Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

Homazhe në kujtim të dëshmorëve të atdheut, në 79 vjetorin e çlirimit të Elbasanit

Në kuadër të 79 vjetorit, ditës së Çlirimit të Elbasanit, janë kryer homazhe në lapidarin kushtuar Partizanëve të Brigadës së XV Sulmuese.

Në këtë 79 vjetor, kryetari i bashkisë, deputetë, veteranë, familjarë të dëshmorëve të rënë, si edhe qytetarë kanë vendosur kurora me lule për nder të kësaj dite.

Fjala e kryetarit të Bashkisë Z. Gledian Llatja

Të nderuar Veteranë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare!

Të nderuar deputetë

Të nderuar qytetarë dhe qytetare të Elbasanit,

Kam nderin, bashkë me ju të përkujtojmë sot pas 79 vitesh çlirimin e Elbasanit.

Kjo ditë ka një rëndësi të madhe pasi ne nderojmë sakrificat e të gjithë atyre që luftuan për lirinë . Sot ne festojmë lirinë tonë. Kjo është një ditë e shënuar për qytetin. Një ditë historie, shprese, kujtimi dhe vendosmërie, premtimi dhe mundësish.

Ndërsa mblidhemi këtu për të përkujtuar Ditën e Ҫlirimit të Elbasanit, zemrat tona mbushen me krenari dhe mirënjohje për shpirtrat e guximshëm që luftuan pa pushim për të çliruar atdheun tonë. Falë luftës dhe kontributit të tyre të pakushtëzuar Elbasani u bë gur themeli i lirisë së vendit.

Qyteti ynë u çlirua nga pushtuesit nazistë gjermanë më 11 nëntor të vitit 1944. Për çlirimin e tij u angazhuan forcat partizane të Brigadës XV, nga rradhët e së cilës dhanë jetën 23 partizanë.

Mbi 300 veta dhanë jetën gjatë viteve të Luftës Antifashiste. Vetëm nga rradhët e normalistëve ranë në luftën për çlirim mbi 70 dëshmorë. Shumë të tjerë u vranë, u internuan dhe torturuan, në burgjet dhe kampet e përqendrimit.

Dita e Ҫlirimit përfaqëson triumfin e trimërisë, menҫurisë dhe shpirtit këmbëngulës e luftarak të popullit tonë. Lufta për Ҫlirimin e Elbasanit ishte një luftë ku merita të padiskutueshme dhe heroike patën çetat partizane, si ajo e Çermenikës, e Martaneshit, Labinotit, Dumresë dhe Shpatit. Asnjë cep i Elbasanit nuk mbeti pa reaguar, të gjithë iu përgjigjën pushtuesit.

Në këtë rast historik, le të kujtojmë se liria është një dhuratë e çmuar që vjen me përgjegjësi. Gjithmonë do nderojmë  ata që na e dhanë atë.

Me krenari nderojmë sot të rënët elbasanas që 79 vjet më parë dhanë jetën për çlirimin e atdheut dhe e renditën Shqipërinë në anën e duhur të historisë.

Përkujtojmë çdo vit me përulje sakrificën e tyre.

Mirënjohje të përjetshme dëshmorëve tanë!

Buxhetimi me pjesëmarrje në Shirgjan: Zona e cila ka përfituar investime të rëndësishme në sektorin bujqësor

Gjatë takimit të Buxhetimit me Pjesëmarrje në Shirgjan u diskutua për sektorin bujqësor si potenciali më i madh ekonomik i kësaj zone. Fusha e Elbasanit mbetet një nga prodhuesit më të mëdhenj të prodhimeve bujqësore jo vetëm për tregun vendas, por me punën e tyre fermerët tashmë kanë kapur tregun ndërkombëtar.

“Sot që ne flasim kemi realizuar pastrimin e të gjitha kanakeve kulluese të para dhe të dyta, që janë të bashkisë dhe kemi ndihmuar edhe fermerët aty ku kemi gjetur mirëkuptimin për hapjen e kanaleve të treta. Ne, patjetër që kemi bërë dhe do të bëjmë maksimaumin tonë për t’u qëndruar pranë fermerëve, por absolutisht që nuk është mjaftueshëm me kërkesat që ka zona, dhe ne këtë e kemi kuptuar dhe e kuptojmë. Prandaj përpiqemi t’i japim gjatë të gjithë kohës maksimumin, por edhe përpiqemi t’i kushtojmë një vëmëndje të vecantë cdo fshati.

