Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Financime të reja për projektet e energjisë së pastër në Elbasan

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka pritur në zyrën e tij përfaqësues të Departamentit Amerikan të Thesarit – Office of Technical Assistance (OTA), me të cilët ka diskutuar mbi mundësitë e reja të financimit për projektet prioritare të Bashkisë së Elbasanit.

Në fokus të takimit ka qenë modernizimi i ndriçimit publik dhe zgjerimi i përdorimit të energjisë diellore, përmes instalimit të paneleve fotovoltaike në godina dhe hapësira të administruara nga bashkia.

Gjatë takimit, kryebashkiaku Gledian Llatja ka prezantuar investimet e ndërmarra deri tani në fushën e energjisë së pastër, ndërsa ka theksuar rezultatet konkrete të instalimit të paneleve diellore në godinat arsimore të qytetit.

Synimi është që ky model të shtrihet edhe në godina dhe hapësira të tjera publike, duke modernizuar ndriçimin publik, rritur përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe ulur kostot e energjisë.

Bashkëpunimi me përfaqësuesit e Departamentit Amerikan të Thesarit pritet të krijojë mundësi të reja për identifikimin e mekanizmave të financimit dhe mbështetjes teknike për projektet e gjelbra dhe të qëndrueshme të qytetit.