Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Llatja vlerëson investimet në infrastrukturën sportive në prag të Kampionatit Europian të Basketbollit në Elbasan

Kampionati Europian i Basketbollit U18 për djem, i cili do të mbahet në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” në Elbasan, është një ngjarje e rëndësishme për qytetin tonë.

 Në këtë kuadër, kryetari i bashkisë, z. Gledian Llatja, zhvilloi një bashkëbisedim me elitën e Klubit Shumësportësh në ambientet e ristrukturuara tërësisht të pallatit të sportit, duke falënderuar për punën e bërë dhe duke inkurajuar që ky kampionat të mos jetë i pari, por të sjellë të tjera të ardhme në Elbasan.

“Ky është aktiviteti i parë i madh ndërkombëtar që bëhet në Elbasan, por gjatë kësaj periudhe i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë të gjitha ambienteve tona sportive, sidomos Pallatit të Sportit ‘Tomorr Sinani’ dhe fushës së vjetër të sportit ‘Shefqet Lamcja’.

 Pallati i Sportit është një nga fokuset kryesore për rehabilitimin e tij. Këto ndërhyrje që kemi bërë bashkarisht kanë qenë të domosdoshme për ta rikthyer në shkëlqimin që ka pasur dhe pse jo ta kalojë atë,” tha z. Llatja.

Pallati i Sportit ka marrë një pamje të re dhe zhvillim infrastrukture me ambiente të përshtatshme, salla mbledhjesh, dhe një parket që përmbush standardet e kërkuara nga Federata e Basketbollit dhe ajo e Volejbollit. E gjithë infrastruktura që i shërben tifozëve është rikualifikuar. Kryetari Llatja theksoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe mbështetjen për sportistët e rinj.

“Vitet e fundit, sporti në Elbasan ka njohur një dimension tjetër. Kjo nuk ka ardhur vetë, por është bërë një punë e madhe nga ana jonë dhe ju. Dua t’ju falënderoj për punën e mirë që keni bërë dhe mbështetjen që i keni dhënë të rinjve dhe ekipeve tona. Ne jemi gati për Kampionatin Europian të Basketbollit U18 me ambientet tona dhe uroj shumë që të jemi kampionë,” shtoi ai.

Sa i përket akomodimit të ekipeve në Elbasan, z. Llatja pohoi se “po e presim me padurim Kampionatin Europian të Basketbollit që është një nga eventet kryesore, hotëlerinë e kemi, e cila ishte një nga kushtet që kërkohen, është shumë komode, kemi edhe zonën e Treganit që ka hotele shumë të mira, dhe në këtë periudhë që është kampionati është jashtë sezonit turistik, dhe ka mundësi të akomodojë të gjithë ekipet tona”.

Bashkia Elbasan ka dhënë të gjithë mbështetjen financiare që është kërkuar , dhe do të vazhdojë t’a japë për të gjithë pjesën e infrastrukturës  dhe terreneve sportive.

Në fund, kryetari i bashkisë ftoi të gjithë qytetarët e Elbasanit dhe vizitorët e Shqipërisë që vijnë si turistë të mos e humbasin këtë ngjarje të rëndësishme, duke theksuar se mbështetja e tifozëve është thelbësore për suksesin e kampionatit dhe zhvillimin e mëtejshëm të sportit në qytet.