Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 20 Gusht 2026

Nga çdo cep i botës drejt Kalasë së Elbasanit

Qindra vizitorë vendas e të huaj po zgjedhin të ndalen në zemër të qytetit, aty ku historia, kultura dhe tradita ruhen në çdo gur. Kalaja e Elbasanit është kthyer në një nga pikat më tërheqëse për turistët, të cilët shëtisin nëpër rrugicat e saj, fotografojnë çdo detaj dhe zbulojnë nga afër një pjesë të historisë së qytetit.

Sapo kalon portën e Kalasë së Elbasanit, duket sikur lë pas zhurmën e qytetit dhe hyn në një tjetër kohë.

Rrugicat me kalldrëm të çojnë mes historisë, ndërsa muret e lashta, shtëpitë karakteristike dhe gjurmët e qytetërimeve ndër shekuj i japin çdo hap një tjetër kuptim.

Kisha, xhamia, shtëpitë karakteristike, dyqanet e vogla të suvenireve dhe rrugicat plot jetë krijojnë një mozaik të veçantë, ku e kaluara bashkëjeton natyrshëm me të sotmen.

Për shumë prej vizitorëve, ndalesa në Elbasan nuk është thjesht një vizitë kalimtare. Jonathan, një turist nga Anglia, tregon se pas vizitës në Kala ka vendosur të qëndrojë edhe një ditë në Elbasan, për të zbuluar më shumë nga qyteti dhe atmosfera e tij.“Është një qytet shumë interesant dhe ndihet shumë ndryshe nga vendet e tjera që kemi vizituar në Shqipëri”, shprehet ai.
Dhe ndoshta kjo është magjia e Elbasanit, të vish për një ndalesë dhe të dëshirosh të qëndrosh pak më gjatë.

Zyrat e e-Shërbimeve, asistencë për qytetarët në çdo hap të aplikimeve

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka vizituar zyrat e e-Shërbimeve, ku u njoh nga afër me punën që stafi kryen çdo ditë në mbështetje të qytetarëve për marrjen e shërbimeve online dhe kryerjen e aplikimeve në portalin e-Albania.

Gjatë vizitës, Llatja pa nga afër procesin e asistimit të qytetarëve, duke u ndalur veçanërisht te shërbimi që u ofrohet pensionistëve dhe bashkëqytetarëve të rikthyer nga emigracioni gjatë periudhës së pushimeve. Stafi i E-Shërbimeve i asiston qytetarët në çdo hap të procesit, duke synuar që aplikimet të kryhen sa më shpejt dhe lehtë.

“Shërbimet duhet të jenë sa më pranë qytetarëve dhe çdo qytetar që ka nevojë për asistencë duhet ta marrë atë në mënyrë të shpejtë dhe pa kosto”, u shpreh kryetari Llatja gjatë vizitës.

Zyrat e E-Shërbimeve janë në dispozicion të qytetarëve pranë ASHK-së, në rrugën “28 Nëntori”, si edhe pranë Bashkisë Elbasan, në rrugën “11 Nëntori”. Asistenca për përdorimin e portalit e-Albania ofrohet gjithashtu në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Elbasan, duke e bërë shërbimin më të aksesueshëm për çdo qytetar.