Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

Rivitalizohet lulishtja “Valmi”, një hapësirë që mbart historinë dhe kujtesën e Elbasanit

Lulishtja “Valmi”, një nga hapësirat e njohura në zemër të Elbasanit, do të marrë një pamje të re përmes projektit të rivitalizimit, një ndërhyrje që synon jo vetëm përmirësimin urban të zonës, por edhe rikthimin e saj në funksion të qytetarëve.

E vendosur në një zonë me rëndësi historike për qytetin, lulishtja mban emrin Valmi, një emërtim që lidhet me kujtesën e hershme historike të Elbasanit. Në burimet historike përmendet edhe emërtimi “Qyteti i Valmëve”, përpara rindërtimit të qytetit dhe kalasë në vitin 1466, kur qyteti mori emrin Elbasan. Kjo e bën emërtimin e kësaj hapësire një element të veçantë të trashëgimisë dhe identitetit vendor.

Projekti parashikon largimin e strukturave të vjetra prej betoni dhe krijimin e ishujve të gjelbëruar, duke e shndërruar lulishten në një mjedis më estetik, të hapur dhe mikpritës për të gjitha grupmoshat.

Ndërhyrja, me autoritet kontraktor Këshillin e Qarkut Elbasan, synon t’i japë një tjetër dimension kësaj hapësire, duke ndërthurur përmirësimin e mjedisit urban me respektimin e historisë dhe identitetit të qytetit.

Buxhetimi me pjesëmarrje në Rajonin nr. 1, investime të reja në shkollën “Abdyl Paralloi” dhe rrugën e Krastës

Buxhetimi me pjesëmarrje vijoi në Rajonin nr. 1 të Elbasanit, ku banorët diskutuan mbi nevojat e zonës dhe investimet që parashikohen të përfshihen në Buxhetin 2027. Gjatë takimit, vëmendje iu kushtua investimeve të realizuara ndër vite, përmirësimit të infrastrukturës arsimore dhe sociale, si dhe projekteve të reja që pritet të nisin në këtë rajon.

Ndër investimet e reja janë rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Abdyl Paralloi”, ku projekti ka përfunduar fazën e përgatitjes

dhe janë hapur procedurat e prokurimit, si dhe ndërhyrja rrugore në lagjen Emin Matraxhiu, veçanërisht në zonën e Krastës, ku kanë përfunduar procedurat ligjore dhe pritet të mbyllet procesi i shpronësimit për nisjen e punimeve.

Gjatë takimit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vuri në dukje investimet e realizuara në Rajonin nr. 1, të cilat kanë ardhur edhe si rezultat i kërkesave të vetë banorëve përmes buxhetimit me pjesëmarrje. Ai u ndal veçanërisht te rikonstruksioni i palestrave dhe terreneve sportive pranë shkollës pedagogjike “Luigj Gurakuqi”, si dhe te investimet në arsim, shërbimet sociale dhe infrastrukturën rrugore.

Buxhetimi me pjesëmarrje vijon të jetë një proces ku qytetarët kanë mundësinë të shprehin shqetësimet e tyre, të propozojnë ndërhyrjet e nevojshme dhe të votojnë për investimet që do të përfshihen në Buxhetin 2027.

Palestra e shkollës “Luigj Gurakuqi”, ku u zhvillua takimi, ishte e mbushur me banorë, duke dëshmuar interesin e komunitetit për këtë proces dhe besimin te mundësia për të ndikuar drejtpërdrejt në përcaktimin e investimeve për zonën.

Elbasani mirëpret Kupën e Pavarësisë në volejboll, nga 27 deri më 29 nëntor në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani”

Elbasani do të jetë mikpritës i Kupës së Pavarësisë në volejboll, një aktivitet mbarëkombëtar që do të zhvillohet në datat 27, 28 dhe 29 nëntor, në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani”, me pjesëmarrjen e ekipeve nga Shqipëria, Kosova dhe Tetova e Maqedonisë së Veriut.

Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtij aktiviteti, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Kulturës dhe Sporteve, Artin Kovaçi, priti Presidentin e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe njëkohësisht Zv.Presidentin e KOKSH, Erlind Pëllumbi, si dhe Sekretarin e Federatës, Ervis Dosti.

Ky aktivitet pritet ta kthejë Elbasanin në një pikëtakim të rëndësishëm të volejbollit, duke promovuar sportin, bashkëpunimin dhe miqësinë mes sportistëve dhe ekipeve pjesëmarrëse.

Klubi Shumësportësh Elbasani vijon bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Volejbollit për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti, mbështetjen e talenteve të reja dhe organizimin e aktiviteteve me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare. Elbasani bëhet gati të mirëpresë një tjetër festë të bukur sportive.

Bashkia Elbasan përgatit dokumentacionin për bonusin e qirasë për 15 familjet e prekura nga shpërthimi në lagjen “Qemal Stafa”

Në bazë të ligjit 45 viti 2019 për Emergjencat Civile dhe VKM 384 datë 12.06.2019 Bashkia e Elbasanit është duke përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për trajtimin me bonus qiraje të 15 familjeve të prekura nga shpërthimi në lagjen “Qemal Stafa”.

Menjëherë pas mbërritjes së aktit të ekspertimit të Institutit të Ndërtimit, Këshillit Bashkiak do t’i kërkohet të kalojë me procedurë të përshpejtuar trajtimin me bonus qiraje.

Aktualisht në mbikëqyrjen e forcave zjarrfikëse banorët janë duke marrë sendet e tyre personale nga apartamentet.

Shërbimi Social pranë Bashkisë Elbasan gjithashtu ka vënë në dispozicion punonjësit socialë dhe psikologët për të qëndruar pranë banorëve.

Bashkia Elbasan në gatishmëri të plotë pas shpërthimit në pallatin në lagjen “Qemal Stafa”, vijon asistenca për familjet e prekura.

Rreth orës 14:30 të datës 4 nëntor 2026, në një pallat në zonën e Unazës së qytetit të Elbasanit ndodhi një shpërthim i fuqishëm, i pasuar nga rënia e zjarrit, i cili shkaktoi dëmtime të konsiderueshme në godinë dhe krijoi një situatë emergjente.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, strukturat e Bashkisë Elbasan, Shërbimi Zjarrfikës, Emergjencat Civile dhe Policia e Shtetit u angazhuan në terren për menaxhimin e situatës, evakuimin e banorëve dhe garantimin e sigurisë. 

Zjarrfikësja e Elbasanit ndërhyri që në momentet e para me 5 mjete dhe 25 punonjës. Më shumë se 10 banorë, kryesisht të moshuar dhe fëmijë, u evakuuan nga katet e larta të godinës përmes autoshkallës së emergjencës. Për shkak të përmasave të ngjarjes, operacionit iu bashkuan edhe forcat zjarrfikëse nga bashki të tjera.

Gjatë operacionit u identifikuan dy viktima, të cilat humbën jetën si pasojë e shpërthimit. Ndërkohë, 10 persona të tjerë morën ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit, kryesisht për shkak të asfiksisë, dhe më pas u rikthyen pranë familjeve të tyre.

Në orët e pasdites, operacionit iu bashkuan edhe Forcat e Armatosura, me dy ekipe kërkim-shpëtimi, të përbëra nga 17 persona, të cilët punuan për lokalizimin dhe nxjerrjen nga rrënojat e 69-vjeçarit. Për këtë qëllim u përdorën pajisje të specializuara, përfshirë kamera termike, kamera kërkimi, pajisje për prerjen e betonit dhe jastëkë ajri për ngritjen e peshave.

Pas ndërhyrjes së parë, inxhinierët kryen vlerësimin paraprak të godinës, duke evidentuar dëmtime strukturore dhe problematika që kërkonin masa të menjëhershme sigurie. Ekspertët e Institutit të Ndërtimit kryen gjithashtu inspektimin teknik të objektit dhe, sipas vlerësimit të tyre paraprak, pallati u konsiderua i pabanueshëm, duke kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për garantimin e sigurisë së banorëve dhe objekteve përreth.

