Bashkia Elbasan dhe GIZ, bashkëpunim për projekte të reja në zhvillimin e qytetit
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka pritur në zyrën e tij Drejtoreshën e GIZ për Shqipërinë, znj. Jule Petra Schultz, me të cilën diskutoi mbi bashkëpunimin e deritanishëm dhe projektet e përbashkëta që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.
Gjatë takimit u prezantua puna e realizuar në kuadër të projekteve që Bashkia Elbasan zbaton në bashkëpunim me GIZ, në fusha të rëndësishme si mobiliteti i qëndrueshëm dhe transporti publik, eficienca e energjisë, mbrojtja e mjedisit dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike. Në këtë kuadër u veçuan projektet SUMP, SUTi, ALBAdapt dhe CliMobility.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe mundësive për zgjerimin e mëtejshëm të partneritetit në fusha si transporti, turizmi, bujqësia dhe zhvillimi ekonomik vendor, me synimin për të sjellë mundësi të reja investimi dhe zhvillimi për Elbasanin.
Partneriteti me GIZ dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë mbeten një mbështetje e rëndësishme për realizimin e projekteve konkrete, në funksion të një Elbasani më të gjelbër, modern dhe të qëndrueshëm.