Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

Pelegrinazh në ditën e shenjtë të Shën Joan Vladimirit

Çdo vit, në ditën e shenjtë të Shën Joan Vladimirit, qindra besimtarë nga fe të ndryshme mblidhen në manastirin e tij për të festuar “Ditën e Mirëkuptimit dhe Harmonisë”. Pelegrinazhi i përvitshëm mbledh besimtarë jo vetëm nga rrethi i Elbasanit, por edhe nga qytete të tjera të vendit dhe rajonit.

Dita e 4 Qershorit festohet çdo vit si një festë pagane për banorët e fshatit Shijon, ku besimtarët nderojnë figurën e Shën Joan Vladimirit. Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i shoqëruar nga përfaqësues të pushtetit local si edhe deputetë, tha se “shenjtori na bashkon të gjithëve. Çdo herë që vijmë në Manastir dhe shohim miq nga i gjithë Ballkani, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja, Serbia, na mbushet zemra me gëzim. Këto aktivitete dhe lidhjet historike që kanë pasur popujt tanë me figurat e krishtërimit, na bashkojnë dhe forcojnë lidhjet ndërmjet popujve.”

Në Bradashesh, rreth 4 kilometra larg Elbasanit, ndodhet fshati Shijon. Historia e vendbanimit daton rreth viteve 1010 – 1020, kur Shën Joan Vladimiri predikoi ritet e fesë ortodokse. I përbërë nga rreth 200 familje ortodokse, banorët e këtij fshati ndihen me fat që mbajnë emrin e shenjtit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Manastiri u dogj, por banorët e rindërtuan atë.

Shën Joan Vladimiri, i lindur në fshatin Vladimir të Krajës në Malin e Zi, jetoi në shekullin e XI. Ai themeloi manastire, kisha dhe institucione bamirësie, duke kontribuar në përhapjen e besimit të krishterë. Eshtrat e tij u ruajtën në Malin e Zi dhe më vonë u transferuan në Durrës dhe më pas në Manastirin e Shijonit, ku u bë një qendër e rëndësishme pelegrinazhi.

Sipas legjendave, Shën Joan Vladimiri u martua me Kozarën, vajzën e carit bullgar Samuel. Pas një ftesë të zakonshme për një gosti, Gjon Vladimirit iu pre koka. Legjenda thotë se ai udhëtoi me kokën e prerë në prehër deri në vendlindjen e tij. Eshtrat e tij u ruajtën dhe u vendosën në Manastirin e Shijonit, ku u bënë shumë mrekullira me të sëmurët që preknin lipsanin e tij të shenjtë.

Dita e 4 Qershorit, dita kur Shën Joan Vladimiri u vra, është shpallur festë e Njësisë Administrative Bradashesh. Manastiri i Shijonit mbledh besimtarë nga e gjithë zona dhe rajoni, duke u bërë një simbol i bashkimit dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve të Ballkanit.

Hapet bazilika paleokristiane e Elbasanit një destinacion i ri për vizitorët

Mozaiku i bazilikës paleokristiane të Elbasanit është i hapur për vizitorët prej gati një muaji, duke shtuar një monument të rëndësishëm kulture të kategorisë së parë në ofertën turistike të Elbasanit.

Me qindar vizitorë, si edhe vetë qytetarët elbasanas kanë vizituar këtë bazilikë, e cila është zbuluar në vitin 2007 dhe shpallur Monument Kutlure në vitin 2010, ku sipas historianëve dëshmon lashtësinë e qytetit të Elbasanit.

Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, në qendër të qytetit, fare rastësisht, u zbuluan themelet e një mozaiku të lashtë.

  Specialistët e arkeologjisë e vlerësuan këtë si një ndër zbulimet më të rëndësishme. Gjatë gërmimeve të para, një grup arkeologësh zbuloi dy varre në një thellësi prej mbi tre metrash, të cilat i përkasin shekullit të V.

