Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

“Green Schoolyards”, një hap drejt edukimit të gjelbër në shkollat e Elbasanit

“Green Schoolyards” është projekti më i ri i nisur në shkollën “Sul Harri”, një nismë që synon të shtrihet edhe në shkolla të tjera të qytetit të Elbasanit.  Ky projekt shënon një tjetër hap konkret drejt përmirësimit të edukimit mjedisor dhe krijimit të hapësirave më të ndërgjegjshme për brezin e ri.

Në bashkëpunim me partnerët tanë, po zhvillojmë projekte me fokus edukimin mjedisor dhe mbrojtjen e natyrës në të gjitha shkollat e territorit të Bashkisë Elbasan, sepse besojmë se vlerat për kujdesin ndaj mjedisit kultivohen që në moshë të hershme.

 Kjo qasje synon të ndërthurë mësimin teorik me praktikat konkrete, duke i afruar nxënësit më shumë me natyrën dhe përgjegjësinë ndaj saj.

 Qëllimi ynë është të rrisim një brez më të ndërgjegjshëm, më të përgjegjshëm dhe më të angazhuar për mjedisin ku jeton, duke e kthyer shkollën jo vetëm në një hapësirë mësimi, por edhe në një model edukimi për të ardhmen. Përmes këtij projekti, shkolla merr një rol më aktiv si promotor i vlerave të qëndrueshme në komunitet.

Të investosh te fëmijët dhe te ndërgjegjësimi i tyre për natyrën, do të thotë të investosh te një Elbasan më i gjelbër dhe më i qëndrueshëm.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, pjesë e Forumit Kombëtar për Demokraci Lokale 2026

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, mori pjesë në panelin “Integrimi Europian dhe Demokracia Lokale” gjatë Forumit Kombëtar për Demokraci Lokale 2026, një platformë kyçe për dialogun mbi të ardhmen e qeverisjes vendore në Shqipëri.

Në këtë panel, u diskutua mbi rolin strategjik të bashkive në procesin e integrimit europian, forcimin e decentralizimit dhe sfidat e qeverisjes vendore në kuadër të reformave të reja. Bashkitë, si njësitë e para që zbatojnë reformën dhe standardet europiane, kanë një rol thelbësor në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, duke bërë bashkëpunimin institucional dhe shkëmbimin e përvojave një prioritet të domosdoshëm.

Faleminderit Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë për organizimin e këtij forumi të rëndësishëm dhe për mundësinë e shkëmbimit të eksperiencave mes autoriteteve vendore.

Rrëshkitje në rrugën e Tudanit, ndërhyrjet kryesore në verë

Bashkia Elbasan ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik në lidhje me rrugën e fshatit Tudan e cila ka pësuar rrëshkitje të konsiderushme të dherave.

Shirat që përfshinë të gjithë territorin në muajt Nëntor-Shkurt sollën problematika edhe në Bashkinë e Elbasanit.

Në fillim të muajit Janar Agjencia e Shërbimeve Publike dhe Emergjencat Civile, pranë Bashkisë së Elbasanit u njoftuan për bllokimin e një prej rrugëve që lidh fshatin Tudan.

Prej asaj kohe nga ekipet tona është ndërhyrë disa herë për pastrimin, ndërkohë që situata është përsëritur vazhdimisht. (Fotot bashkëngjitur).

Agjencia e Shërbimeve Publike tentoi të mbajë rrugën të hapur derisa situata u kthye në rrezik edhe për punonjësit duke u detyruar të largojmë makineritë për shkak të rrëshkitjes së vazhdueshme.

Të ndodhur në të tilla kushte, Bashkia e Elbasanit me shkresën e datës 16.01.2026, prot/190 ka kërkuar një vlerësim të specializuar nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar.

Ekspertët e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar kryen veprimet e nevojshme në terren (fotot bashkëngjitur) dhe në përgjigjen e tyre nr. prot.130/7 dt. 13.03.2026 theksojnë se nevojitet një studim i thelluar gjeologo-inxhinierik për të vlerësuar terrenin.

Nga studimi paraprak ekspertët rekomandojnë se gjatë muajve të verës, kur terreni të jetë plotësisht i tharë të punohet për stabilizimin e ujërave sipërfaqësorë (detyrë e cila është kryer tashmë me vendosjen e tubave) dhe të bëhet pastrimi i rrugës shoqëruar me një mur mbrojtës në pjesën e sipërme (ndërhyrje e cila mund të bëhet vetëm në muajt e verës).

