Author: Bashkia Elbasan
Komisioni Evropian akordon çmim për Kryetarin e bashkisë Elbasan
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja është vlerësuar nga Komisioni Europian me çmimin “Kryetari më miqësor me romët 2022”. Për herë të parë Bashkimi Europian akordon një çmim të tillë, për Bashkitë e vendit tonw. Është vlerësuar Bashkia Elbasan pasi gjatë viteve të fundit, i është dhënë një prioritet Komunitetit Rom, në gjithpërfshirje, duke arritur rezultate të dukshme në proçeset vendimmarrëse lokale, investimet në infrastrukturë, arsim dhe punësim. Sot fëmijët Rom, frekuentojnë rregullisht shkollën, të rinj e të reja janë të punësuar në administratë publike, dhe jo vetëm, njëri prej të cilëve është edhe anëtar i Këshillit Bashkiak, ç’ka e ka fuqizuar komunitetin për të ndikuar në vendimmarrjet publike. “Në tre vitet e fundit, nga koha kur jam zgjedhur Kryetar i Bashkisë së Elbasanit, kam patur mundësinë të kontribuoj dhe të dëshmoj arritjet në rigjallërimin dhe zhvillimin e minoritetit Rom. Mandatin tim e kam nisur me hartimin dhe vënien në zbatim të Planit Vendor për Integrimin e Minoriteteve Rome dhe Egjiptiane 2019-2022. Një dokumenti prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës”, tha në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja. Çmimi “The Most Roma Friendly Mayor” vjen si një përpjekje dhe punë e stafit të Bashkisë si edhe e partnerëve lokalë të cilët kanë punuar për të ndërtuar një mjedis ku të gjitha minoritetet të mësojnë, zhvillohen dhe përdorin gjuhën e tyre amtare. Duke ju drejtuar anëtarëve të Parlamentit Europian, Llatja renditi edhe disa sfida të cilat mund të përballohen përmes ndjekjes së një strategjie gjithpërfshirëse, siç janë, arsimi dhe dialogu ndërkulturor, punësimi dhe arsimi profesional, lufta kundër gjuhës së urrejtjes, kujdesi shëndetësor, strehimi dhe integrimi urban etj. Elbasani, një qytet krenar me një histori krenare, do të vazhdojë të mbështesë komunitetin Rom përmes angazhimit të vetë komunitetit, si edhe qytetarëve të angazhuar në kauzën e përbashkët. Bashkia Elbasan, është pjesë e Programit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “ROMACTED: “Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimit Rom në nivelin vendor”.
Konferenca ” Pushtet Vendor – Shoqëri Civile” për vullnetarizëm të qëndrueshëm lokal
Në kuadër të Konsortiumit “Pushtet Lokal – Shoqëri Civile”, PVN Albania organizoi Konferencën e dytë Kombëtare: “Pushtet Vendor – Shoqëri Civile2.0″ për Vullnetarizëm të Qëndrueshëm Lokal ku morën pjesë Kryetarë, Nënkryetarë, Drejtues Kabinetesh, Koordinatorë të vullnetarizmit dhe administratës nga 8 Bashkitë pilot, pjesë e kësaj iniciative. Ne kete konference ishte i pranishem edhe kryetari i Bashkisë Z Gledian Llatja i cili pohon se ” kjo konferencë erdhi me risi në Zgjerimin Lokal ku secilës prej 8 Bashkive pilot ju bashkuan aktorë lokal strategjik në nxitjen e vullnetarizmit lokal si: OSHC lokale, Zyra Vendore Arsimore; Shkolla të mesme, Universitete, Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësim; Qendra Rinore / Komunitare / Multidisiplinare, Institucione Shëndetësore dhe Prefektura. Në fokusin e kësaj konference ishte ndarja e modeleve të mira ndërkombëtare falë vizitës shumë të fryshme në Norvegji; modeleve rajonale falë bashkëpunimit dhe pjesëmarrjes së Regional Youth Cooperation Office – Ryco dhe atyre