Studimet paraprake tregojnë se bazilika ka përmasa të mëdha, dhe aktualisht është zbuluar një pjesë e Naosit dhe e Nefit jugor. Muri që kufizon Nefin jugor është i zbukuruar me afresk, i cili ruhet mirë.

  Mbi dyshemenë e bazilikës janë gjetur fragmente të një amfore nga Gaza e Palestinës, duke treguar se bazilika paleokristiane është shkatërruar përfundimisht në fundin e shekullit të gjashtë ose në fillimin e shekullit të shtatë të erës sonë.

Arkeologët që kanë studiuar murin janë shprehur se “ai nuk i përket xhamisë së Namazgjasë, por mendohet të jetë muri i një kalaje të vjetër që i përket periudhës paraosmane.

Kreu i Agjencisë së Kulturës dhe Turizmit në Elbasan, Artur Guni, deklaroi se “në plan është vijimi i gërmimeve, pasi bazilika është në një sipërfaqe më të madhe dhe ende e pazbuluar tërësisht.

Bazilika paleokristiane e zbuluar në vendin e quajtur “Rrapi i Bezistanit” në Elbasan është një nga monumentet më të vjetra të kultit ortodoks të zbuluara në Shqipëri, ku ruhet mirë një mozaik i tillë.

QERSHI DHE DASHURI, NJË TRADITË NË GODOLESHIN PIKTORESK

Festa e Qershisë ka mbledhur qindra qytetarë elbasanas por edhe shume turiste në Godoleshin piktoresk, ku ky frut i bukur dhe shumë i dashur për të gjithë kultivohet në këtë zonë.

Kjo festë është kthyer në një traditë të rëndësishme që organizohet çdo vit më 1 Qershor nga Bashkia e Elbasanit.

Në këtë ditë të veçantë, zona e Godoleshit transformohet në një panair plot ngjyra dhe shije, ku vizitorët mund të shijojnë qershitë e freskëta dhe produktet e ndryshme të përgatitura nga ky frut.

 Gjithashtu, panairi ofron punime artizanale të realizuara me mjeshtëri nga zonjat e zonës, duke sjellë një atmosferë të gjallë dhe autentike për të gjithë pjesëmarrësit. Nuk mungojnë as gatimet tradicionale dhe një gamë e gjerë aktivitetesh, duke përfshirë koncerte dhe valle popullore.

Kryetari i Bashkisë, edhe këtë vit, falenderoi punëtorët e palodhur të zonës së Godoleshit, duke iu uruar një prodhim të mbarë dhe fitime sa më të mëdha nga tregtimi i qershive. Ai theksoi se kjo zonë është në kulmin e sezonit dhe ka një rëndësi të madhe për ekonominë e zonës.

Godoleshi, me peizazhin e tij të mrekullueshëm, është një nga fshatrat e zonës që prodhon mijëra tonë qershi. Për banorët, ky frut është burimi kryesor i të ardhurave dhe siguron jetesën e tyre.

Festa e Qershisë është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar prodhimin lokal dhe për të forcuar komunitetin, duke sjellë së bashku njerëzit në një atmosferë festive dhe plot gëzim.

1 QERSHORI/ ELBASANI PLOT ME FËMIJË DHE ATMOSFERË FESTIVE

Sot, qyteti i Elbasanit u kthye në një ditë të veçantë, për të festuar 1 Qershorin, festën e fëmijëve në një atmosferë plot ngjyra dhe kënaqësi.

Bashkia e Elbasanit nën thirrjen e kryetarit, organizoi festën më të madhe me një sërë aktivitetesh që gëzuan fëmijët e qytetit.  

Në Parkun “Qemal Stafa”, atmosfera festive i ndie kudo, duke krijuar një ambient plot gëzim dhe energji pozitive.

Fëmijët, të veshur si për një ditë të vërtetë vere, ishin protagonistët kryesorë të festës, me buzëqeshjet dhe lumturinë e tyre të pasqyruar në çdo cep të qytetit. Rrugët e Elbasanit u mbushën me fëmijë të lumtur, duke marrë pjesë në aktivitete dhe lojëra të ndryshme të organizuara për ta.