Bashkia Elbasan mirëkupton shqetësimin e banorëve të Tudanit për përdorimin e këtij aksi më të shkurtër për ta. Por nga ana tjetër sqaron se fshati Tudan nuk është i bllokuar dhe aksesohet nga dy segmente të tjerë.

Aksi që lidh fshatin Tudan me qendrën e Njësisë Administrative, pra me të gjitha shërbimet shëndetësore, komunale etj është plotësisht e aksesueshme.

Bashkia Elbasan kërkon mirëkuptimin e banorëve për përdorimin e rrugëve të tjera, derisa kushtet atmosferike të lejojnë ndërhyrjet në këtë aks.

Edhe në të tilla kushte vendimin përfundimtar për stabilizimin e plotë të rrugës, do ta japë studimi i thelluar gjeologo-inxhinierik.

Mbetemi të palëkundur në bindjen tonë se siguria e përdoruesve të rrugës është e vetmja përparësi.

Rivitalizohen hapësirat mes pallateve në lagjen “5 Maji”

Bashkia Elbasan po shkon drejt përfundimit të një tjetër investimi të rëndësishëm për komunitetin, atë të rivitalizimit të shesheve mes pallateve në lagjen “5 Maji”, konkretisht në rrugët “Aleks Buda” dhe “Marije Dhamo”.

Ky projekt vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i kërkesave të banorëve, në kuadër të nismës “Buxhetimi me Pjesëmarrje”, duke reflektuar angazhimin e Bashkisë për të dëgjuar dhe për t’iu përgjigjur nevojave reale të qytetarëve.

Investimi pritet të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën e brendshme të lagjes, duke lehtësuar lëvizjen dhe duke krijuar hapësira më funksionale dhe më të sigurta për banorët. Rreth 2 mijë qytetarë janë përfitues të drejtpërdrejtë të këtij projekti.

Përveç ndikimit në përditshmërinë e komunitetit, ndërhyrja kontribuon edhe në rritjen e vlerës së pronës dhe zhvillimin e aktiviteteve ekonomike në zonë, duke sjellë një përmirësim të dukshëm të cilësisë së jetesës.

Bashkia Elbasan mbetet e përkushtuar për të vijuar me investime që vendosin në qendër qytetarin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të lagjeve.

Të rinjtë në nismë për mbrojtjen e ujit në Ditën Ndërkombëtare të Ujit

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Ujit, të rinjtë e Këshillit Rinor, në bashkëpunim me Drejtorinë e Mjedisit në Bashkinë e Elbasanit, u bashkuan jo thjesht për një aktivitet pastrimi, por për një kauzë që na përket të gjithëve, mbrojtjen e natyrës.

Në një nga zonat përgjatë lumit Shkumbin, ata përcollën mesazhe të forta për rëndësinë e ruajtjes së ujit si një nga burimet më jetike.

 Përmes këtij aktiviteti, të rinjtë treguan se janë energjia, ndërgjegjësimi dhe shembulli që i duhet komunitetit, sepse ndryshimi nuk pret, ai nis nga secili prej nesh.

Drejtoresha e Mjedisit në Bashkinë e Elbasanit, Lorena Haxhiymeri, u shpreh se aktivitete dhe iniciativa të tilla shërbejnë për të sensibilizuar qytetarët mbi rëndësinë e mbrojtjes së burimeve natyrore, veçanërisht të ujit, duke i mbajtur ato të pastra dhe duke i ruajtur për brezat që vijnë.

Së bashku për një mjedis më të pastër, më të shëndetshëm dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Elbasani në frymën e harmonisë: Gledian Llatja dhe ekipi politik urojnë Fiter Bajramin

Sot, me rastin e festës së shenjtë të Fiter Bajramit, kryebashkiaku Gledian Llatja, së bashku me ekipin politik të Elbasanit, përcollën urimet më të përzemërta për komunitetin mysliman dhe atë bektashi të qytetit.

Në këtë ditë të veçantë, ata u bashkuan në lutje dhe reflektim, duke uruar që çdo familje të ketë më shumë mbarësi, shëndet, paqe dhe lumturi. Fiter Bajrami është një moment që na kujton rëndësinë e solidaritetit, mirëkuptimit dhe dashurisë për njëri-tjetrin.

Elbasani mbetet një shembull i shkëlqyer i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, një vlerë e çmuar që e dallon qytetin tonë. Këtu, përfaqësuesit e besimeve të ndryshme jo vetëm respektojnë njëri-tjetrin, por edhe ndajnë së bashku gëzimet dhe festat, duke forcuar më tej lidhjet mes komuniteteve.

