Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 1 Nëntor 2024

Trajnim mbi higjenën kibernetike në Bashkinë Elbasan: Masat për një mjedis të sigurt dixhital

Në ambientet e Bashkisë Elbasan u zhvillua  një trajnim mbi sigurinë kibernetike, me pjesëmarrjen e kryetarit të Bashkisë, z. Gledian Llatja, dhe drejtorit të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), z. Igli Tafa. Trajnimi u përqendrua në rritjen e ndërgjegjësimit për “higjienën kibernetike” dhe rëndësinë e masave mbrojtëse për të garantuar sigurinë e informacionit për qytetarët dhe institucionet publike.

Z. Llatja theksoi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në çdo nivel, duke përfshirë përdorimin e fjalëkalimeve të forta, përditësimet e rregullta dhe shmangien e rreziqeve online. “Me rritjen e shërbimeve dixhitale që ofrojmë, është e rëndësishme të kujdesemi për sigurinë e të dhënave dhe të informacioneve të qytetarëve tanë,” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, z. Tafa ndau disa statistika, duke theksuar se 70% e sulmeve kibernetike ndodhin për shkak të gabimeve njerëzore. Ai përmendi se edukimi në këtë fushë duhet të nisë që në moshë të hershme, për të mbrojtur hapësirën dixhitale të individëve dhe grupeve vulnerabël. Trajnimi i sotëm shërben si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të sigurisë kibernetike për të gjithë punonjësit e bashkisë.

Ky aktivitet është pjesë e një fushate të gjerë për ndërgjegjësimin mbi sigurinë dixhitale, që do të vazhdojë me trajnime të mëtejshme për punonjësit dhe qytetarët, duke përfshirë dhe mësuesit, për të siguruar një ambient të sigurt dhe të mbrojtur në hapësirën dixhitale të Elbasanit.