Vreshtan, përfundon shtrimi me asfalt i qendrës së fshatit. Nis së shpejti investimi në kanalizime
Në fshatin Vreshtan të Njësisë Administrative Shushicë ka përfunduar shtrimi me asfalt i qendrës së fshatit, një investim i shumëpritur nga banorët. Ndërkohë, Bashkia Elbasan ka në plan të nisë së shpejti edhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza në lagjet e tjera të zonës.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, gjatë inspektimit të investimit, u shpreh se ky projekt është realizuar si përgjigje ndaj kërkesave të banorëve edhe gjatë takimeve të Buxhetimit me Pjesëmarrje, si një problem i trashëguar për ta, dhe është pjesë e një vëmendjeje të shtuar ndaj Njësisë Administrative Shushicë.
“Ky investim ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e banorëve dhe tashmë kemi përfunduar shtrimin e qendrës së fshatit. Por puna nuk ndalet këtu. Do të vijojmë me ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza edhe në lagje të tjera të Vreshtanit, për të përmirësuar më tej infrastrukturën e kësaj zone,” deklaroi Llatja.
Sipas tij, investimet në këtë njësi administrative do të vazhdojnë, pasi fshatrat pranë qytetit kërkojnë urbanizim të ngjashëm me lagjet periferike të Elbasanit.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se kjo njësi e madhe administrative ka marrë një vëmendje të veçantë nga bashkia vitet e fundit, jo vetëm për shkak të numrit të madh të banorëve, por edhe për problematikat infrastrukturore.
” Në Vreshtan kemi ndërhyrë fillimisht në rrugën e shkollës, duke e zgjidhur këtë problem një vit më parë për nxënësit dhe banorët e zonës. Më pas kemi vijuar me investime në lagjen Kodër, e cila ka pasur vështirësi për shkak të terrenit malor dhe rrezikut nga reshjet”, shtoi ai.
Ky projekt është realizuar në bashkëpunim mes Bashkisë Elbasan dhe Këshillit të Qarkut, duke sjellë përfitime për mbi 500 banorë të zonës. Në vijim, pritet të nisë puna për zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve dhe ndërhyrje të tjera infrastrukturore.