Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Tre çmime për Elbasanin, “Isuf Myzyri” shkëlqen në Festivalin Kombëtar

Pas suksesit të arritur në Edicionin XIX të Festivalit Kombëtar Tipologjik të Këngës Popullore Qytetare, Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës së Artit, Kulturës dhe Sporteve në Bashkinë Elbasan, Artin Kovaçi, zhvilloi një takim falënderues me artistët dhe bashkëpunëtorët e Ansamblit “Isuf Myzyri”.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, me në fokus vlerësimin e punës dhe përkushtimit të artistëve, që sollën në Elbasan një tjetër sukses të rëndësishëm, duke u vlerësuar me tri çmime:

🥇Çmimi i Parë “Isuf Myzyri”

🏅Çmimi “Orkestra më e mirë”

🏅Çmimi i Karrierës për këngëtarin Mehdi Zena

Gjatë bashkëbisedimit, Kovaçi vlerësoi kontributin e drejtuesit Sopot Serica, këngëtarëve, instrumentistëve dhe të gjithë grupit të punës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të këngës popullore qytetare elbasanase.

Biseda u përqendrua edhe te vijimësia e punës, idetë e reja dhe përcjellja e kësaj trashëgimie te brezat e rinj, duke e mbajtur gjallë identitetin artistik të Elbasanit.

Tri çmimet e fituara janë një vlerësim për punën e përbashkët të artistëve dhe një tjetër dëshmi e vlerave të traditës muzikore qytetare elbasanase.

Mirënjohje për të gjithë artistët që e mbajnë gjallë këngën qytetare të Elbasanit!