114-vjetori i Pavarësisë, homazhe në nderim të kësaj dite historike
Me rastin e 114-vjetorit të ngritjes së flamurit të Pavarësisë në Elbasan, në nderim të kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë kombëtare, janë zhvilluar homazhe pranë bustit të Aqif Pashë Elbasanit, figurës që udhëhoqi këtë moment historik për qytetin.
Nën tingujt e Himnit Kombëtar, të interpretuar nga Banda Frymore e Qytetit, përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë të Elbasanit, kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, patriotë dhe qytetarë të shumtë u bënë pjesë e ceremonisë përkujtimore, duke nderuar me respekt dhe mirënjohje kontributin e atyre që punuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Më 25 nëntor 1912, tri ditë përpara shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, Elbasani ngriti flamurin kombëtar, nën udhëheqjen e Aqif Pashë Elbasanit, duke u bërë pjesë e momenteve vendimtare të historisë së shtetit shqiptar.
Në fjalën e tij me rastin e kësaj date, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u ndal te rëndësia historike e 25 Nëntorit, duke theksuar se kjo trashëgimi mbart edhe sot përgjegjësinë për të vijuar zhvillimin e qytetit.
“25 Nëntori është një datë e rëndësishme në historinë e Elbasanit, një moment që dëshmon kontributin dhe rolin e qytetit tonë në rrugëtimin drejt Pavarësisë. Por historia e Elbasanit nuk ndalet në këtë moment. Ajo vijon të shkruhet çdo ditë, përmes punës, zhvillimit dhe investimeve që ndryshojnë jetën e qytetarëve.
Sot, përgjegjësia jonë është të ndërtojmë mbi këtë trashëgimi një qytet më modern, me më shumë hapësira publike, infrastrukturë të përmirësuar, shkolla më të mira, shërbime cilësore dhe mundësi të reja për të rinjtë dhe biznesin. Elbasani ka ndryshuar dhe vijon të zhvillohet, duke ruajtur identitetin, historinë dhe vlerat që e kanë shoqëruar ndër breza.
Krenaria për historinë na jep përgjegjësinë për të ardhmen. Detyra jonë është t’u lëmë brezave një Elbasan më të zhvilluar dhe me më shumë mundësi.”
114 vite më pas, kjo datë mbetet një moment krenarie për Elbasanin dhe qytetarët e tij, një kujtesë e rëndësisë së ruajtjes dhe përcjelljes së historisë, vlerave kombëtare dhe trashëgimisë patriotike te brezat e rinj.