Kreu i bashkisë, z. Llatja, uroi të gjithë fëmijët, duke theksuar se kjo ditë nuk përfaqëson vetëm dhënien e dhuratave për fëmijët, por edhe vlerësimin e rëndësinë e tyre, pasi ata janë e ardhmja dhe motivi i jetës së prindërve.

 Z. Llatja deklaroi se kjo festë sinjifikon gëzimin për një të ardhme me sa më shumë lumturi dhe dashuri për fëmijët.

Kjo ditë festive tregoi edhe një herë përkushtimin e bashkisë Elbasan për të krijuar një mjedis të lumtur dhe të sigurt për fëmijët, duke i bërë ata të ndihen të veçantë dhe të vlerësuar në çdo moment.

INAGUROHET FUSHA SPORTIVE NË SHUSHICË, INVESTIM I BASHKISË ELBASAN

Pas një kërkese komunitare u inaugurua fusha sportive në Shushicë, një investim i Bashkisë së Elbasanit.

Inivestimi përfshin fushën e minifutbollit, basketbollit, dhe kalcetos, dhe është gati të përdoret nga nxënësit dhe banorët e zonës.

Drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri, kryetari i bashkisë Gledian Llatja si edhe deputetja e zonës Desantila Tahiraj, shprehën gëzimin për hapjen e kësaj fushe sportive.

Kreu i bashkisë Gledian Llatja theksoi rëndësinë e këtij projekti për nxënësit që dëshirojnë të vazhdojnë aktivitetet sportive edhe jashtë orarit shkollor.

“Përfundimi i fazës të projektit bëri që Shushica të përfitojë një fushë minikalceto dhe basketbolli e cila është gati për përdorim. Fushat e reja janë shumë më tepër se thjesht një ambient sportiv. Ato janë një qendër komunitare, e cila do të shërbejë jo vetëm për aktivitete sportive, por edhe si një vend ku të rinjtë dhe fëmijët mund të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të kalojnë kohën në një mënyrë aktive dhe argëtuese”, tha Llatja.

 Ai vuri në dukje përpjekjet e Bashkisë për të përmirësuar infrastrukturën shkollore dhe u shpreh i lumtur që kërkesat e komunitetit janë plotësuar me sukses.

“Prioriteti ynë kryesor janë edhe infrastrukturat shkollore jo vetëm terrenet sportive. Kemi shtuar terrenet sportive gjatë kësaj kohe në shkollat tona, dhe në ambjentet tona të përbashkëta, duke shpresuar se në vitin 2025 do të kemi një program të madh për rehabilitimin e infrastrukturës sonë shkollore.

 Deri tani kemi bashkëpunuar me “Save the Children” dhe “Usaid” për të investuar në nëntë kopshte në qytet por edhe në nëntë shkolla në qytet dhe në zonat tona rurale” tha ai.

Nga ana e tij, drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri e vuri theksin tek

përpjekjet e vazhdueshme të bashkisë së Elbasanit për të ndërtuar mjedise të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe arsimore për të rinjtë e komunitetit.

“Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, e mban premtimin përtej fushatës, duke sjellë inovacione të vazhdueshme. Investimet në infrastrukturë, si terrenet sportive të reja, shënojnë një angazhim të vazhdueshëm për përparimin e komunitetit” tha ia.

Gjiknuri theksoi rëndësinë e këtyre iniciativave për të rriturit dhe fëmijët, duke e parë fshatin si një qendër jetike e zhvillimit.

“Ky angazhim kontribuon në rritjen e jetueshmërisë së fshatit dhe në përmbushjen e potencialit të tij njerëzor dhe ekonomik, gjëja më e mirë është që fshati nuk është braktisur, këtu ka njerëz, ka potencial, por duke pasur potencial njerëzor edhe potencial ekonomik, duke i shtuar edhe këto fasilitete në arsim por edhe në argëtim fshati bëhet më i jetueshëm”, tha Gjiknuri.  

