Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Maj 2022

Elbasan/ Bust në qendër të qytetit, për nder të heroit kombëtar Qemal Stafa!

Në 80-vjetorin e rënies së Heroit të Popullit Qemal Stafa, qytetit iu rikthye një simbol i sakrificës së rrallë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Falë bashkëpunimit të ngushtë me Këshillin e Qarkut Elbasan dhe Organizatën e Familjeve të Dëshmorëve në lulishten qëndrore “Aqif Pasha” u vendos shtatorja e punuar me aq mjeshtëri e dashuri nga skulptori elbasanas Vladimir Caridha. Në vijim, në sallën e teatrit “ Skampa” Bashkia organizoi një aktivitet përkujtimor, për vlerësimin e nderimin e Qemal Stafës, simbolit të luftës për liri e përparim, dhe  për të gjithë dëshmorët dhe heronjtë që u flijuan për Atdhe!. Qemal Stafa ishte bashkëthemelues i Grupit Komunist të Shkodrës, pjesëtar në takimin e themelimit të partisë, anëtar i Komitetit Qëndror dhe sekretar politik i të rinjve. Ndaj është nder për Elbasanin që në qendër të qytetit të ngrihet busti i një figure  si Qemal Stafa, veprimtaria revolucionare e të cilit ra në sy të pushtuesve italianë e bashkëpunëtorëve të tyre, ndaj më 5 Maj 1942 u rrethua nga fashistët italianë në Tiranë dhe u vra duke luftuar heroikisht. Qemal Stafa ishte edhe një letrar i talentuar. Krijimtaria e tij u takon kryesisht viteve të rinisë. Shkroi tregime, skica e vjersha, një pjesë e të cilave u botuan me pseudonimin “Brutus” në shtypin përparimtar të kohës. Radhitet ndër letrarët e viteve ’30. Në shkrimet e tij ai u ngrit kundër realitetit shoqëror të kohës, vuri në qendër njerëzit e thjeshtë që vuanin nga padrejtësitë shoqërore, dha portrete të luftëtarëve e të njerëzve me karakter të fortë që nuk u mposhtën nga vështirësitë e që luftuan për një botë të re. Në shkrimet e tij me karakter publicistik Qemal Stafa paraqiti haptazi idetë e tij revolucionare me pjekuri e bindje të thellë. Trashëgimi i tij letrar është përmbledhur në vëllimin “Qortimet e vjeshtës”(1961)  

Bashkia rindërton banesën e familjes Sollaku, djegur 1 vit më pare!  

Shtëpitë e Besim dhe Xhaferr Sollakut në fshatin Korrë të Funarit, rreth 1 vit më parë u përfshinë nga flakët për shkak të një defekti elektrik. Falë ndërhyrjes në kohë nga ekipet e emergjencave civile dhe mbështetjen e Bashkisë Elbasan, arritën të rindërtojnë shtëpitë e tyre në një kohë të shpejtë. Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja, tashmë kjo familje ka një shtëpi të re.  Pasi ka uruar familjen Sollaku për shtëpinë e re, Kryetari i Bashkisë i cili ka qenë i pranishëm në momentet që familjarët kanë hyrë në banesën e re, i ka falenderur për besimin që ata kishin tek mbështetja e Bashkisë së Elbasanit. Familja Sollaku pas djegies së banesës, i humbën shpresat se mund ta rindërtonin atë, për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike. Ata e kishin të pamundur ta rindërtonin shtëpinë e tyre, ndaj dhe kërkuan ndihmën e Bashkisë së Elbasanit. Menjëherë Ekipi i Emergjencave Civile me mbështetjen e Bashkisë arritën të rindërtonin banesën e tyre në një kohë record, duke e rikthyer si në gjendjen e mëparshme. Familjet Sollaku në fshatin Korrë të Funarit, tashmë kanë një banesë të re dhe më komode si dikur.  

Java e Demokracisë/ Llatja: Në Norvegji prezantuam projektet dhe eksperiencën e Bashkisë

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z Gledian Llatja ka marrë pjesë në takimin e organizuar me drejtues të partive politike të Këshillit të Bashkisë në qytetin Kristiansand Norvegji. Ky takim është organizuar në kuadër të eventit të organizuar për “Javën e Demokracisë” Democracy Week, me ftesë të Kryetarit të Bashkisë Z.Jan Oddvar Skisland. Qëllimi i këtij takimi ishte për të  ndarë praktikat më të mira në vullnetarizmin lokal dhe për të prezantuar prioritetet dhe eksperiencën e Bashkisë Elbasan. “I lumtur të prezantoja praktikat e mira të Bashkisë Elbasan, përfshirjen e gjerë të qytetarëve në proçeset vendimmarrëse lokale përmes Buxhetimit me Pjesëmarrje dhe Këshillin Vendor të Sigurisë Publike si një model suksesi”, ka pohuar Z. Llatja. Ky takim u organizua falë organizatës PVN Shqipëri pēr rrjetëzimin ndërmjet qyteteve shqiptare dhe norvegjeze. Takimi u zhvillua në Bashkinë Kristiansand me Kryetarin e Bashkisë, administratën lokale së bashku me kolegët Kryetarë të Bashkive Lushnje, Berat dhe Tropojë ku u ndanë eksperiencat e secilit në kuadër të përfshirjes së programeve të vullnetarizmit dhe ku u prezantuan mundësitë dhe sfidat e Bashkive Elbasan, Berat, Tropojë, Lushnje. Në këtë tur, kreu i Bashkisë ka zhvilluar një takim edhe me Drejtuesin e Dhomës së Tregëtisë në Kristiansand, ku u diskutua rreth mundësive për rritjen e prezencës së sipërmarrësve Norvegjezë në Shqipëri, ku një rëndësi e veçantë ishin mundësitë në sektorin e turizmit.