kombëtare falë kontributit të Leviz Albania, si edhe diskutime, analiza rreth kuadrit ligjor dhe perspektivave në vijim”. Kjo iniciativë vijon të jetë e qëndrueshme dhe vizionare falë bashkëpunimit gjithëpërfshirës ndërmjet aktorëve dhe veçanërisht angazhimit dhe vendosmërisë së Bashkive. Drejtoresha Ekzekutive e PVN Albania, Znj. Oltiana Rama theksoi se ” bashkëpunimi dhe dialogu ndërmjet institucioneve janë thelbi për përgatitjen e një terreni të qëndrueshëm, profesional dhe të sigurt për nxitjen e vullnetarizmit, derisa vullnetarizmi të bëhet mendësi dhe kulturë institucionale dhe individuale”. Sekretarja e Përgjithshme e Kongresi Rinor Kombëtar, Znj. Dafina Peci theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë së ketij bashkëpunimi dhe vijimin me hapa të qëndrueshëm të kësaj iniciative. Bashkitë ritheksuan se ky ridimensionim i vullnetarizmit kërkon angazhimin e të gjithëve, dhe Bashkitë kanë rol kyç për të mbështetur çdo hap dhe të kënë rol proaktiv duke përgatitur terren të përshtatshëm brenda institucionit por edhe duke adresuar gjithë sfidat në mënyrë të përbashkët. Ky konsortium ka lindur si nevojë dhe perspektivë e 17 viteve që PVN kontribuon në nxitjen e vullnetarizmit në vendin tonë. Që nga lancimi i kësaj iniciative më 08 Shtator 2021, konsortiumi ka bërë një rrugëtim shumë interesant dhe me impakt, duke kryer një analizim të thelluar të situatës së vullnetarizmit në Bashkitë Pilot, ngritur struktura apo vendosur punonjës të dedikuar për vullnetarizmin, ofruar trajnime kapacitet-ndërtuese për punonjësit e angazhuar në këtë çështje dhe filluar punën për hartimin e Planeve Vendore të Veprimit për Vullnetarizmin.
Llatja/ Fushbulli i largët, me urë dhe rrugë të rehabilituara
Vetëm pak muaj më parë Bashkia e Elbasanit bëri të mundur ndërtimin e pritës lumore në fshatin e largët Fushbull të Njësisë Administrative Shushicë, ndërsa ditën e sotme, ky fshat ka edhe një urë të re si edhe rehabilitimin e një segmenti rrugor. Ditën e sotme, kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja ka parë nga afër urën e re të fshatit Fushbull i cili në kushtet që ishte po rrezikonte të izolonte 1500 banorët e asaj zone. “Sot qendra e Njësisë Administrative është më afër falë investimit që Bashkia bëri për ndërtimin e urës së re. Ky investim ishte një shqetësim i kahershëm për banorët e zonës, ne u njohëm pak muaj më parë kur ndërtuam pritën lumore të lumit Shushicë. Në një kohë rekord arritëm të rehabilitojmë një pjesë të segmentit rugor, si edhe ndërtuam urën e re. Tashmë banorët e fshatit lidhen lehtësisht me qendrën e Shushicës”, tha Z. Llatja. Investimi për ndërtimin e urës së re, u arrit edhe falë bashkëpunimit me biznesin si edhe komunitetin, ku tashmë 1500 banorët e këtij fshatit kanë një rrugë të kalueshme dhe një urë të re, e cili i vjen në ndihmë banorëve të fshatit Fushbull si edhe nxënësve të shkollës. Fushbulli është një fshat fundor, me problematika, por ka jetë, Kreu i Bashkisë Z. Llatja premtoi se Bashkia do ti mbështesë gjithmonë këta banorë. ” Ne do të përpiqemi maksimalisht për problematikat që banorët kanë kryesisht në infrastrukturë”, shtoi ai. Vetë banorët kanë falenderuar Bashkinë për këtë investim, pasi tashmë mjetet do të mund të kalojnë lehësisht, pa problemeve që shkaktonte përroi për shkak të rrugës dhe urës.
Java Europiane/ Llatja: Rinia, brezi më afër Europës!
