Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 28 Qershor 2024

Transformimi i rrugës “Naim Çerraga”, nga zonë informale në një lagje moderne

Çdo herë që përmendej rruga “Naim Çerraga”, pak njerëz e besonin se kjo zonë informale do të kthehej ndonjëherë në një zonë plotësisht formale dhe moderne. Sot, ky realitet është bërë i prekshëm për banorët, të cilët janë mbledhur për të përshëndetur investimin e Bashkisë së Elbasanit, i iniciuar nga kreu i bashkisë z. Gledian Llatja. Ata falënderojnë kryetarin e bashkisë që pas kaq vitesh e ktheu këtë zonë me standarde dhe kushte normale, duke i dhënë fund premtimeve 30-vjeçare nga shumë përfaqësues politikë.

Banorët vlerësojnë investimin duke e cilësuar si një rrugë më të mirë se ato të qytetit. Kjo lagje, e cila konsiderohej informale, deri para tre vitesh përballej me probleme të mëdha si kanalizimet e ujërave të zeza, furnizimi me ujë të pijshëm dhe infrastruktura rrugore. Sot, kjo rrugë është ekzistente dhe funksionale, falë një investimi të përfunduar brenda një viti e gjysmë.

Gjatë inaugurimit të kësaj zone, kreu i bashkisë z. Gledian Llatja, i shoqëruar nga deputeti Florenc Spaho, theksoi investimet e shumta që bashkia ka nisur për infrastrukturën rrugore, furnizimin me ujë të pijshëm në të gjithë qytetin dhe kanalizimet e ujërave të zeza në lagjet informale si “NSHU” dhe “Krastë”.

 “Ajo që kemi thënë, e kemi në fokusin tonë kryesor,” tha z. Llatja.

Deputeti Spaho vlerësoi entuziazmin e banorëve, të cilët më parë e quanin këtë lagje një fshat, ndërsa tani e ndjejnë veten qytetarë të vërtetë.

“Kjo lagje tani, me këtë investim madhor, do të marrë një vlerë tjetër,” tha Spaho.

Ky transformim është një dëshmi e përkushtimit të bashkisë Elbasan për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve dhe për të kthyer zonat informale në pjesë të integruara dhe moderne të qytetit, që sjellin ndryshim pozitiv në komunitet.