Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Rruga “Koco Brisku”, e rikthyer në një bllok tërësisht urban

Rruga “Koco Brisku”, në lagjen “5 Maji”, nga një bllok banesash informale është duke u kthyer në një rrugë urbane me të gjithë infrastrukturën e nevojshme.

Gjatë një inspektimi të punimeve në këtë zonë, kreu i bashkisë Gledian Llatja i shoqëruar nga deputetja e kësaj zone Evis Kushi kanë vlerësuar gadishmërinë e banorëve, të cilët e kanë mbështetur këtë investim në zonën e tyre që aktualisht është kthyer në një kantier ndërtimi.

“Lagjja “Koco Brisku” është një zonë informale e krijuar pas vitit ’90-të, dhe kishte një sërë problematikash në urbanizimin e kësaj zone, ndërsa sot është kthyer në një nga rrugicat kryesore të kësaj lageje”, tha z. LLatja.

Duke e vënë theksin tek një sërë investimesh që po realizohen në qytet, ai vuri në dukje edhe investimet në bashkëpunim me KFV -në Gjermane ku paralelisht po kryhen punime në riasfaltime dhe shtrim rrugësh dhe rrugicash si në qytet ashtu edhe në zonat informale.

“Këtë vit janë rihapur një sërë kantieresh ndërtimi në të gjithë qytetin e Elbasanit për t’i dhënë një tjetër formë kryesisht zonave informale.

 Kanalizmet e ujrave të zeza kanë qenë problem në këtë lagje, ndaj bashkia ka vijuar të kryejë paralelisht jo vetëm investimet në kanalizime por edhe në infrastrukturë totale duke përfshirë edhe ndricimin”, shtoi ai.

Nga ana e saj, deputetje Kushi theksoi faktin se – me investimet e kryera në këtë zonë, është rritur edhe vlera e pronës, si edhe bizneseve të shumta që ushtrojnë aktivitet.

Lagjja “5 Maji” është një ndër më të mëdhatë në qytetin e Elbasanit, një zonë informale dhe me një numër të madh banorësh, cka ka pasur edhe shumë probleme infrastrukturore.

Para pak vitesh kjo lagje ka qenë thuajse informale, ndërsa deri më tani janë kryer më shumë se 6 km kanalizime të ujrave të zeza, investime të cilat janë pritur shumë mirë nga banorët.