Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Bashkia Elbasan bashkohet me nismën për ndërgjegjësimin dhe mbështetjen e personave me demencë

Bashkia Elbasan i është bashkuar nismës së Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” për ndërgjegjësimin mbi demencën, në kuadër të Muajit Botëror të Alzheimerit dhe Konferencës Përfundimtare të COST Action CA21137 – Ethics in Dementia (EDEM).

Në mjediset e Fakultetit u prezantuam shërbimet sociale dhe komunitare që Bashkia Elbasan ofron për personat që jetojnë me demencë dhe familjet e tyre. Nisma shoqërohet gjithashtu me veprimtari ndërgjegjësuese përmes mediave, rrjeteve sociale dhe komunikimit me komunitetin.

I pranishëm në konferencë, Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja theksoi se bashkia Elbasan mbetet e angazhuar për forcimin e shërbimeve sociale dhe komunitare, si dhe për bashkëpunimin me institucionet akademike dhe shëndetësore, me qëllim për të qenë më pranë çdo familjeje që ka nevojë.

Pjesë e programit të konferencës ishte edhe një sesion në gjuhën shqipe, i cili krijoi një hapësirë diskutimi ndërmjet akademikëve, profesionistëve shëndetësorë dhe socialë, përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe komunitetit.

Në fokus të kësaj nisme është kujdesi ndaj personave me demencë, mbështetja e familjeve të tyre dhe nevoja për forcimin e shërbimeve dhe ndërgjegjësimit në nivel vendor.