Sic kemi folur edhe bashkë para disa muajsh, për problemet kryesore që ne kishim për mirëmbajtjen e infrastrukturës tone ne kemi ndërrmarë tashmë hapin e parë, atë që patëm premtuar edhe në fushatën elektorale, ndarjen e ndërrmarjes së punëve publike” theksoi Kryetari i Bashkisë Z. Llatja duke shtuar edhe punën që është bërë për të krijuar Grupin e Veprimit Vendor Bujqësor. 

“Ne këtu kemi krijuar edhe një model të mirë dhe Elbasani është e para bashki që krijoi grupin e veprimit vendor bujqësor, që në një mënyrë është struktura organizative politikbërëse e organizimit bujqësor dhe politikave që ne do bëjmë bujqësore. Kjo është një formë e mirë që ne të thithim fonde, edhe fermerët të cilët janë pjesë e saj të thithin fonde për të zhvilluar bujqësinë.

Gjithashtu kemi filluar një strukturim të përgjithshëm në bashkinë e Elbasanit, strukturim administrativ dhe patjetër që kjo do të përkthehet edhe në një mirëmenaxhim.

Zona e Shirgjanit është një nga përfitueset e investimeve të rëndësishme, siç ishte unaza bujqësoreqë e afroi fermerin me tregun dukeua lehtësuar punën. Banorët nga ana tjetër kërkuan vijimin e punës për mirëmbajtjen dhe pastrimin e vazhdueshëm të kanaleve kulluese dhe vaditëse si dhe përfudnimin e procesit të azhornimit të tokave.

BUXHETIMI ME PJESËMARRJE NË NJËSINË NR 5:

LLATJA/ DO TË VIJOJMË ME SHUMË PROJEKTE NË VITIN 2024

Gjatë procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje në njësinë nr.5 në qytet Kryetari i Bashkië Z. Gledian Llatja vuri theksin tek investimet e kryera gjatë këtij viti, por sidomos projektet që bashkia ka për vitin e ardhshëm. Ai u kërkoi banorëve që në prioritet e tyre të vendosin të tjera investime, përveç atyre projekteve që aktualisht bashkia ka.

Ashtu si çdo vit, një zë i veçantë i buxhetit është i dedikuar për kërkesat që banorët i votojnë së bashku në procesin e buxhetimit dhe janë më emergjente për ta si komunitet.

“ Ende nuk kemi mbaruar punë, dhe tek Banesat që na kap edhe Rajoni i 4 dhe Rajoni i 5 -të, ende nuk kemi mbaruar.

Po përgatisim një paketë këtë vit për të gjithë rrugët e brendshme, për të gjithë sheshet dhe rrugicat, të investojmë në një pjesë dhe t’i mbyllim me blloqe. Një sërë investimesh janë të domosdoshme në Elbasan, ashtu sic kemi

për shkollat sic kemi për kopshtet, për cerdhet, dhe patjetër që këto do të jenë në fokusin tonë kryesor.

Jo vetëm infrastruktura rrugore, jo vetëm kanalizimet e ujrave të zeza, jo vetëm uji i pijshëm që tani fillon projekti i madh i KFV – së.

Ne kemi treguar që kemi një fokus të vecantë për zhvillimin infrastrukturor të Elbasanit dhe zgjidhjen e problemeve tona kryesore nëpër lagjet e Elbasanit” vuri në dukje kryebashkiaku.

E pranishme edhe deputetja e zonës Evis Kushi vlerësoi procesin e Buxhetimit si forma më demokratike e përfshirjes së qytetarëve, ndërkohë që falenderoi bashkinë për vëmendjen e veçantë dhe korrektësinë ndaj këtij procesi.

Banorët e njësisë Nr.5 në kërkesat e tyre u fokusuan në disa rrugica lagjesh dhe nëndërtimin e këndeve të lojërave për fëmijët.

BUXHETIMI ME PJESËMARRJE NË GJINARIN E TURIZMIT MALOR

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje, i cili starton cdo fundviti në Elbasan, ka vijuar në Gjinarin malor, apo sic njihet ndryshe, perla e turizmit të Elbasanit.

Gjatë një bashkëbisedimi me banorët e kësaj zone, kryetari i bashkisë Z. Gledian Llatja renditi të gjitha investimet që janë kryer gjatë kësaj periudhe.

 “Aktualisht po punojmë për rivitalizimin e qendrës së Gjinarit që do t’i sjellë një zhvillim zonës duke afruar gjithnjë e më shumë turistë vendas e të huaj, si një model i turizmit elitar për zhvillimin e ekonomisë rurale”.