Ai inkurajoi vazhdimin e këtij rrugëtimi nga ana e bashkise, duke shfaqur besimin në ringritjen e Elbasanit jo vetëm në sportin e futbollit por në të gjithë disiplinat.

Desantila Tahiraj, deputete e zonës, shprehu falënderimin për investimin në terrenin sportiv, duke e cilësuar si një hap pozitiv për zhvillimin e fëmijëve në këtë komunitet.

Shkolla e Shushicës, është një ndër shkollat tona më të mëdha në zonat rurale. Para dy vitesh në këtë zonë është hapur një projekt në bashkëpunim me Bashkinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, për fëmijët të cilët duan të vazhdojmë mësimin edhe jashtë orarit të shkollës.

TË FESTOJMË BASHKË NË 1 QERSHOR

Një ditë e posaçme është në horizont, dhe fëmijët e qytetit janë të ftuar për të marrë pjesë në një festë të paharrueshme.

  Lojra të këndshme, muzikë dhe surpriza të shumta po presin vogëlushët tanë në këtë ditë të veçantë.

 Nuk është një ditë që duhet humbur, por një mundësi për të krijuar kujtime të paharrueshme, për të përjetuar gëzimin dhe argëtimin së bashku.

 Prandaj, bëhuni gati për një ditë plot aventura dhe kënaqësi, sepse 1 Qershori është për ju, fëmijët e dashur të Elbasanit!

TË GËZOJMË SË BASHKU FESTËN E QERSHISË

Ju ftojmë të na bashkoheni për një festë të mrekullueshme të Qershisë më 1 Qershor, ora 18:00. Do të jetë një festë e gëzueshme me muzikë live, ushqime të shijshme dhe aktivitete argëtuese.

Qershia është fruti i shijshëm i verës, dhe kjo festë është një mundësi për të festuar bukurinë dhe shijen e saj!

Për të mos humbur këtë festë të mrekullueshme, na bashkohuni më 1 Qershor, ora 18:00. Ju premtojmë një festë plot kënaqësi!

Ju presim me padurim!

Bashkia Elbasan.

Llatja/ Punimet për përmirësimin e furnizimit me ujë 24 orë në Elbasan vazhdojnë me sukses

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, ka inspektuar nga afër punimet e shtrirjes së kanalizimeve që po kryhen në të gjithë qytetin, me synimin për të siguruar ujë të pijshëm 24 orë në ditë. Ky projekt është një kërkesë e kahershme e banorëve të qytetit dhe tani po bëhet realitet falë investimeve nga KFV gjermane dhe qeveria shqiptare.

“Ka qenë një domosdoshmëri të kemi ujë 24 orë në qytetin e Elbasanit. Ky projekt i shumëpritur na ka hapur rrugën për të pasur ujë të pijshëm 24 orë në disa lagje të qytetit. Kemi më shumë se 6 muaj që kemi filluar projektin dhe punimet po ecin mirë. Shpresojmë që rrugët të kthehen në gjendjen e mëparshme sa më shpejt, pasi kemi krijuar ngarkesa për qytetarët për shkak të hapjes së shumë kantierëve njëkohësisht,” tha z. Llatja.

Në lagjet kryesore si “Aqif Pasha”, “Qemal Stafa”, “28 Nëntori”, dhe pjesë të lagjes “Haxhias”, punimet po shkojnë mirë dhe sistemi i furnizimit me ujë po rregullohet plotësisht. Synimi është që deri në maj të vitit 2025, gjysma e qytetit të ketë ujë të pijshëm 24 orë, duke vazhduar më pas me pjesën tjetër të qytetit dhe periferitë.

Z. Llatja theksoi se tubacionet kanë qenë të vjetruara dhe ndërhyrjet e paligjshme kanë sjellë humbje të mëdha në rrjet. Me sistemimin e linjave kryesore dhe sekondare, pritet që problemet e ujit të pijshëm të zgjidhen për një periudhë afatgjatë. Ky investim do të rrisë numrin e abonentëve dhe do të eliminojë nevojën për depozitat e ujit në katet e larta.

