Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Buxhetimi me pjesëmarrje në Shirgjan, nga pika e grumbullimit te investimet në infrastrukturë dhe arsim

Buxhetimi me pjesëmarrje ka vijuar në Njësinë Administrative Shirgjan, ku qytetarët kanë pasur mundësinë të shprehin kërkesat dhe problematikat e zonës së tyre, por edhe të votojnë për prioritetet që kërkojnë të shndërrohen në investime gjatë vitit 2027.

Gjatë takimit me banorët, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u ndal te projektet e nisura në zonë, veçanërisht në mbështetje të bujqësisë dhe fermerëve.

“Ne kemi filluar një sërë projektesh dhe kemi hapur bashkërisht edhe një Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor, ku Bashkia e Elbasanit ka krijuar një shoqëri e cila është pjesë e të gjitha SHBB-ve që janë krijuar”, tha Llatja.

Një nga nevojat kryesore të evidentuara nga fermerët është krijimi i një pike grumbullimi. Për këtë, Bashkia e Elbasanit po punon për hapjen e një pike grumbullimi e cila do të menaxhohet nga Bashkia.

“Ne po bëjmë në Thanë një magazinë të madhe me pika frigoriferike që do të menaxhohen nga Bashkia e Elbasanit. Nuk do të jetë një sipërmarrje private. Ka dy ambiente të cilat do t’u jepen me qira të gjithë fermerëve, me një çmim preferencial për anëtarët e SHBB-së”, u shpreh kryebashkiaku.

Në fokus të takimit ishte edhe infrastruktura rrugore, ku banorët përcaktuan përmes votës prioritetet e tyre për vitin e ardhshëm.

“Uroj që rruga e Kasallarëve të dalë fituese sot nga ky buxhetim dhe vitin tjetër ta kthejmë në investim, ashtu siç kemi bërë të mundur me buxhetimin e vitit të kaluar edhe investimin në rrugën e Ballsit, edhe ajo një rrugë me problematika e cila kërkonte një investim dhe shumë shpejt fillon”, tha ai.

Një tjetër projekt i rëndësishëm lidhet me arsimin.

“Ne kemi një projekt për shkollën e Kuqanit, i cili uroj shumë që të arrijë të financohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, ashtu siç, në fakt, kemi investuar shumë në infrastrukturën arsimore gjatë këtyre viteve në të gjithë Bashkinë Elbasan”, u shpreh Llatja.

Duke folur për prioritetet e Bashkisë, kryebashkiaku theksoi se investimet në rrugë, infrastrukturë dhe arsim janë pjesë e rëndësishme e projektbuxheteve.

“Ne sot flasim për investime në të gjithë fshatrat tanë, për investime konkrete në rrugë, infrastrukturë dhe infrastrukturën arsimore. Në projektbuxhetet tona i kemi dhënë vëmendje të posaçme arsimit, sepse për ne, të rrisim një brez të shëndetshëm me një infrastrukturë arsimore bashkëkohore është kryesore”, tha Llatja.

Takimi në Shirgjan u zhvillua me pjesëmarrje të gjerë të komunitetit, ku një pjesë të rëndësishme e përbënin të rinjtë dhe nxënësit e shkollave.

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje vijon në Bashkinë e Elbasanit, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të shprehin drejtpërdrejt kërkesat dhe problematikat e zonave të tyre dhe të përcaktojnë, përmes votës, prioritetet që do të jenë në vëmendje për investime gjatë vitit 2027.