Buxhetimi me Pjesëmarrje është kthyer në traditë në Bashkinë e Elbasanit, ku buxheti i Bashkisë ndahet në mënyrë të drejtë në bazë të prioriteteve që vetë banorët  i vendosin.

BUXHETIMI ME PJESËMARRJE NË SHUSHICË: LLATJA/ SHUSHICA, ME POTENCIAL TË MADH ZHVILLIMI

Gjatë procesit të Buxhetimit me pjësëmarrje banorët e Shushicës u ndalën në prioritetet dhe nevojat e tyre për vitin e ardhshëm, por gjithashtu falenderuan bashkinë për investimet e deritanishme dhe vizionin e së ardhmes i cili e ktheh Shushicë në lagje të Elbasanit.

Teksa para disa vitesh flisnim për prita lumore, tha Kryetari i Bashkisë Z. Llatja, sot flasim për investime të mëdha, si ura e Byshekut, apo automotoparku i cili do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në këtë zonë.

“Jeni një komunitet i mirë, punëtor, me kërkesa, me halle shumë, por që dalëngadalë, po arrijmë drejt zgjidhjes. Kur kam ardhur për herë të parë këtu para pesë vitesh për buxhëetimin me pjesëmarrje, problemi kryesor ishte prita lumore, pastrim përrenjsh, rregullim rrugësh, mirëmbajtje me çakull, kanalet kulluese, kanalet vaditëse.

Polis Tuda një nga problemet kryersore, për një pjesë të madhe të njësisë, nuk po flas vetëm për një fshat.

Po zhvillojmë projektet në Shushicë, duke filluar që tek pritat lumore, nga Ura e Shkumbinit deri tek pylli Aluvjan, që një herë e mirë na stabilizon të gjithë pjesën e problemeve që kemi pasur me tokat bujqësore të zonës së Shushicës.

 Kemi pasur ndërhyrje edhe në Polis për pritat lumore, kemi ndërhyrë në përrenj, dhe në çdo fshat për zgjidhje problematikash, por kemi parë edhe pjesën e zhvillimit.  Kemi bërë dy rrugët paralele kryesore të pazarit, por edhe rrugën tjetër tek rezervat e ushtrisë, por edhe tek pjesa e rrugës së varrezave, e cila ishte një kërkesë e kahershme e banorëve të zones” tha Llatja ndërsa shtoi vizionin e tij i cili po konkretizohtet tashmë.

“Kur flisnim përpara katër vitesh për Automoto Parkun, për zhvillimin që do të merrte Shkumbini, për Urën e Bushekut, për by – passin, dhe për të gjithë këto projekte të mëdhaja, të gjithë thshin se do të kishte ndonjë shans, se do të bëheshin këto prita lumore.

 Por ne, po ecim me projektet e tona për zhvillimin e madh të Elbasanit, po ecim me projektin e madh të By-Passit, me projektin e madh të Automoto Parkut, me projektin e Urës së Bushekut, të zhvillimit të bulevardit të Elbasanit që të na vijë deri tek pjesa poshtë e Bushekut.

Ndërhyrja e fundit që kam kërkuar me Autoritetin Rrugor Shqiptar për pjesën e projektit dhe ato problematika që na takonin ne përsa ndërthuremi me infrastrukturën, kërkova që Ura e Bushekut të bëhet me katër korsi dhe jo siç ishte me një tunel, por të bëhet me dy tunele nga dy korsi.”

Pikërisht për të vazhduar atë projektin që kemi në qytet që ta vazhdojmë bulervadin kryesor deri afër Krastës, Automoto Parkut dhe pse jo të sjellim edhe këtu një rrugë të mrekullueshme mes përmes Shushicës, për të zhvilluar edhe këtu një ambjent të zhvilluar dhe pse jo të jetë një pjesë e urbanizuar, dhe një pjesë satelit të qytetit. Ne kemi një potencial të madh zhvillimi në Shushicë, e cila vjen nga Automoto Parku i Elbasanit por edhe nga by – passi i ri që po bëhet”

Ndërkaq kryetari i Bashkisë u kërkoi banorëve të votojnë prioritete e tyre më të mëdha siç janë ujësjellësi dhe rrugë pa u ndalur në rrugica të vogla të cilat do të kenë vëmendjen e ASHP-së.

