Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 23 Tetor 2024

Bashkia Elbasan vijon aktivitetet për Tetorin Rozë dhe muajin e librit

Në kuadër të Tetorit Rozë, gratë dhe vajzat e Bashkisë Elbasan kanë dhënë një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e depistimit të hershëm të kancerit të gjirit. Me përkushtim të vazhdueshëm në detyrën e tyre, ato rikujtuan se diagnostikimi në kohë është hapi më i rëndësishëm për të fituar këtë betejë jetësore. Në këtë muaj ndërgjegjësimi, mesazhi i tyre mbetet i qartë: Mos neglizhoni mamografinë! Ajo kryhet falas dhe afër vendbanimit, duke ofruar një mundësi të rëndësishme për shëndetin e çdo gruaje.

Një tjetër aktivitet solidariteti u zhvillua me fëmijët e kopshtit nr. 11, të cilët vizituan bibliotekën “Qemal Baholli”. Të vegjlit shpërndanë lule dhe fjongo rozë për punonjëset e bibliotekës, duke shprehur mbështetje për kauzën e ndërgjegjësimit. Në kthim, biblioteka i shpërbleu me libra, duke e përfshirë këtë veprimtari edhe në kuadrin e muajit të librit. Punonjësit e bibliotekës zhvilluan një lexim të veçantë për fëmijët, duke i afruar ata me magjinë e leximit dhe botën e librave.

80-vjetori i çlirimit, një koncert spektakolar në Elbasan

Mbrëmjen e djeshme, qytetarët e Elbasanit mbushën sheshin në një koncert madhështor për të festuar 80-Vjetorin e Çlirimit të vendit.

 Nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë, ky event tërhoqi shume pjesëmarrës që shijuan një atmosferë të jashtëzakonshme muzikore pranë “Kullës së Sahatit”.

Koncerti solli një përzierje unike mes traditës dhe modernitetit, me këngë patriotike të remiksuara, duke ofruar një eksperiencë të re për publikun.

 Ritmet e fuqishme dhe performancat mbresëlënëse i dhanë qytetit një gjallëri të veçantë.

Kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen masive dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë historike dhe kulturore, duke e bashkuar atë me energjinë e brezave të rinj përmes ngjarjeve të tilla festive.