Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Takim konsultues  rreth draftplanit për barazinë gjinore!  

Është zhvilluar në Elbasan një takim konsultues mbi draftin e Planit të Veprimit për Barazinë Gjinore në zbatim të kartës Europiane për barazi të grave dhe burrave në jetën vendore. Në takimin e organizuar nga Bashkia e Elbasanit dhe Un Ëomen merrnin pjesë përfaqësues nga Aleanca e Grave Këshilltare, Këshilli Bashkiak, Këshilli Rinor, media etj.  

 Përfaqësuesi i Bashkisë Elbasan, z. Ervin Muça  referuar me detaje rreth realizimit të këtij drafti, pohon se “ Bashkia  e Elbasanit është përpjekur që në planin vendor të radhës të korrigjojmë disa elementë që mund të na kenë shpëtuar nga plani i mëparshëm ose të shohim edhe elementë të rinj të cilët jo vetëm na ndihmojnë për të orientuar më mirë shërbimet që ne ofrojmë si bashki, por njëkohësisht duhet krijuar një ndërlidhje midis planeve lokale të tjera”.  

Sipas tij, pjesëmarrës në këtë takim ishin nga të gjitha fushat, ndërsa e cilësoi si shumë të rëndësishëm rolin që luan Universiteti.  

“ Bashkia vërtet ofron shërbime, por këto shërbime jo vetëm që kërkojnë të njihen nga universitetet por njëkohësisht na duhet edhe ekspertiza e universiteteteve për t’i përmirësuar dhe për t’i bërë sa më cilësore këto shërbime.”   

Monika Kocaqi, eksperte e çështjeve Gjinore, e vuri theksin tek rëndësia e barazisë gjinore dhe mënyra se si veprohet për ta zbatuar atë.  

Sipas saj “ky plan vendor veprimi është një instrument i domosdoshëm për të bërë realitet atë që ne synojmë çdo ditë, për të përmirësuar situatën, marrëdhëniet dhe gjithçka çfarë lidhet me pozicionin e grave dhe burrave në komunitetet tona”.  

Veç konsultimeve me të gjithë përfaqësuesit në këtë tryeze, nga ana e Bashkisë së Elbasanit u shpreh angazhimi për punën në arritjen e barazizë gjinore në nivel ekonomik, politik, social e kulturor, si dhe respektimin e dispozitave të kësaj karte, të cilat synojnë arritjen e një jete më të mirë për të gjithë komunitetin.  Qëllimi takimeve është që këto plane të jenë sa më shumë të zbatueshme nga institucionet dhe të reflektojnë ndërhyrjet konkrete që do të zhvillohen për të përmirësuar jetën e grave dhe vajzave. Ky plan realizohet në zbatim të Kartës Evropiane për Barazi të Grave dhe Burrave në Jetën Vendore.Pjesë e projektit “Bashkimi Evropian për Barazinë Gjinore në Shqipëri” zbatuar nga UN Women dhe UNFPA Albania.