Nis hapja e një kanali të ri kullues në Karakullak, përfitues 12 familje dhe mbi 10 hektarë tokë bujqësore
Një tjetër ndërhyrje e rëndësishme në infrastrukturën bujqësore ka nisur në fshatin Karakullak, ku për herë të parë po realizohet hapja e një kanali të ri kullues me gjatësi 600 metra linearë.
Ky investim vjen si përgjigje ndaj nevojave të banorëve të zonës dhe synon të përmirësojë ndjeshëm kushtet e jetesës dhe të punës për komunitetin lokal.
Kanali i ri do t’u shërbejë drejtpërdrejt 12 familjeve, duke parandaluar përmbytjet dhe duke lehtësuar problematikat që lidhen me infrastrukturën rrugore të lagjes.
Njëkohësisht, ndërhyrja do të mundësojë kullimin dhe sistemimin e mbi 10 hektarëve tokë bujqësore, duke krijuar kushte më të sigurta për aktivitetin e fermerëve dhe duke mbështetur zhvillimin e bujqësisë në këtë zonë.