Në kuadër të Javës së Europës, Bashkia Elbasan ka organizuar një sërë aktivitetesh, një ndër të cilat ishte edhe ajo me Këshillin Rinor Elbasan. Në këtë takim ku ka marrë pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, si edhe familjarë të familjeve të vjetra elbasanase, u diskutua për rëndësinë që ka bashkimi rreth vlerave e qëllimeve të përbashkëta për një kontinent e Botë më të mirë. Gjithashtu të rinjve të Këshillit Rinor ju prezantua historia e familjes Biçaku në Elbasan, që gjatë Luftë së Dytë Botërore u bë një strehë e sigurtë për 26 hebrenj në Elbasan. Traditë që u trashëgua dhe ditët e sotme, ku Elbasani u bë i pari qytet që hapi dyert dhe mikpriti sportistët ukrainas. Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja vlerësoi kontributin që Këshilli Rinor, por jo vetëm, edhe shumë të rinj të Elbasanit japin në fusha të ndryshme sociale të qytetit. Ndërsa e vuri theksin tek Java Europiane, Llatja pohoi se “ rrugëtimi ynë drejt familjes së madhe evropiane kalon gjithmonë nga gjenerata më e re. Çdonjëri nga ne e gjen veten në Europë. Jemi në kohë të vështira, edhe pse gati pas 100 vitesh kemi një luftë tjetër në Europë, është një situatë jo e këndshme për ne, për Europën, për politikat që ajo ka. Por, nëse ne kthejmë kokën pas në Luftën e Dytë Botërore, Shqipëria ishte krah aleatëve, kundër luftës, pro shteteve demokratike. Ne nuk duhet të harrojmë edhe holokaustin që ka ndodhur në Luftën e Dytë Botërore, prandaj duhet të jemi të fortë, ti themi njëzëri jo luftës, pasi ju jeni rinia, brezi më afër Europës. Historia e Familjes Biçaku në Elbasan është shembulli më i prekshëm se si ne shqiptarët gjithmonë jemi rreshtuar në anën e së drejtës dhe historia jonë dëshmon se jemi faktor i bashkëpunimit e prosperitetit rajonal”, tha Z. Llatja. Në fund të rinjve i janë shpërndarë edhe çertifikata vlerësimi me motivacionin “ për pjesëmarrjen në aktivitetet e Javës së Europës 2022″.
Llatja: Elbasani, qyteti që renditet me zero kultivim në hartën e kultivimit të lëndëve narkotike.
Sot, Elbasani renditet tek Bashkitë me zero kultivim të lëndëve narkotike dhe kjo është me të vëtetë një arritje.Në një takim në sallën e teatrit ” Skampa” për të inkurajuar strukturat lokale dhe nxitur bashkëpunimin e mirë të deritanishëm ndaj luftës së kultivimit të bimëve narkotike, kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja pohoi se: “kemi një sfidë të përbashkët ne si shoqëri, pa dallime për të luftuar kultivimin e kanabisit në shqipëri. Ne kemi fatin e mirë sepse jemi Bashkia me nivelin zero të kultivimit të lëndëve narkotike, por, ne duhet të jemi avangart në ruajtjen dhe monitorimin e territorit në të gjithë vendin, jo vetëm në qytet por edhe në fshatrat më të largët. Kemi zona të thella në Elbasan, kemi shtëpi të abandonuara si në qytet ashtu eshe në fshat, të cilat bëhen vatra të lëndëve narkotike ku kultivohen pa rënë në sy. Kjo luftë është e përbashkët, e pushtetit vendor, komunitetit të Elbasanit dhe të gjitha institucioneve të tjera. Ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për këtë luftë të vazhdueshme të komunitetit për të mirën tonë të përbashkët. Lufta kundër kultivimit të lënëve narkotike nuk është vetëm luftë e Elbasanit por e të gjithë Shqipërisë, e cila kërkon disponibilitet maksimal dhe bashkëpunim të gjitha strukturave. Një punë të rëndësishme në këtë proces kanë hallkat inspektuese, edhe pse me problematika për shkak të terrenit, por informacioni duhet te ndërlidhet dhe të veprohet sa më shpejt të jetë e mundur. OSHE ka një rëndësi të madhe në luftën