BUXHETMI ME PJESËMARRJE NË NJËSINË NR 1

Buxhetimi me pjesëmarrje është ndalur në njësinë nr.1 ku u dëgjuan prioritetet e komunitetit për vitin 2024. Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja ka ndjekur personalisht çdo takim buxhetimi për t’u njohur me problematikat dhe shqetësimet e banorëve. Përveç investimeve që vetë pushteti vendor ka parashikuar në çdo zonë, prioritetet e votuara nga banorët marrin vëmendje të veçantë në investimet e vitit të ardhshëm. 

“Nuk e harroj, edhe në pandemi kur kemi bërë buxhetimin me pjesëmarrje, në lagje “41” sheshi i pallateve ka qenë një kërkesë e kahershme. Mbaj mend banorët që vinin dhe thonin se e kemi shtëpinë në qendër të qytetit dhe mbushemi me ujë deri në gjunjë në shtëpi, po ashtu kur flisnim për rrugët, për kanalizimet e Krastës, për mirëmbajtjet e rrugëve, për lagjet qëndrore tonat, apo për projektin që është duke u mbyllur, dhe shpresoj se shpejt të kemi procesin e shpronësimit në lagjen “ Kongresi i  Elbasanit”, të mbyllim këto problematika të vogla me shpronësimet, me qëllim që të vazhdojë projekti një herë e mirë për t’u mbyllur.

Nuk kemi mbaruar punë, kemi akoma shumë për të bërë, kemi për të rikonstruktuar “Luigj Gurakuqin”, shpresojmë shumë të gjejmë një mundësi financimi.

 E kemi bërë gati projektin e shkollës “Naim Frashëri”, presim që këtë vit me buxhetin e ri që të miratohet të financohet nga qeveria, sepse është një projekt i madh ne nuk ia dalim dot me buxhetin tonë të bashkisë, ta restaurojmë totalisht bashkë me shtesën që duhet, edhe për nxënësit që të mos bëhet mësimi me dy orare, por të kemi një ambient të mirë bashkohor.

Po ashtu edhe për rrugët dhe sheshet e pallateve që po investohet, ne sapo kemi marrë një lajm të mirë, një pjesë e pallateve tek rruga e Kinezëve, ose tek “Borodin Mitarja”, mbas nënkalimit që është bërë funksional do të bëjmë edhe një pjesë të mirë të fasadave me termoizolim, me kapotë, dhe me sisteme të përqendruara të shpërdarjes së ujit të pijshëm” theksoi Llatja. 

Kryetari i Bashkisë njoftoi qytetarët për planin e nisjes së shpejti t’ë aplikimit të kredive të buta për çiftet e reja.

 “Ndërkohë po bëhemi gati që këtë vit në buxhet të planifikojmë edhe kreditë e buta për shtresat në nevojë, për familjet e reja për ciftet e reja, edhe ky është një projekt social të cilin unë doja mbështetjen tuaj që ta bëjmë tek buxhetimin me pjesëmarrje.

Një gjë është e sigurtë, punët janë për ne dhe ne do t’i bëjmë.”

Buxhetimi me pjesëmarrje çdo vit përfshin banorët në vendimmarrje ndërsa Bashkia e Elbasanit është e para bashki që e ka nisur këtë proces më shumë se një dekadë më parë.

Buxhetimi me Pjesëmarrje: Llatja/ Qytetarët janë vendimmarrësit kryesor të investimeve në qytet

Ashtu si çdo fundvitit Bashkia e Elbasanit nisi takimet me komunitetin në çdo njësi administrative në kuadër të “Buxhetimit me Pjesëmarrje”. Tashmë prej më shumë se një dekadë buxhetimi me pjesëmarrje është parë si forma më demokratike dhe gjithpërfshirëse e qytetarëve në vendimmarje. Gjithnjë e më shumë pjesëmarrja e banorëve në këto takime shtohet duke folur qartë për efektshmërinë e këtij procesi.

Në takimin me banorë të njësisë nr.2 në qytet kryetari i Bashkisë Z. Llatja vuri në dukje investimet që janë bërë duke ftuar qytetarët që të përcaktojnë përparësitë e tyre për vitin e ardhshëm:

“Nuk e kishim bërë akoma palestrën gati, që ta bënim takimin tek palestra e re tek shkolla “Onufri”, kështu që ky është viti i fundit që do ta bëjmë këtë takim në këtë ambjent.