“Në bashkëpunim me Ujësjellësin dhe qeverinë shqiptare ne do të vazhdojmë edhe me një projekt tjetër për të siguruar edhe periferinë me ujë 24 orë.  Një pesë e tubacioneve kanë qenë të vjetëruara, janë bërë punime vit pas viti por nuk është përkthyer gjatë të gjithë kësaj kohe në investime në ujësjellës. Ishte e domosdoshme që ne të bëjmë rrjetin e ujësjellësit dhe të mos ndërhyjmë më këtu në 20 vitet e ardhshme. Zhvillimi kaotik që ka pasur shqipëria në përgjithësi por edhe Elbasani në vecanti ka sjellë ndërhyrje të vazhdueshme në rrjetet tona sidomos në tubacionet kryesore të paligjshme, duke na sjellë një humbje të madhe në rrjet, ndaj ishte e domosdoshme që ne të bënim këto ndërhyrje në të gjitha linjat tona kryesore”, shtoi Llatja.

 Këto investime do të sistemojnë një herë e mirë problematika e ujit të pijshëm në qytet, duke hequr edhe depozitat në katet e larta të pallateve të vjetra, pasi kanë qenë edhe shumë problem për banorët.

“ Uroj që sa më shpjet rrugët të kthehen ashtu si kanë qenë, pasi ne kemi bërë shumë punë në Elbasan dhe më vjen keq që i rihapim sërisht këto rrugë për t’i shtruar me tubacione të standarteve europiane”, shtoi Llatja.

Deputetja Evis Kushi konfirmoi se furnizimi 24 orë me ujë të pijshëm ka qenë një nga premtimet kryesore të mandatit të tyre. “Elbasani është kthyer në një kantier të madh, dhe kjo tregon angazhimin tonë serioz për një projekt të integruar dhe të qëndrueshëm, nga i cili do të përfitojnë të gjithë banorët,” tha ajo.

Deri tani janë kryer 1.5 km punime dhe do të vazhdohet me 3.5 km të tjera vetëm në këtë rajon, duke përfshirë edhe 400 metra tubacion kryesor. Punimet po kryhen në të gjithë Elbasanin dhe pritet që investimi të përfundojë në kohë dhe të ketë një ndikim pozitiv në furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit.

Kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja prezanton një super lajm për banorët e lagjes “Vullnetari”

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, ka prezantuar një super lajm për banorët e lagjes “Vullnetari”, të Njësisë nr 4. Elbasani do të bëhet qyteti i parë në Shqipëri që do të zbatojë eficiencën e energjisë në të gjitha godinat e kësaj lagjeje. Ky projekt është pjesë e iniciativës së 100 qyteteve që Bashkia Elbasan ka me BE-në, ku lagjja do të shërbejë si model për eficiencën energjetike në banesa. Lagjja përfshin pallate të vjetra parafabrikat, ndërtimet para dhe pas viteve ’90, si dhe shtëpi të vogla.

“Tani do të fillojmë një projekt për të parë sa është eficienca e energjisë në këto pallate dhe çfarë duhet të bëjmë që t’i rregullojmë dhe ta bëjmë lagjen model,” tha z. Llatja. Ai shtoi se fillimisht po vazhdojmë me pjesën e infrastrukturës, duke mbyllur disa problematika në të gjithë lagjen “Vullnetari”, dhe po përgatitemi për investime në zonën e “Haxhias” me riasfaltimet. Në këtë zonë është ndërtuar edhe qendra shëndetësore gjatë pandemisë, ndërsa tani do të fillojmë me investimet e tjera.

“Elbasani është kthyer në një kantier të madh ndërtimi. Punimet po vazhdojnë në lagjen ‘Haxhias’ për të vijuar në lagjen ‘Vullnetari’, ku punimet pritet të përfundojnë në qershor. Kemi trashëguar një infrastrukturë problematike për këmbësorët në lagjet tona të brendshme. Kemi bërë shumë ndërhyrje në sheshet e pallateve, jo vetëm në infrastrukturën rrugore, por edhe në trotuare. Kemi ecur me asfaltimet e rrugëve dhe po ecim paralelisht edhe me sistemimin e trotuareve,” tha z. Llatja.

