kryezjarrit do të rehabilitohet plotësisht

Pas shqetësimit të ngritur disa ditë më parë nga banorët për dëmtimin e urës në rrugën e fshatit Kryezjarr, Bashkia Elbasan reagoi menjëherë duke ndërhyrë për riparimin e dëmeve më emergjente dhe vendosjen e mbrojtëseve anësore, me qëllim garantimin e sigurisë së kalimtarëve dhe automjeteve.

Për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ishte sërish në Kryezjarr, ku inspektoi ndërhyrjen e realizuar dhe u takua me banorët e zonës.

Ndërhyrja e menjëhershme bëri të mundur shmangien e degradimit të mëtejshëm të urës dhe rikthimin e sigurisë në një segment të rëndësishëm rrugor për komunitetin.

Gjatë vizitës, Llatja theksoi se Bashkia Elbasan është në kontakt të vazhdueshëm me kompaninë që po ndërton nënstacionin elektrik në zonë, në mënyrë që menjëherë pas përfundimit të punimeve me mjetet e rënda të nisë rehabilitimi i plotë i rrugës dhe kthimi i saj në gjendjen e mëparshme.

Kryetari i bashkisë garantoi se çdo dëmtim i shkaktuar nga punimet do të riparohet, ndërsa Bashkia do të vijojë të monitorojë situatën deri në përfundimin e plotë të ndërhyrjeve.

Nis hapja e një kanali të ri kullues në Karakullak, përfitues 12 familje dhe mbi 10 hektarë tokë bujqësore

Një tjetër ndërhyrje e rëndësishme në infrastrukturën bujqësore ka nisur në fshatin Karakullak, ku për herë të parë po realizohet hapja e një kanali të ri kullues me gjatësi 600 metra linearë.

Ky investim vjen si përgjigje ndaj nevojave të banorëve të zonës dhe synon të përmirësojë ndjeshëm kushtet e jetesës dhe të punës për komunitetin lokal.

Kanali i ri do t’u shërbejë drejtpërdrejt 12 familjeve, duke parandaluar përmbytjet dhe duke lehtësuar problematikat që lidhen me infrastrukturën rrugore të lagjes.

Njëkohësisht, ndërhyrja do të mundësojë kullimin dhe sistemimin e mbi 10 hektarëve tokë bujqësore, duke krijuar kushte më të sigurta për aktivitetin e fermerëve dhe duke mbështetur zhvillimin e bujqësisë në këtë zonë.