Më në fund kemi bërë një shkollë fantastike, që është shkolla e të gjithë artistëve të Elbasanit, nuk është vetëm shkolla e rajonit Nr 2, as e qytetit të Elbasanit, por është e të gjithë qarkut të Elbasanit, por edhe më gjerë. Ndaj e meritonim që të kishim një shkollë fantastike, shkollën “Onufri”, të rehabilituar, të rikonstruktuar dhe vitin tjetër besoj se Buxhetimin me Pjesëmarrje, do ta zhvillojmë aty, në një palestër moderne, e cila nuk do të jetë vetëm për shkollën, por edhe për komunitetin.

Kemi pasur një sërë investimesh që i kemi bërë bashkarisht, që ju i keni kërkuar në vazhdimësi, dhe ne kemi gjetur mundësi që disa t’i bëjmë me buxhetin tonë, disa t’i fusim tek FSHZH, disa të tjera me prioritetet e qeverisë, disa të tjera me projekte.

 Kemi bërë shumë punë të mira me riasfaltimet, me sheshet e pallateve, kemi bërë shumë punë të mira tek “Qemal Stafa”, “Brigada 17 Sulmuese”, tek “ Sul Paprri” , do të vazhdojmë akoma të bëjmë, të rregullojmë shkollat, infrastrukturën, të mbyllim edhe disa probleme që kemi pasur me kanalizimet e ujrave të zeza në zonat e tona, të mbyllim një nga zonat më problematike që kemi që është zona e “ Ish Pularisë”, për kanalizimiet e ujrave të zeza, për rehabilitimin e rrugëve.

 Por gjithashtu, edhe pjesët tona fundore. Ne jemi përpjekur që të jemi të drejtë edhe në ndarjen e investimit, si në qendër ashtu edhe në periferi, por edhe në zonat rurale.” tha Llatja

Kryebashkiaku Llatja ndau me banorët e njësisë nr.2 lajmin e mirë të implementimit të projektit për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit të qyteëtit të Elbasanit i cili do të realizohet falë bashkëpunimit me KFV gjermane.

“Shumë shpejt, brenda kësaj jave, ne fillojmë implementimin e projektit të madh që është me KFV gjermane, për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit të qyteëtit të Elbasanit.

 Është projekti më i madh që implementohet në Elbasan, do të kemi një zhvillim në shumë zonat tona, aty ku kemi pasur problematika me ujësjellësin, me ujin e pijshëm.

Do të kemi përsëri kantiere që po hapen, dhe përsëri gjatë këtij viti ne po planifikojmë të investojmë në rrugët për riasfaltimet, por edhe në sheshet e pallateve.

 Shumë punë kemi bërë, shumë punë na presin të bëjmë akoma, na presin që ne t’i bëjmë bashkë.

Dhe jemi pikërisht këtu sot për këtë, që qytetarët të flasin fjalën e tyre në bazë të zonave dhe pastaj të gjithë të votojmë prioritetet tona” shtoi Llatja.

Në këtë takim kryetari i bashkisë u shoqëruar nga deputeti Florenc Spaho, anëtarë të Këshillit Bashkiak dhe për t’u vlerësuar gjithnjë është pjesëmarrja e shoqërisë civile.

Flota e zjarrëfikëses, e angazhuar për shuarjen e flakëve në “Kurum”

Rreth orës 11 u njoftuam për rënien e zjarrit në pikën e grumbullimit të skrapit në kompaninë KURUM.

Bashkia Elbasan është angazhuar me urgjencë për shuarjen e zjarrit, duke vënë në dispozicion flotën e saj zjarrfikëse.

Aktualisht jemi duke punuar për shuarjen e zjarrit, që ështe vënë nën kontroll nga ana e shërbimit të MZSH-së.

SITUATA ME RESHJET NË ELBASAN

Shtabi i Emergjencave Civile po monitoron situatën në Bashkinë e Elbasanit.

Dje pasdite dhe sot priten reshje intensive. Reshjet do të shoqërohen me shtëngata në të gjithë vendin.

Për momentin nuk kemi asnjë raportim për problematika si në zonat rurale, ashtu dhe në zonën urbane.

Ekipet e bashkisë janë në terren, në komunikim të vazhdueshëm me strukturat lokale për të sinjalizuar dhe përballuar çdo të papritur.

U bëj thirrje banorëve të Elbasanit të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Nëse hasni ndonjë situatë emergjente, ju lutem kujdeseni për veten tuaj dhe për të tjerët.

Numri i emergjencave 08000911 është gati për t’ju ndihmuar dhe për t’ju ofruar këshilla në kohë reale.