Bashkia Elbasan ka marrë përsipër asistencën për familjet e prekura, duke vënë në dispozicion ambientet e saj të akomodimit. Familjet që nuk kishin mundësi të strehoheshin pranë të afërmve u sistemuan në konviktin e qytetit, ku iu siguruan ushqimi dhe kushtet e nevojshme për qëndrimin e tyre.

Gjithashtu, strukturat bashkiake, në bashkëpunim me Policinë dhe shërbimet e Emergjencave, kanë asistuar banorët në lëvizjen e sigurt drejt banesave, nën shoqërimin e forcave përgjegjëse, për të marrë dokumentet dhe sendet personale me vlerë.

Gjatë gjithë këtyre 24 orëve, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka ndjekur nga afër dhe në vijimësi situatën, duke qenë i pranishëm në vendngjarje dhe në komunikim të vazhdueshëm me strukturat përgjegjëse, ekipet e emergjencave dhe specialistët e Institutit të Ndërtimit.

Bashkia Elbasan i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e dy viktimave, ndërsa falënderojmë zjarrfikësit, punonjësit e emergjencave dhe efektivët e Policisë për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë operacionit.

“Mirënjohje dhe respekt për çdo zjarrfikës, punonjës të emergjencave dhe efektiv policie që dha maksimumin për të shpëtuar jetë në këtë situatë të rëndë.”

Bashkia Elbasan vijon angazhimin për mbështetjen e familjeve të prekura, garantimin e strehimit të tyre dhe koordinimin me institucionet përgjegjëse për marrjen e masave të mëtejshme.

Buxhetimi me pjesëmarrje  me të rinjtë, propozimet e tyre pjesë e prioriteteve për Elbasanin

Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje 2027 vijoi me të rinjtë e Elbasanit, duke u dhënë mundësinë të shprehin nevojat, idetë dhe propozimet e tyre për investimet dhe prioritetet që duhet të marrë në konsideratë Bashkia gjatë vitit të ardhshëm. Takimi, i zhvilluar në kuadër të vitit shkollor 2026–2027, u bë një hapësirë dialogu dhe bashkëbisedimi, ku të rinjtë u ftuan të artikulojnë lirshëm kërkesat e tyre dhe të bëhen pjesë aktive e vendimmarrjes vendore.

Drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit, Vella Llanaj Liço, theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në këtë proces, duke nënvizuar se buxhetimi me pjesëmarrje krijon mundësinë që nevojat dhe interesat e komunitetit të bashkërendohen me prioritetet e pushtetit vendor, në mënyrë që investimet publike të orientohen aty ku kërkohen më shumë nga qytetarët. Ajo i ftoi të rinjtë të shprehnin me përgjegjësi dhe pa hezitim idetë e tyre, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ka rinia në zhvillimin e shoqërisë.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u ndal te tradita e këtij procesi me të rinjtë dhe ndikimi që propozimet e tyre kanë pasur në investimet e realizuara ndër vite. Ai vuri në dukje  kërkesat e mëparshme të Këshillit Rinor për rikonstruksionin e shkollës “Onufri”, si dhe ndërhyrjet në shkollat “Konstandin Kristoforidhi” dhe “Dhaskal Todri”. Ndërkohë, bëri të ditur se shkolla “Vasil Kamami” pritet të nisë rikonstruksionin pas përfundimit të procedurave të prokurimit publik, ndërsa për shkollën “Ahmet Dakli” projekti është tashmë gati.

Llatja përmendi gjithashtu kërkesat e të rinjve për instalimin e paneleve fotovoltaike në shkolla, duke bërë të ditur se janë vendosur projekte për shtatë shkolla, ndërsa janë shtuar edhe tre të tjera dhe katër ndodhen në fazën e implementimit. Ai evidentoi edhe investimet e kryera në institucionet arsimore, si dhe projektin e Parkut “Dua të Luaj”, një kërkesë nga të rinjtë, i cili ofron hapësira për sport, argëtim dhe aktivitete komunitare, me fusha futbolli, tenisi e basketbolli, kënde lojërash për fëmijë dhe ambiente për të moshuarit.