Shumë rrugë të brendshme të lagjeve kanë qenë me trotuare të pashtruara.

Kryetari bëri të ditur se ka nisur një projekt për të vazhduar dhe lidhur trotuaret me zonat informale, si dhe zonat e vjetra periferike të Elbasanit për t’i sistemuar të gjitha. E gjithë puna po bëhet me ndërmarrjen e shërbimeve publike, që nga ndarja e fshatit me qytetin, duke filluar me një ritëm të ri të punëve publike.

 Prioriteti janë trotuaret në qytet, duke bërë shumë investime për të mbyllur zonat problematike që kanë qenë pa trotuare që para viteve ’90. Qëllimi është të përmirësohet cilësia e jetesës së banorëve.

Banorët falënderuan kryetarin për investimet dhe angazhimin e treguar.

Llatja njofton hapjen e mësonjëtores së parë të gjuhës shqipe në universitetin ‘New York’ të Athinës”

Kryetari i Bashkisë, z. Gledian Llatja, nga Athina, bëri një njoftim të rëndësishëm për komunitetin shqiptar. Ai bëri të ditur hapjen e mësonjëtores së parë të gjuhës shqipe në prestigjiozin Universitet “New York” në Athinë.

Ky hap paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për nxënësit dhe të rinjtë shqiptarë në Greqi për të mësuar dhe për të njohur më shumë për gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare. Ky është një hap i rëndësishëm drejt promovimit të identitetit dhe trashëgimisë kulturore të komunitetit shqiptar nëpër botë.

Kjo mësonjëtorë do të ofrojë një ambient të stimulueshëm për të mësuar gjuhën shqipe, dhe do të kontribuojë në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës sonë të dashur në një mjedis të arsimimit të lartë në Athinë.

Në një ceremoni të veçantë, Kryetari i Bashkisë, z. Gledian Llatja, nga Athina, ka bërë një njoftim frymëzues për komunitetin shqiptar.

 Hapja e mësonjëtores së parë në gjuhën shqipe, e quajtur “Kostandin Kristoforidhi”, në universitetin ‘Neë York’ të Athinës, shënon një hap të rëndësishëm drejt promovimit të kulturës dhe identitetit shqiptar në Greqi.

Rreth 30 nxënës do të marrin pjesë në këtë iniciativë të re, ku do të mësojnë gjuhën shqipe dhe do të njihen me kulturën dhe traditën e vendit tonë. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të rinjtë shqiptarë në Athinë për të ruajtur trashëgiminë e tyre kulturore dhe për të ndjekur rrugën drejt njohjes së mëtejshme të identitetit të tyre kombëtar.

Kryetari Llatja shprehu gëzimin për hapjen e kësaj mësonjëtores, duke e cilësuar si një hap madhështor përpara për komunitetin shqiptar në Greqi. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe trashëgimisë kulturore, duke e vlerësuar këtë iniciativë si një domosdoshmëri për të rinjtë tanë.

“Shoqatat kulturore kanë luajtur një rol të rëndësishëm në realizimin e kësaj iniciative, duke siguruar dokumentacionin ligjor për hapjen e këtyre kurseve. Mësonjëtora “Kostandin Kristoforidhi” do të jetë një vend i mirëpritur për nxënësit, duke ofruar një ambient të stimulueshëm për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe”, tha Llatja.

Ky hap shënon një moment të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Athinë, duke i dhënë fëmijëve dhe të rinjve një mundësi të shkëlqyer për të njohur më shumë për origjinën dhe trashëgiminë e tyre kulturore.

Me një iniciativë të Shoqatës së Elbasanit, Bashkisë dhe Këshillit të Qarkut, dhe me mbështetjen e komunitetit shqiptar në emigracion, ky hap shënon një ngjarje historike dhe të paharrueshme për komunitetin shqiptar në Athinë, i cili përkon edhe me 115 vjet Normale.