Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Trajnim mbi Qeverisjen e Mirë për përfaqësuesit e qeverisjes vendore në Elbasan

Në kuadër të projektit ndërkufitar “Krushevë dhe Elbasan – Udhëtim në Natyrë dhe Aventurë”, organizata Tjetër Vizion do të zhvillojë në Elbasan një trajnim dyditor mbi Qeverisjen e Mirë, me pjesëmarrjen e 20 përfaqësuesve të institucioneve të qeverisjes vendore. Aktiviteti do të fokusohet në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe vendimmarrjes efektive në nivel lokal.
Trajnimi do të organizohet më 11–12 qershor 2026 në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian përmes Programit IPA III të Bashkëpunimit Ndërkufitar Maqedoni e Veriut – Shqipëri. Projekti synon të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe rritjen socio-ekonomike në rajonin ndërkufitar Krushevë–Elbasan.
Programi i dy ditëve është ndërtuar mbi një qasje pjesëmarrëse dhe praktike. Dita e parë do t’i kushtohet parimeve të qeverisjes së mirë, pjesëmarrjes përfshirëse dhe angazhimit qytetar, ndërsa dita e dytë do të fokusohet në planifikimin, bashkëpunimin ndërkufitar, monitorimin e progresit dhe hartimin e veprimeve konkrete për përmirësimin e qeverisjes vendore.
Përmes ushtrimeve në grup, diskutimeve mbi raste konkrete dhe shkëmbimit të praktikave të mira, pjesëmarrësit do të zhvillojnë tregues realistë dhe masa të zbatueshme në punën e tyre të përditshme. Aktiviteti synon të nxisë bashkëpunimin ndërbashkiak dhe ndërkufitar, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve institucionale për një turizëm të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm.
Rreth projektit
Projekti “Krushevë dhe Elbasan – Udhëtim në Natyrë dhe Aventurë” zbatohet nga Tjetër Vizion në kuadër të Programit IPA III të Bashkëpunimit Ndërkufitar Maqedoni e Veriut – Shqipëri (Kontrata e Grantit Nr. IPA/2025/487-660). Projekti ndërton mbi arritjet e nismave të mëparshme për zhvillimin e turizmit të bazuar në natyrë dhe aventurë në zonën Elbasan–Funar, duke forcuar njëkohësisht dimensionin ndërkufitar të këtij potenciali turistik.