Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Korrik 2024

Bujtina Agim, një destinacion i ri i mikpritjes në Funarin turistik të Elbasanit

Në mes të natyrës së virgjër dhe peizazheve mbresëlënëse, bujtina Agim ka pritur vizitën e kryetarit të Bashkisë, z. Gledian Llatja, i cili ka mbështetur fuqishëm promovimin e këtij turizmi malor në qytetin e Elbasanit.

 Funari, kjo perlë turistike, ka hapur dyert për qindra turistë këtë verë të nxehtë, tërhequr jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vende si Gjermania, Holanda, madje edhe Dubai.

Një nga bujtinat që spikat në këtë zonë është Bujtina Agim, e mobiluar me kujdes dhe komoditet. Ajo përmban tre dhoma gjumi me kushte higjeno-sanitare të shkëlqyera. Vizitorët janë të shumtë, duke bërë rezervime jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga jashtë vendit. Administruesja e bujtinës tregon se kërkesat janë të shumta dhe rezervimet bëhen edhe me telefon, duke theksuar se numri i lartë i vizitorëve ka qenë një surprizë për të gjithë.

“Ka raste kur turistët presin që të largohet një turist për ta prenotuar tjetri,” thotë ajo.

 Kryetari i Bashkisë, z. Gledian Llatja, shprehet se “kur filluam idenë e Funarit dhe të promovonim bujtinat, duke i kërkuar banorëve të cilët kishin zbritur në qytet apo jashtë, t’i kthenin shtëpitë e tyre në bujtina, kjo dukej si çudi. Por sot, me investimet e fundit dhe ndihmën e BE-së me projektet info cross border, kemi bërë investime në infrastrukturën e ujësjellës kanalizimeve dhe energjinë elektrike.”

Falë ndihmës së BE-së për promovimin e turizmit, janë ngritur info point-e, janë vendosur kajakë, biçikleta, qendra parashutizmi dhe shtigje malore, duke e kthyer Funarin në një destinacion të pashoq turistik. “Nuk do të mendohej kurrë që turistët do të zgjedhin vetëm detin, por edhe zonat malore si Funari,” shton z. Llatja.

Bujtina Agim, e vendosur në një zonë rurale, ofron një përvojë të veçantë me freskinë e natyrës, praninë e bletëve, liqenit dhe kafshëve të ndryshme.

 “Është një mrekulli, me një freski që nuk e gjen në qytet,” shprehet z. Llatja.

 “Jemi të kënaqur për këtë, ne kemi promovuar dhe do të vazhdojmë të promovojmë bujtinat. Kemi disa vite që investojmë dhe po shohim frutet e punës sonë. Bujtina Agim dhe të tjera po hapen, dhe turistët vijnë për të eksploruar Funarin, qëndrojnë këtu për dy-tre muaj, punojnë këtu, dhe kjo është diçka shumë pozitive.”

Funari po kthehet në një destinacion tërheqës për turistët, dhe Bujtina Agim është një shembull i shkëlqyer i zhvillimit dhe mikpritjes shqiptare.

Njoftim për mbledhjen e Këshillit Bashkiak

Ju njoftojmë se më datë 30.07.2024 ora 11:00  zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak Elbasan e thirrur nga Kryetari i Këshillit në bazë të Ligjit 139/2015, neni 53 pika 4), në sallën e mbledhjeve në “Hotel Imperial”,  me këtë rend dite:

  1. Miratimi i rendit të ditës së Mbledhjes.
  2. Miratim i procesverbaleve të mbledhjes së muajit Korrik datë 01.07.2024 dhe datë 03.07.2024.
  3. Miratimi i ndihmës ekonomike nga fondi i bashkisë për muajin Qershor 2024.

3/1. Miratimi i ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për muajin Qershor 2024.

4.Mbi heqjen e mandatit të Z.Ali Mysliu.

5.Mbi heqjen e mandatit të Z.Franko Hakilja.

6.Për zëvendësimin e vakancës në Këshillin e qarkut Elbasan.

7.Për krijimin e Komisionit të Përkohshëm Hetimor.

       8. Për dhënie titulli “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) Znj.Ilirjana Jani Haxhiu.

       9.Për dhënien e autorizimit të Kryetarit të Bashkisë që ti bashkohet dhe të firmosë            marrëveshjen e kryetarëve të Bashkisë për klimën dhe energjinë për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.

      10.Sistemi i parkimit dhe gjobave.

     11.Transferimi i fondeve për shpenzime në zërin investime.

     12.    Mbi dhënien e të drejtës së shfrytëzimit të terreneve sportive dhe stadiumin shoqërisë AF Elbasani.

14.Përdorimi i fondeve të emergjencave civile për blerje projekti për investime në Përroin Zaranikë.

15. “Për disa shtesa dhe ndryshime në VKB Nr.163 Datë 21.11.2020 “Për dhënien në përdorim me kontratë qeraje të fondit pyjor publik” dhe VKB Nr.124 Datë 26.09.2022 “Për dhënien në përdorim me kontratë qeraje të fondit pyjor publik”.

