Marrëdhëniet Shqipëri–Kinë vijojnë të forcohen, Elbasani zgjeron bashkëpunimin në sport dhe kulturë

Marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kinës vijojnë të forcohen, ndërsa Elbasani mbetet një pikë e rëndësishme e këtyre lidhjeve, të ndërtuara ndër vite.
Në kuadër të vizitës së saj në qytet, pas aktivitetit përkujtimor me rastin e 77-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, Ambasadorja e Kinës në Shqipëri, znj. Pang Chunxue, zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ku diskutuan mbi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit në fushën e sportit dhe kulturës. Në këtë kuadër, ambasadorja zhvilloi një takim edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Kulturës dhe Sporteve, Artin Kovaçi, ku shprehu mbështetjen e Ambasadës Kineze për institucionin dhe gatishmërinë për të kontribuar me pajisje sportive, veçanërisht për zhvillimin e ping-pongut. U diskutua gjithashtu për mundësitë e bashkëpunimit me KS Elbasanin, me synim nxitjen e aktiviteteve sportive dhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë.
Këto takime shënojnë një hap të mëtejshëm në vijimësinë e marrëdhënieve mes Elbasanit dhe Kinës, duke hapur mundësi konkrete për bashkëpunim në sport, kulturë dhe shkëmbime të përvojave. Miqësia e ndërtuar ndër vite synon të marrë jetë edhe përmes projekteve dhe nismave të reja në të mirë të komunitetit elbasanas.