Buxhetimi me pjesëmarrje në Gjergjan, qytetarët përcaktojnë prioritetet për 2027.

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje vijoi në Njësinë Administrative Gjergjan, ku banorët diskutuan dhe përcaktuan prioritetet për investimet që kërkojnë të përfshihen në Buxhetin 2027. Problematikat dhe nevojat e komunitetit janë në fokus të këtyre takimeve, me qëllim që investimet të orientohen drejt kërkesave konkrete të banorëve.
Në takimin me qytetarët, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se investimet e realizuara në territor kanë ardhur edhe si rezultat i kërkesave të vetë komunitetit, duke përmirësuar infrastrukturën dhe cilësinë e jetesës në fshatra.
“Është zëri juaj që ka sjellë investimet. Problemet që keni ngritur janë kthyer në investime konkrete në infrastrukturë dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës”, u shpreh Llatja.
Ai përmendi ndër të tjera ndërhyrjet për pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve vaditëse e kulluese, mbështetjen për fermerët përmes krijimit të Shoqërisë së Bashkëpunimit Bujqësor për grumbullimin e prodhimit dhe uljen e kostove, si dhe punën për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
Llatja u ndal gjithashtu te investimet në arsim dhe krijimi i kushteve më të mira për fëmijët, përfshirë terrenet sportive dhe projektet për rikonstruksionin e plotë të shkollave.
“Duam të vazhdojmë të bëjmë punë të mira, ashtu siç kemi bërë deri tani. Pjesëmarrja juaj e madhe më bind se, së bashku, kemi ecur dhe do të ecim përpara”, tha Llatja.
Takimet e buxhetimit me pjesëmarrje do të vijojnë edhe në njësitë e tjera administrative dhe rajonet e Bashkisë Elbasan, ku qytetarët do të kenë mundësi të paraqesin kërkesat dhe prioritetet e tyre për Buxhetin 2027.