16.Për miratim në parim të dhënies së pëlqimit për shfrytëzimin e pronave shtetërore në Njësinë Administrative Gjinar.

17. Për dhënie në përdorim të fondit pyjor publik “Për ndërtimin e linjës 400 kV Shqipëri-      Maqedonia e Veriut në territorin e Bashkisë Elbasan”.

       18. Mbi dhënie në përdorim pa kundërshpërblim, (rinovim kontrate) të disa ambjenteve të ish-Konviktit të shkollës Onufri, Shoqerisë Ujësjellës Kanalizime sh.a nga Bashkia Elbasan.

Komisionet do të mblidhen ditën e 25.07.2024 ora 11:00, në sallën e mbledhjeve të Bashkisë Elbasan.

KRYETARI I KËSHILLIT  ELBASAN

LUTFI LALA

Kënaqësi të mirëprisnim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, SH.T.Z. Alastair King-Smith

Në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunimi, pata kënaqësinë të mirëprisja në bashkinë e Elbasanit një mik të veçantë, Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij Z. Alastair King-Smith.

Gjatë takimit, pata mundësinë t’i përcjell ambasadorit urimet më të mira për punën e tij të shkëlqyer në krye të misionit në Shqipëri dhe për detyrat e reja që do t’i besohen në të ardhmen.

 Gjithashtu, ambasadori pati rastin të vizitojë ekspozitën e hapur në bashki, ku shpaloset trashëgimia historike, kulturore dhe turistike e qytetit tonë.

Turizmi në Mollagjesh, një përvojë unike në natyrë

Në bujtinën “Deliu”, një nga destinacionet më të njohura të turizmit rural në Mollagjesh, kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja zhvilloi një bisedë me familjarët e kësaj bujtine dhe një turist anglez. Kjo bujtinë, e cila ka parë një rritje të ndjeshme të vizitorëve këtë sezon, ka bllokuar të gjitha datat për rezervime.

“Kemi bllokuar të gjitha datat,” thotë e zonja e bujtinës. “Një person që vjen, mund të rrijë dy-tre ditë, por maksimumi nuk mund të qëndrojë më tepër. Por, duke pasur aktivitete të shumta rreth e përqark, i shtojnë më tepër ditët e qëndrimit, gjë që është më interesante për bujtinat që të kenë më shumë netë fjetjeje.”

Aktivitetet në natyrë si xhiro me varka, kuaj, biçikleta dhe vizita në shpella janë disa nga atraksionet që i bëjnë turistët të qëndrojnë më gjatë. Ish mësuesja, ka punuar për 36 vjet në Mollagjesh, tani merret me turizmin pas daljes në pension dhe përpiqet t’u mësojë shqipen turistëve që vijnë.

Turistët vijnë nga e gjithë bota për të shijuar natyrën e bukur të zonës. “Francezë, anglezë, rumunë, çekë, sllovakë, të gjithë vijnë,” thotë ajo. “Natyra është shumë e bukur, janë shumë të kënaqur.”

Kryetari i bashkisë, i pranishëm në bisedë, thekson se promovimi i destinacioneve turistike dhe investimet në infrastrukturë janë kyçe për zhvillimin e zonës. “Investuam tek rruga e Funarit dhe qendra e informacionit, sepse është e rëndësishme të informohen mbi zonën, gatimet, destinacionet dhe aktivitetet që ofron zona,” thotë ai.

Një turist anglez, i cili kishte rezervuar fillimisht për një javë, vendosi të zgjaste qëndrimin e tij pas përvojës së mrekullueshme që pati. “Unë vij nga Londra, por kam jetuar në Zelandën e Re dhe Australi për një kohë të gjatë. Vendosa se nuk doja të largohesha më nga ky vend,” thotë ai. “Unë po punoj për startup-in tim këtu dhe është një vend i bukur ku mund të punosh pa presion.”

Turizmi rural në Mollagjesh po përjeton një rigjallërim të madh, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë që kërkojnë përvoja autentike dhe të veçanta. Bujtina “Deliu” është një shembull i shkëlqyer i mikpritjes dhe bukurisë së kësaj zone.

Vizitë në mobilerinë Hasa: Biznes familjar që shkëlqen në tregun Evropian

Gjatë një vizite në punishten  e dy vëllezërve Loris dhe Erald Hasa u njoha nga afër me biznesin e tyre të trashëguar.

 Më gëzoi fakti se dy vëllezërit prodhojnë një gamë të gjerë mobiljesh me cilësi të lartë dhe përkushtim, të cilat kanë tejkaluar kufijtë e vendit tonë.

 Edhe pse një biznes i hershëm familjar, Loris dhe Eraldi kanë nisur prej vitesh eksportimin e mobiljeve në vende të ndryshme të Europës si Itali dhe Gjermani, ku kërkesat janë për mobilim banesash, zyrash dhe hotelesh.

 Bizneset në Elbasan po vijnë në rritje, falë përkushtimit të tyre.

 Do të vazhdojmë t’i mbështesim dhe inkurajojmë për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të qytetit tonë.

