Papër, buxhetimi me pjesëmarrje vendos infrastrukturën rrugore në prioritet
Buxhetimi me pjesëmarrje vijon në Njësinë Administrative Papër, ku banorët diskutuan problematikat e zonës dhe përcaktuan prioritetet që synojnë të kthehen në investime për Buxhetin 2027.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, tha se përmes këtij procesi, ndër vite, janë zgjidhur një sërë problematikash të ngritura nga vetë komuniteti, nga ndërhyrjet në përrenj e kanale deri te infrastruktura rrugore.
“Gjithmonë buxhetimi me pjesëmarrje ka interes dhe pjesëmarrje, për faktin se në Papër kemi zgjidhur shumë nga problemet tona. Ato që kemi diskutuar, i kemi çuar drejt zgjidhjes. Kemi ndërhyrë në pritat lumore në përroin e Gurrës, për nevojat që banorët i kanë pasur gjatë gjithë kohës, kemi punuar për disa pjesë rrugësh që duheshin asfaltuar në Vidhas, në Papër-Sollak dhe për probleme të tjera në fshatrat tona”, u shpreh Llatja.
Ndër prioritetet e përcaktuara nga komuniteti janë infrastruktura rrugore dhe këndi i lojërave në fshatin Papër. Por investimi kryesor i këtij viti është asfaltimi i aksit kryesor lidhës, që përfshin qendrën e fshatit Papër dhe rrugën që lidh katër fshatra – Papër, Bizhutë, Pajun dhe Papër-Sollak – deri në Damë.
Sipas Llatjas, për këtë investim projekti është përfunduar, është shpallur fituesi dhe janë marrë masat për nisjen e punimeve. “Ne nuk kemi parë vetëm problemet që kanë të bëjnë me rrugët dhe kanalizimet. Gjatë gjithë kohës jemi përpjekur të shohim edhe problemet e tjera komunitare, ndaj kemi qenë dhe do të jemi këtu”, tha kryebashkiaku.
Llatja theksoi se buxhetimi me pjesëmarrje është një moment i demokracisë së drejtpërdrejtë, ku qytetarët vendosin për prioritetet e buxhetit, duke nënvizuar se fondet nuk janë të pakufizuara dhe për këtë arsye jo të gjitha kërkesat mund të realizohen njëherësh.
Procesi vijoi me diskutimin e banorëve të Njësisë Administrative Papër, të cilët paraqitën kërkesat dhe problematikat e tyre, ndërsa përmes votimit përcaktuan prioritetet që kërkojnë të përfshihen në Buxhetin 2027.