Gjatë takimit u prezantuan edhe nisma të tjera të Bashkisë në mbështetje të rinisë, si programi TUMO, Zyra e Këshillimit të Karrierës, Programi Kombëtar i Praktikave të Punës dhe aktivitetet në fushën e sportit, kulturës, artit dhe vullnetarizmit.

Në këtë kuadër u prezantua edhe Plani Vendor i Veprimit për Rininë 2026–2030, i cili synon të përcaktojë drejtimet kryesore të ndërhyrjes në arsimim, punësim, pjesëmarrje dhe jetën kulturore të të rinjve.

Takimi u përmbyll me diskutimin dhe votimin e prioriteteve të propozuara nga të rinjtë, duke vijuar kështu procesin e Buxhetimit me Pjesëmarrje, ku zëri i komunitetit shndërrohet në propozime konkrete për investimet dhe zhvillimin e Elbasanit gjatë vitit 2027.

Këshilli Bashkiak miraton paketën e re të investimeve në infrastrukturë, arsim dhe shërbime publike

Këshilli Bashkiak Elbasan miratoi ndryshimet në fondet e investimeve të buxhetit të vitit 2026 dhe periudhës afatmesme 2027–2028, duke i hapur rrugë një pakete të re investimesh në infrastrukturën rrugore, institucionet arsimore dhe përmirësimin e shërbimeve publike në qytet dhe njësitë administrative.

Gjatë prezantimit të kësaj pike në Këshillin Bashkiak, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u ndal te projektet kryesore që përfshihen në ndryshimet buxhetore, duke vënë theksin te zgjidhja e problematikave infrastrukturore dhe përmirësimi i kushteve për komunitetin.

Një nga investimet kryesore është projekti për Kryqëzimin e Cërrikut, për të cilin janë kryer studimet dhe konsultimet publike, duke marrë në konsideratë edhe ekspertizën e Policisë Rrugore dhe institucioneve të transportit rrugor, me qëllim gjetjen e zgjidhjes më të përshtatshme për qarkullimin. Kryetari Llatja e cilësoi këtë nyje një problematikë të hershme për qytetin, ndërsa theksoi se projekti do të ndihmojë në përmirësimin e trafikut dhe ndërlidhjen me gjashtë njësitë administrative. Paralelisht, do të nisë puna për sistemimin e segmentit nga rrethrrotullimi i Bradasheshit deri te Rrethrrotullimi i Luleve, ndërsa Bashkia po merr përsipër edhe ndërhyrjet në akset e tjera që kanë kaluar në administrimin e saj.

Në paketën e investimeve përfshihet edhe rikonstruksioni i rrugës në zonën e Teqes, në segmentin e Korridorit VIII, nga dalja e qytetit, me synim krijimin e një lidhjeje të re që do t’i shërbejë lagjes “5 Maji”, zonës së Teqes, Urës së Sektorit dhe pjesës së sipërme të qytetit. Një tjetër ndërhyrje është shtrimi i rrugëve në parcelat e varrezave të reja, investim që parashikohet të nisë gjatë këtij viti.

Pjesë e kësaj pakete janë gjithashtu sistemimi i rrugëve dhe rehabilitimi i shesheve në lagje të ndryshme të qytetit. Në fushën e arsimit parashikohet ndërtimi i një godine të re për kopshtin e lagjes “Skënderbej”, një kërkesë e evidentuar nga komuniteti pas përmirësimeve të kryera në infrastrukturën e zonës. Ndërkohë, ka nisur investimi për ndërtimin e çerdhes së re nr. 6 në lagjen “Balashe”, një shërbim i konsideruar i nevojshëm për banorët e kësaj zone.

Një tjetër projekt i prezantuar nga kryetari Llatja është ndërtimi i tregut të fruta-perimeve në Njësinë Administrative Tregan, në një pronë të Bashkisë Elbasan. Investimi synon krijimin e një hapësire me kushte dhe parametra të përshtatshëm për tregtimin e produkteve bujqësore, ku do të përfshihen edhe ambiente shërbimi, si tualete dhe hapësira të tjera në funksion të fermerëve dhe qytetarëve.