Elbasani pret Kampionatin Europian të Basketbollit U18

 Konferencë për Shtyp nga Presidenti i Federatës dhe Drejtori i Sportit

Në datat 23-28 korrik, në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” në Elbasan, do të zhvillohet Kampionati Europian i Basketbollit për moshën U18, aktiviteti i parë ndërkombëtar i kësaj përmase në këtë arenë sportive. Bashkia Elbasan, nën kujdesin e veçantë të kreut të bashkisë, z. Gledian Llatja, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë këtij kampionati.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Drejtori i Sportit në Bashkinë Elbasan, z. Artin Kovaci, dhe Presidenti i Federatës së Basketbollit, z. Avni Ponari, dhanë detajet për organizimin e këtij aktiviteti. Z. Ponari theksoi angazhimin e veçantë që Bashkia e Elbasanit dhe Klubi Shumësportësh kanë ofruar për këtë kampionat.

“Në eksperiencën tonë, organizonim një aktivitet në vit, por kësaj here Federatës Shqiptare të Basketbollit iu besuan dy aktivitete, U16 në Tiranë dhe U18 në Elbasan. Urojmë që ky aktivitet të zhvillohet ashtu si duhet. Pjesëmarrja e tetë ekipeve nga vende të ndryshme të Evropës është e rëndësishme, sepse ato janë kombëtaret e ardhshme. Ne presim shumë nga kombëtarja jonë sepse ka një përvojë në pjesëmarrjen e aktiviteteve të shumta, ndaj urojmë që të kemi rezultat pozitiv,” tha Ponari.

Ky aktivitet zhvillohet bazuar në eksperiencën dhe përvojën e viteve të kaluara. Pas një eksperiencë 6-vjeçare, është fituar besimi dhe janë krijuar ekipet zinxhir. Federata ka arritur të përfaqësohet në të gjitha kompeticionet, ndaj pritjet janë të mëdha. Programet që ka aplikuar federata gjatë kësaj kohe kanë bërë që të jenë të integruar dhe të kenë prurje nga basketbolli. Një meritë e veçantë i takon edhe shoqatave sportive të cilat janë pjesë e federatës për europianizimin e këtyre aktiviteteve.

“Në mbledhjen e fundit vendosëm që çdo ekip të jetë i lirë dhe të zgjedhë si të dojë në mënyrë që aktivitetet të zhvillohen në nivelin dhe mundësitë që ka secila shoqatë sportive. Kjo mënyrë i nxit lojtarët vendas të arrijnë nivele të larta për të mos marrë lojtarë nga jashtë. Gjithashtu, do të krijojmë një kampionat të veçantë me U20 për femra dhe meshkuj, e cila do të jetë liga më e fortë në rast se do të kapim numrin e nevojshëm për zhvillimin e aktiviteteve.

Ndaj i nxisim të gjitha shoqatat sportive që ta rrisin rolin e skuadrave për të arritur nivelin e duhur”, shtoi Ponari. Ai e cilësoi një ngjarje të shënuar kampionatin që do të zhvillohet në Elbasan, pasi sot mbërrin edhe sekretari i përgjithshëm i FIBA Europës, i cili do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes dhe në ndeshjen e parë Shqipëri – Luksemburg. Elbasani merr ngjyra më të forta si pritës i një aktiviteti kaq të rëndësishëm ndërkombëtar.

Drejtori i Sporteve në Bashkinë Elbasan, z. Artin Kovaci, theksoi angazhimin maksimal që është ndërmarrë për zhvillimin e këtij aktiviteti. “Ne jemi gjithmonë gati për aktivitete të kësaj natyre sepse eksperienca nuk na mungon, dhe ne jemi si shumë qytete të tjera si edhe Tirana. Sipas të gjitha kritereve që kërkon FIBA, Federata Shqiptare e Basketbollit i ka plotësuar, ndaj edhe ky kampionat do të shkojë në parametra maksimal si në organizim por edhe në cilësi sportive. Ndaj dëshira jonë është që ekipi shqiptar të jetë fitimtar i këtij kampionati.”

Kovaci, duke iu referuar kushteve të Pallatit të Sportit, i cili është ndër më të mirët në vend, kërkoi që aktivitete të tilla ndërkombëtare të zhvillohen edhe në të ardhmen.

90 vjet biblioteka publike “Qemal Baholli”

Me 21 korrik 1934 përfundoi ndërtimi i godinës së bibliotekës publike “Qemal Baholli”, Elbasan.

Prej 90 vjetësh kjo bibliotekë ka shërbyer gjithmonë si një udhërrëfyes i zhvillimit kulturor dhe arsimor i qytetit tonë, si një vend i dijes dhe i shkencës, e cila ruan dhe koleksionon trashëgiminë kulturore të shkruar të popullit shqiptar në përgjithësi dhe komunitetit elbasanas në veçanti.

Falënderime dhe mirënjohje për familjen Baholli, intelektualët dhe familjet elbasanase që kontribuuan në ngritjen dhe pasurimin e kësaj biblioteke.