Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Homazhe në kujtim të dëshmorëve të atdheut, në 79 vjetorin e çlirimit të Elbasanit

Në kuadër të 79 vjetorit, ditës së Çlirimit të Elbasanit, janë kryer homazhe në lapidarin kushtuar Partizanëve të Brigadës së XV Sulmuese.

Në këtë 79 vjetor, kryetari i bashkisë, deputetë, veteranë, familjarë të dëshmorëve të rënë, si edhe qytetarë kanë vendosur kurora me lule për nder të kësaj dite.

Fjala e kryetarit të Bashkisë Z. Gledian Llatja

Të nderuar Veteranë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare!

Të nderuar deputetë

Të nderuar qytetarë dhe qytetare të Elbasanit,

Kam nderin, bashkë me ju të përkujtojmë sot pas 79 vitesh çlirimin e Elbasanit.

Kjo ditë ka një rëndësi të madhe pasi ne nderojmë sakrificat e të gjithë atyre që luftuan për lirinë . Sot ne festojmë lirinë tonë. Kjo është një ditë e shënuar për qytetin. Një ditë historie, shprese, kujtimi dhe vendosmërie, premtimi dhe mundësish.

Ndërsa mblidhemi këtu për të përkujtuar Ditën e Ҫlirimit të Elbasanit, zemrat tona mbushen me krenari dhe mirënjohje për shpirtrat e guximshëm që luftuan pa pushim për të çliruar atdheun tonë. Falë luftës dhe kontributit të tyre të pakushtëzuar Elbasani u bë gur themeli i lirisë së vendit.

Qyteti ynë u çlirua nga pushtuesit nazistë gjermanë më 11 nëntor të vitit 1944. Për çlirimin e tij u angazhuan forcat partizane të Brigadës XV, nga rradhët e së cilës dhanë jetën 23 partizanë.

Mbi 300 veta dhanë jetën gjatë viteve të Luftës Antifashiste. Vetëm nga rradhët e normalistëve ranë në luftën për çlirim mbi 70 dëshmorë. Shumë të tjerë u vranë, u internuan dhe torturuan, në burgjet dhe kampet e përqendrimit.

Dita e Ҫlirimit përfaqëson triumfin e trimërisë, menҫurisë dhe shpirtit këmbëngulës e luftarak të popullit tonë. Lufta për Ҫlirimin e Elbasanit ishte një luftë ku merita të padiskutueshme dhe heroike patën çetat partizane, si ajo e Çermenikës, e Martaneshit, Labinotit, Dumresë dhe Shpatit. Asnjë cep i Elbasanit nuk mbeti pa reaguar, të gjithë iu përgjigjën pushtuesit.

Në këtë rast historik, le të kujtojmë se liria është një dhuratë e çmuar që vjen me përgjegjësi. Gjithmonë do nderojmë  ata që na e dhanë atë.

Me krenari nderojmë sot të rënët elbasanas që 79 vjet më parë dhanë jetën për çlirimin e atdheut dhe e renditën Shqipërinë në anën e duhur të historisë.

Përkujtojmë çdo vit me përulje sakrificën e tyre.

Mirënjohje të përjetshme dëshmorëve tanë!