Këto ndryshime buxhetore përfshijnë një sërë ndërhyrjesh të orientuara drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe shërbimeve, duke synuar t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve në qytet dhe në njësitë administrative.

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Bashkiak miratoi edhe Planin Vendor për Rininë 2026–2030, me një kosto të parashikuar prej rreth 22.6 milionë lekësh, i cili synon të krijojë më shumë mundësi për punësim, sipërmarrje, arsim, kulturë, sport dhe përfshirjen aktive të të rinjve në vendimmarrjen vendore.

THIRRJE PUBLIKE PËR PROJEKTE DHE IDE ARTISTIKEViti artistik 2027

Bashkia Elbasan, përmes Drejtorisë së Artit dhe Kulturës, fton subjektet dhe artistët me përvojë në veprimtari kulturore e artistike të aplikojnë me projektet dhe idetë e tyre.

Fushat e aplikimit përfshijnë produksione teatrore, aktivitete koncertore, projekte për trashëgiminë kulturore dhe promovimin turistik të Elbasanit, veprimtari verore në hapësira të hapura, si dhe projekte për përfshirjen dhe edukimin e të rinjve përmes artit.

Përparësi do t’u jepet projekteve që kanë financim nga ente publike ose private dhe kërkojnë bashkëfinancim të pjesshëm nga Bashkia Elbasan.

📅 Afati i aplikimit: 10–25 nëntor 2026
📍 Projektet dorëzohen në Protokollin e Bashkisë Elbasan ose në Teatrin “Skampa”.
📧 qendraartit_elbasan@outlook.com

Ftojmë krijuesit dhe subjektet artistike të bëhen pjesë e programit kulturor të Elbasanit për vitin 2027.

#BashkiaElbasan #ArtDheKulturë #ThirrjePublike #ProjekteArtistike #Elbasan

Thu’Je 2026 – Tre ditë dialog, besim dhe partneritet për një demokraci më të fortë në Elbasan

Jemi të kënaqur dhe thellësisht mirënjohës për këdo që bëri të mundur Edicionin e Parë të Thu’Je – Platformën për Demokraci dhe Paqe, duke ndihmuar në krijimin e një arene të re të fuqishme për dialog dhe një hapësirë qytetare më të fortë në Elbasan, Shqipëri.

Më 28-30 tetor, 55 veprimtari mblodhën së bashku më shumë se 70 organizata dhe institucione të shoqërisë civile, së bashku me akademikë, të rinj dhe partnerë ndërkombëtarë nga 25 vende anembanë Evropës. Përmes debateve, tryezave të rrumbullakëta, forumeve të hapura, punëtorive, ekspozitave, shfaqjeve dhe stendave të angazhimit qytetar, organizatave, institucioneve, medias dhe qytetarëve sollën përvojat, shqetësimet dhe propozimet e tyre në një hapësirë të përbashkët publike. Tre fjalë të përcaktuara Thu’Je: Dialog – Besim – Partneritet. Jemi mirënjohës që i sollëm në jetë gjatë këtyre tre ditëve.
Udhëtimi filloi vite më parë.

Ajo u rrit nga bashkëpunimi midis organizatave dhe institucioneve, me individë dhe të rinj në zemër të saj. Në vitin 2021, kjo çoi në një konsorcium organizatash dhe bashkish të punonin së bashku për vullnetarizëm të qëndrueshëm lokal. Në vitin 2022, gjatë një vizite në Norvegji me përfaqësues të bashkive shqiptare, përfshirë kryetarin e Elbasanit, z. Llatja, ishim dëshmitarë të një marrëdhënieje ndryshe mes qytetarëve dhe vendimmarrësve: më të afërt dhe më të hapur, ku pyetjet mund të shtroheshin drejtpërdrejt dhe dëgjoheshin zëri i qytetarëve.
Ne pyetëm veten: sa e vështirë do të ishte të sillnim këtë qasje në Shqipëri, duke marrë elementët e saj më të fortë dhe duke i përshtatur ato në kontekstin tonë? Ideja mbeti me ne. E kthyem në qëllim dhe gjetëm guximin dhe vendosmërinë për t’u përpjekur – për ta përshtatur dhe, pse jo, për të sfiduar mentalitetet dhe për të thyer tabu.
Sot, me mirënjohje për miqtë tanë norvegjezë që na frymëzuan për herë të parë, po e sjellim në jetë atë ide këtu në Elbasan, me pyetjet, sfidat dhe njerëzit tanë, dhe duke punuar për të ngritur një traditë të qëndrueshme.

