Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 2 Tetor 2026

Financime të reja për projektet e energjisë së pastër në Elbasan

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka pritur në zyrën e tij përfaqësues të Departamentit Amerikan të Thesarit – Office of Technical Assistance (OTA), me të cilët ka diskutuar mbi mundësitë e reja të financimit për projektet prioritare të Bashkisë së Elbasanit.

Në fokus të takimit ka qenë modernizimi i ndriçimit publik dhe zgjerimi i përdorimit të energjisë diellore, përmes instalimit të paneleve fotovoltaike në godina dhe hapësira të administruara nga bashkia.

Gjatë takimit, kryebashkiaku Gledian Llatja ka prezantuar investimet e ndërmarra deri tani në fushën e energjisë së pastër, ndërsa ka theksuar rezultatet konkrete të instalimit të paneleve diellore në godinat arsimore të qytetit.

Synimi është që ky model të shtrihet edhe në godina dhe hapësira të tjera publike, duke modernizuar ndriçimin publik, rritur përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe ulur kostot e energjisë.

Bashkëpunimi me përfaqësuesit e Departamentit Amerikan të Thesarit pritet të krijojë mundësi të reja për identifikimin e mekanizmave të financimit dhe mbështetjes teknike për projektet e gjelbra dhe të qëndrueshme të qytetit.

Nis Buxhetimi me Pjesëmarrje, qytetarët vendosin prioritetet për buxhetin e vitit 2027

Bashkia Elbasan nis në datën 5 Tetor 2026 proçesin e Buxhetimit me Pjesëmarrje, duke i ftuar qytetarët të bëhen pjesë e drejtpërdrejtë e përcaktimit të prioriteteve dhe investimeve për buxhetin e vitit 2027.

Përmes takimeve me komunitetet në lagjet e qytetit dhe në njësitë administrative, banorët do të kenë mundësinë të paraqesin nevojat, problematikat dhe projektet që i konsiderojnë më të rëndësishme për zonat ku jetojnë.

Buxhetimi me Pjesëmarrje është një proces që synon ta bëjë qytetarin pjesë të vendimmarrjes për fondet publike, duke orientuar investimet drejt nevojave konkrete të komunitetit. Bashkia Elbasan e zhvillon këtë proces prej më shumë se një dekade, si një nga mekanizmat kryesorë të përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrjen vendore.

Takimet do të zhvillohen në çdo njësi administrative dhe në rajonet e qytetit, ku qytetarët do të mund të propozojnë projektet dhe ndërhyrjet që duan të shohin të përfshira në buxhetin e ardhshëm.

Më poshtë gjeni kalendarin e takimeve të Buxhetimit me Pjesëmarrje, sipas njësive administrative dhe lagjeve të qytetit.

Agjenda e takimeve:

 Merrni pjesë në takimin e zonës suaj dhe bëhuni pjesë e vendimmarrjes për investimet dhe prioritetet e Elbasanit.