Në këtë frymë uniteti dhe respekti të ndërsjellë, urimet për Fiter Bajramin u përcollën me dëshirën që kjo festë të sjellë më shumë mirësi, begati dhe shpresë për të gjithë.

Gëzuar Fiter Bajramin!

Fitër Bajrami në Elbasan, mesazhe paqeje dhe harmonie

Pas një muaji agjërimi, reflektimi dhe sakrifice, sot besimtarët myslimanë falën Fitër Bajramin.
Kjo ditë e shenjtë u shënua me pjesëmarrje të madhe në sheshin e qytetit të Elbasanit, i cili u mbush me besimtarë të shumtë që u bashkuan në lutje dhe falënderim.

Mes tyre ishte edhe kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, i cili përcolli urimet e tij për të gjithë besimtarët myslimanë, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste si një moment bashkimi, solidariteti dhe shprese.

Le të jetë kjo ditë një fillim i ri për më shumë mirësi, paqe dhe harmoni në çdo familje, duke reflektuar vlerat më të mira njerëzore që kjo festë përcjell.

Arsimi profesional prioritet për të ardhmen e të rinjve

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me Kryetaren e Këshillit të Qarkut Ermira Urupi, zhvilluan një vizitë në Qendrën e Formimit Profesional Elbasan, në kuadër të aktiviteteve të muajit mars.

Gjatë kësaj vizite u theksua edhe një herë roli i rëndësishëm që arsimi profesional luan në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës, duke i pajisur ata me aftësi konkrete dhe të kërkuara nga ekonomia.

Një vlerë e veçantë e këtij institucioni mbetet fakti se Qendra e Formimit Profesional në Elbasan renditet ndër më të frekuentuarat nga nxënësit, duke dëshmuar rritjen e besimit ndaj arsimit profesional dhe rëndësinë që ai ka në ndërtimin e së ardhmes së tyre.

Bashkia Elbasan vijon të mbështesë nisma dhe institucione që kontribuojnë në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe rritjen e mundësive për të rinjtë, duke e konsideruar arsimin profesional një prioritet kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.

Të rinjtë që frymëzojnë, në Festivalin e Shkencës në Elbasan

Faza e dytë e Festivalit të Shkencës në Elbasan u zhvillua në një atmosferë plot energji, kreativitet dhe ide inovative, duke sjellë në vëmendje punën dhe përkushtimin e nxënësve dhe mësuesve të qytetit.

Në këtë aktivitet frymëzues morën pjesë Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, si dhe Drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit, Vesa Llanaj Liço, të cilët ndoqën nga afër prezantimet dhe projektet e të rinjve.

Festivali shërbeu si një platformë e rëndësishme për nxitjen e mendimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit mes nxënësve, duke dëshmuar potencialin e jashtëzakonshëm që kanë të rinjtë e Elbasanit.

Urime të gjithë nxënësve dhe mësuesve për angazhimin dhe pasionin e treguar! Bashkia e Elbasanit mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që promovojnë arsimin, teknologjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Makinat retro, nostaligji dhe elegancë në Ditën e Verës

Festimet e Ditës së Verës vazhdojnë edhe këtë të diel në Elbasan. Koleksioni i rrallë i makinave klasike retro është prezantuar sot në sheshin Gensher në qendër të qytetit, ku qytetarë dhe turistë të shumtë i kanë vizituar nga afër.

Ngjyrat, format karakteristike dhe historia që mbart çdo makinë krijuan një atmosferë nostalgjie dhe kurioziteti për të gjithë ata që u ndalën për t’i parë nga afër apo për të bërë fotografi. Ky aktivitet është kthyer tashmë në një traditë që i shton edhe më shumë hijeshi festimeve të Ditës së Verës në qytet.

Makinat retro u kthyen në një nga atraksionet më të veçanta të festës, duke sjellë një udhëtim simbolik në kohë dhe duke i dhënë Elbasanit një tjetër atmosferë në këtë ditë të veçantë pranvere.

Dita e Verës nuk është vetëm një festë është një simbol i pranverës, i bashkimit dhe i gëzimit që ndajnë njerëzit mes tyre.

Elbasani edhe këtë vit, u mbush me gjallëri, ngjyra dhe emocione, duke festuar mes qindra qytetarëve Ditën e Verës, një nga traditat më të bukura shqiptare. Rrugët e qytetit u kthyen në një skenë festive ku turistë dhe vizitorë u bashkuan për të shijuar atmosferën e veçantë që sjell kjo ditë.