Nuk e dinim që Thu’Je do të mbërrinte në një moment kaq të vështirë për Shqipërinë dhe Europën. Por demokracia në kohë krize testohet nga mënyra se si i trajtojmë zërat që na sfidojnë. Nga gatishmëria jonë për të dëgjuar shqetësimet, për të përballur pyetje të vështira dhe për të marrë përgjegjësi Besimi rritet kur qytetarët shohin se fjalët e tyre çojnë peshë. Kjo është përgjegjësia që Thu’Je merr përsipër.

Këto tre ditë ofruan një gamë të gjerë debatesh, tryeza të rrumbullakëta, aktivitete rinore, arte dhe ngjarje kulturore. Vlera e tyre, megjithatë, do të matet me atë që njerëzit heqin: një përgjigje, një bashkëpunim i ri ose një angazhim që ndiqet përmes.
Kjo është një hapësirë e pavarur qytetare, e hapur për pikëpamje dhe bindje të ndryshme. Falenderojmë Bashkinë Elbasan që hapi dyert dhe mbështet këtë hapësirë, duke i dhënë zë dhe dëgjim qytetarëve, dhe përqafuar një mënyrë ndryshe të të menduarit.
Faleminderit çdo qytetari, të riu, organizate, profesionist, moderator, panellist, përfaqësues mediash dhe bashkëpunëtor që morën pjesë dhe kontribuan përmes eventeve, ekspertizës dhe stendave.

Dua të falenderoj çdo anëtar të konsorciumit për besimin, profesionalizmin dhe vendosmërinë: Bashkinë Elbasan, Liburnetik, IRCA, Universitetin e Elbasanit, Bashkitë Arendal dhe Kristiansand në Norvegji, Universitetin Agder në Norvegji, dhe PVN Norvegji.

E fundit, por sigurisht jo më pak e rëndësishmja, ju përcjellim falënderimet tona të përzemërta stafit dhe vullnetarëve në të gjithë konsorciumin – një ekip i madh që punuan ditë e natë me durim, profesionalizëm dhe përkushtim për ta bërë Thu’Je realitet.

Thu’Je rikonfirmoi se ndryshimi bëhet i mundur kur njerëzve u jepet besim dhe hapësirë, kur bashkëpunimi në të gjithë sektorët është një vlerë e përbashkët dhe kur partneritetet janë të hapura. Thu’Je synon ta zgjasë këtë mundësi vit pas viti.

Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, vizitë në Bashkinë Elbasan

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, priti sot në ambientet e Bashkisë Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, znj. Sofia Moreira de Sousa.

Gjatë takimit u diskutua mbi rolin kyç të pushtetit vendor në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe angazhimin e Elbasanit në programin “Horizon Europe” dhe projekte të tjera të financuara nga BE-ja.

Këto programe përbëjnë mundësi të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve vendore dhe zhvillimin ekonomik e social, duke iu përgjigjur njëkohësisht sfidave mjedisore dhe nevojës për infrastrukturë të qëndrueshme.

Ambasadorja Moreira de Sousa e cilësoi takimin si një takim të frytshëm me Kryetarin e Bashkisë dhe ekipin e tij, duke vlerësuar rolin e bashkive në rrugëtimin evropian të vendit.

Ajo vlerësoi gjithashtu trashëgiminë e pasur kulturore të Elbasanit, duke theksuar se është një qytet ku ia vlen të rikthehesh.

 Nga ana e tij, Kryetari Gledian Llatja falënderoi Ambasadoren për vizitën dhe vlerësimin e punës së Bashkisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian për të vijuar projektet që kontribuojnë në zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e jetës së komunitetit.