Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

HAPJA E SEZONIT KURATIV NË LLIXHA, PROMOVOHET PËR HERË TË PARË EDHE PANAIRI I TRADITËS SË TREGANIT

Në hapjen e sezonit kurativ në Tregan, për herë të parë Bashkia Elbasan ka promovuar edhe panairin e turizmit kurativ në këtë zonë.

Llixhat e Treganit, janë të famshme në të gjithë Shqipërinë e më tej, për vlerat kurative që mbartin. Bashkia Elbasan për të promovuar më shumë këtë zonë, këtë vit ka promovuar edhe panairin ku banorët e zonës kanë shpalosur punimet e tyre artizanale.

Me qëllim kthimin në traditë të kësaj dite, kryetari i Bashkia Elbasan Gledian Llatja ka marrë pjesë në celjen e sezonit si edhe të panairit të parë në këtë zonë.

Tashmë në Llixhat e Elbasanit është kulmi i sezonit kurativ dhe nga viti në vit numuri i turistëve dhe pushesve që vijnë në këtë zonë ka ardhur në rritje. Për këtë qëllim, z. Llatja shprehu bindjen se edhe këtë sezon pritet të ketë një rritje të shtuar të turistëve dhe pushuesve.  

“Jemi në kulmin e sezonit, dhe presim të kemi një sezon të shtuar këtë vit, gjatë muajit maj dhe fillimit të qershorit, për t’u kthyer më pas fuqishëm në shtator- dhjetor, si sezonet tradicionale të turizmit kurativ në zonën e Treganit.

Ky është panairi i parë që ne promovojmë traditën kulturën por edhe bizneset e zonës së Treganit, kemi pasur një rritje të turistëve vitet  e fundit, si edhe rritjen e kapaciteteve të hoteleve në Tregan”, tha Llatja, ndërsa ka uruar që të gjithë turistët e ardhur nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi si dhe vende të tjera të kalojnë sa më mirë në Llixha por edhe në Elbasan.

Duke e vënë theksin edhe një herë tek asetet kulturore, ato të trashëgimisë, arkeologjisë etj, kreu i bashkisë ftoi të gjithë turistët që të njihen më nga afër me atraksionet turistike në Elbasan, duke filluar me Treganin, Gjinarin, Funarin por edhe qytetin e Elbasanit, jo vetëm me sitet e saj kulturore e arkeologjike por edhe kulinarinë si edhe turizmin që ofron qyteti.

Në Llixha trajtohen sëmundje të shumta të reumatizmës, rrugëve të frymëmarrjes, tensionit, të lëkurës etj. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera kozmetike gjithashtu.

Pranvera dhe Vera është pikërisht koha kur nis frekuentimi masiv i këtyre llixhave. Ato frekuentohen nga mijëra pacientë por edhe turistë në vit.