kundër kanabisit, pasi aty ku konstaton konsum të lartë energjie dhe ka dyshime duhet të ndërhyjë në bashkëpunim me kryepleqtë dhe strukturat përkatëse. Nëse kemi dyshime për kultivimin e lëndëve narkotike duhet të jemi ne të parët që duhet të ngrijmë zërin. Elbasani ka pasur dhe ka një traditë që nuk e ka kultivuar lëndën narkotike dhe duhet ta vazhdojmë këtë traditë. Ne kemi një bashkëpunim të mirë me strukturat me drejtin e Policisë së shtetit, shërbimet përkatëse informative, shefat e komisariateve, të gjithë bashkë ne jemi një strukturë” . Sipas kreut të Bashkisë ” parandalimi i kultivimit të lëndëve narkotike është shprehje e vendosmërisë sonë për t’i dhënë fund këtij kërcënimi që shkakton dëme të pamatshme për mijëra përdorues individualë, që shkatërron familje, që kërcënon strukturën morale të shoqërisë sonë si edhe dëmton ekonominë e ndershme.Puna e institucionit që unë drejtoj është e shtrirë në disa drejtime, siç është edhe mbështetja dhe fuqizimi i të rinjve. Bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare të tilla si projekti RAYS (i mbështetur nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar), është vetëm një nga shembujt se si ne mbështesim të rinjtë që të mos angazhohen në sjellje kriminale. Gjithashtu, investimet e zhvilluara në sport, art, kulturë dhe punësim ndihmojnë në arritjen e qëllimit tonë të përbashkët. Nëpërmjet kësaj qasjeje ne kemi mundësinë që të trajtojmë shkaqet që i shtyjnë shumë të rinj drejt konsumimit të lëndëve narkotike.Gjatë vitit të kaluar, në kuadër të luftës kundër kultivimit të lëndëve narkotike janë ushtruar kontrolle në të gjithë territorin e Bashkisë Elbasan. Gjatë kësaj periudhe punonjësit e Policisë Bashkiake janë vënë në mbështetje të Njësive Administrative dhe Kryetarëve të fshatrave me qëllim evidentimin e serave, tuneleve, vendstrehimeve nëntokësore, magazinave, shtëpive dhe objekteve të braktisura, etj… Ne do të vazhdojmë të punojmë edhe më fort jo vetëm për të parandaluar kultivimin e lëndëve por edhe identifikimin e hotspoteve të përdorimit të lëndëve narktoike. Në muajt në vijim ne do të vazhdojmë me ushtrimin e kontrolleve për kultivimin e lëndëve narkotike. Në këtë kontekst do të kërkoja nga të gjithë ju angazhimin maksimal dhe koordinimin e punës për të rritur sa më shumë efikasitetin në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike.Unë u kërkoj burrave dhe grave guximtare të agjencive tona ligjzbatuese, prokurorisë dhe gjyqësorit si edhe të gjithë bashkëpunëtorëve tanë që të mos lëkunden kurrë në detyrën e tyre të vështirë, por edhe shpërblyese. Tashmë kemi arritur shumë në këto vite të fundit dhe mund të arrijmë më shumë në vitet e ardhshme.Ne duhet të qëndrojmë të palëkundur në fushatën tonë jo vetëm duke intensifikuar operacionet tona kundër kultivimit trafikimit të lëndëve narkotike por dhe duke trajtuar shkakun rrënjësor të abuzimit dhe varësisë nga droga.Dhënia fund e kultivimit të lëndëve narktoike do të thotë të sigurojmë të ardhmen e qytetit tonë. Së bashku, le të mundësojmë trashëgiminë më të madhe që mund t’u lëmë pas fëmijëve tanë dhe brezave pasardhës, NJË SHOQËRI PA DROGË- përfundoi fjalën e tij kryetari Llatja.Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga institucionet e rëndësishme të qytetit, si prefektja znj. Majlinda Perriu, përfaqësues nga policia z. Ardian Çipa, Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe prokuroria Elbasan z. Kreshnik Ajazi, Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan si dhe kryepleqtë e Njësive Administrative të bashkisë Elbasan.