Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 13 Korrik 2026

Digjitalizimi është çelësi për zhvillimin e biznesit lokal

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, mori pjesë në aktivitetin e organizuar në kuadër të projektit DiVA – Digital Valley Albania, një nismë që synon të mbështesë bizneset e vogla dhe të mesme në rrugën e transformimit digjital.

Gjatë aktivitetit u bë e ditur se 7 biznese nga Elbasani kanë nisur tashmë procesin e digjitalizimit, duke përfituar falas trajnim, konsulencë, zgjidhje me Inteligjencë Artificiale (AI), marketing digjital, siguri kibernetike, si edhe mundësinë për të testuar teknologjitë më të reja përpara se të investojnë në to.

Në fjalën e tij, Llatja theksoi se Bashkia e Elbasanit mbështet çdo nismë që ndihmon sipërmarrjen vendase të bëhet më konkurruese dhe më e përgatitur për sfidat e ekonomisë moderne. Ai nënvizoi se bashkia do të vijojë të jetë një urë lidhëse mes biznesit lokal dhe programeve të Bashkimit Europian, duke krijuar më shumë mundësi për zhvillim përmes inovacionit dhe teknologjisë.

Projekti DiVA – Digital Valley Albania synon të nxisë transformimin digjital të bizneseve shqiptare dhe t’i afrojë ato me standardet europiane, duke kontribuar në rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e ekonomisë lokale.

Nga lagjja në lagje, për një Elbasan më të pastër.

Së bashku me shoqërinë “Alko Impex” sh.p.k., Drejtorinë e Mjedisit dhe 6 administratorët e lagjeve, po vijojmë fushatën e ndërgjegjësimit për ndarjen e mbetjeve në burim me slogan ” Jetë pa mbetje”!

Në lagjet e qytetit dhe përgjatë rrugëve “Thoma Kalefi”, “Rinia”, “28 Nëntori”, “Qemal Stafa” dhe Bulevardi “Aqif Pasha”, po shpërndahen fletëpalosje dhe informojmë banorët e bizneset për oraret e shërbimit të pastrimit dhe rëndësinë e ndarjes së mbetjeve.

Në 50 shkolla dhe 50 biznese janë vendosur kontejnerë 80 litra me ngjyra për ndarjen e mbetjeve, ndërsa në lagjen “Kala” 300 familje janë përfshirë në projektin pilot, duke u pajisur edhe me qese me ngjyra për ndarjen e mbetjeve në burim.

Ky projekt pilot është pjesë e Planit Vendor Strategjik të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2025–2030, duke hedhur bazat për një model më të qëndrueshëm të menaxhimit të mbetjeve në qytet.

Së bashku ndërtojmë zakone të reja dhe kujdesemi çdo ditë për një Elbasan më të pastër, më të gjelbër dhe më të jetueshëm.