Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Nëntor 2024

Në Stokholm për të përvetësuar praktikat më të mira për qytete të qëndrueshme

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Z. Gledian Llatja, zhvilloi një vizitë në Stokholm, ku mori pjesë në sesione të ndryshme të organizuara në kuadër të programit TAIEX, për të përvetësuar praktikat më të mira drejt qyteteve neutrale ndaj klimës. Gjatë kësaj vizite, ai u shoqërua nga ekipi i Bashkisë Elbasan.

Në një takim me nënkryetaren e bashkisë së Stokholmit, Asa Lindhagen, u diskutuan plane investimesh të përbashkëta, zgjidhje për një mobilitet të qëndrueshëm dhe mundësitë e financimit për projekte klimatike. Fokus i diskutimeve ishte krijimi i një qyteti më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm, ku investimet në mobilitet të qëndrueshëm dhe veprime klimatike të bëhen prioritete.

Ky bashkëpunim përforcon angazhimin e Bashkisë Elbasan për të ndjekur modele evropiane të qëndrueshmërisë dhe për ta bërë qytetin një shembull për zhvillimin miqësor ndaj mjedisit dhe për një jetë cilësore për qytetarët.

“Elbasani 2030”, vizioni kulturor diskutohet me artistët e qytetit

Bashkia Elbasan nisi procesin e konsultimeve për projektin kulturor “Elbasani 2030,” një program strategjik që synon ta shndërrojë qytetin në një qendër kulturore dhe artistike të Shqipërisë deri në vitin 2030. Në tryezën e parë të diskutimeve, ku morën pjesë artistë dhe personalitete të kulturës, kryetari i bashkisë Gledian Llatja, Ministri i i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbian Mazniku dhe nënkryetarja e bashkisë Aulona Bylykbashi, u angazhuan për të krijuar një plan afatgjatë që integron trashëgiminë kulturore me zhvillimin ekonomik të qytetit.

Duke e cilësuar “Elbasani 2023” një angazhim të përbashkët për një qytet të rilindur,kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, u shpreh se takimi është një hap i rëndësishëm për të ndërtuar një vizion të përbashkët për Elbasanin si qendër e kulturës, arsimit dhe dijes. “Ne po krijojmë një seri angazhimesh që do të sjellin Elbasanin në vitin 2030 si një qytet që krenohet me trashëgiminë e tij kulturore dhe traditat e tij, por që gjithashtu gërsheton kulturën me zhvillimin ekonomik,” deklaroi Llatja.

 Ai vuri në dukje se një sërë projektesh madhore, si rikonstruksioni i Muzeut Etnografik, i Muzeut të Arsimit dhe i Galerisë së Arteve, janë në proces, duke përmendur edhe potencialin ekonomik që do të krijojë një Elbasan që investon në art, kulturë dhe turizëm.

Ministri i i Shtetit për  Pushtetin Vendor Arbian Mazniku theksoi rëndësinë e këtij programi, duke e cilësuar si një model për gjithë Shqipërinë.   

 “Një qytet pa kulturë nuk ka vizion dhe aspirata,” tha ministri, duke shtuar se ky projekt është thelbësor për vizionin e qarkut dhe të Shqipërisë drejt vitit 2030. Ai përmendi rolin e rëndësishëm të procesit të integrimit evropian, që brenda vitit 2027 mund të sjellë një valë të re investimesh përmes programeve të BE-së. Fondet strukturore dhe ato të kohezionit social do të jenë të aksesueshme, duke u bërë mundësi për projekte të mëdha zhvillimore që do të përfshijnë fusha të ndryshme, përfshirë kulturën, shëndetësinë, bujqësinë dhe turizmin.

Si mbështetësi kryesor i këtij procesi, Arbian Mazniku, nën cilësinë edhe të drejtuesit politik të qarkut të Elbasanit, theksoi nevojën për bashkëpunim të gjithanshëm për të arritur vizionin e përbashkët të qytetit dhe qarkut të Elbasanit. “Kjo tryezë dhe tryeza të tjera që do të zhvillohen synojnë të krijojnë një platformë bashkëpunimi ku ne mund të dakordësojmë axhendën tonë dhe të zhvillojmë objektiva të qarta për vitin 2030,” theksoi Mazniku, duke nënvizuar se Elbasani ka potencialin të bëhet jo vetëm një qendër ekonomike për Shqipërinë, por edhe një pikë e rëndësishme tërheqëse për turistët me vlerat kulturore që ofron.

Si koordinatore e programit, Aulona Bylykbashi e përshkroi Elbasanin 2030 si një qendër të re kulturore me një kalendar të pasur aktivitetesh që do të lidhin traditën me kulturën bashkëkohore. “Synimi ynë është të promovojmë artistët e rinj dhe profesionistë, vendas e të huaj, duke zhvilluar kulturën dhe ekonominë e qytetit përmes një infrastrukture moderne,” tha Bylykbashi. Ajo shtoi se programi do të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe të turizmit të Elbasanit.

Programi “Elbasani 2030” pritet të përfshijë një numër të madh projektesh të rëndësishme, që do të realizohen në bashkëpunim me artistë dhe grupe të interesit në fusha të ndryshme, me synimin që Elbasani të bëhet një pikë referimi kulturore dhe ekonomike për gjithë vendin dhe më gjerë.

Bashkia Elbasan dhe Shkolla Profesionale: Memorandum për praktika dhe zhvillim profesional për të rinjtë

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Z. Gledian Llatja, ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Shkollën Profesionale Elbasan për të hapur mundësinë e praktikave profesionale për të rinjtë.

Ky bashkëpunim i rëndësishëm synon të krijojë ura lidhëse mes edukimit dhe tregut të punës, duke u ofruar nxënësve përvojë praktike në fusha të ndryshme profesionale dhe duke i përgatitur ata për sfidat e së ardhmes.

Sipas z. Llatja “ky Memorandum do të kontribuojë gjithashtu në rritjen e kapaciteteve profesionale të stafit pedagogjik, duke ofruar mundësi të reja zhvillimi dhe shkëmbimi përvojash në sektorë të ndryshëm. Përmes këtij partneriteti,

Bashkia Elbasan dhe Shkolla Profesionale po ndërtojnë themelet për një të ardhme më të qëndrueshme për qytetin tonë, duke përkrahur të rinjtë që të zhvillohen si profesionistë të aftë dhe të angazhuar për të kontribuar në shoqëri”.

Nis projekti  “GreenElb” për një qytet të qëndrueshëm dhe neutral ndaj klimës

Në një hap të rëndësishëm drejt një Elbasani më të gjelbër dhe të qëndrueshëm, Bashkia Elbasan ka nisur projektin “GreenElb” në bashkëpunim me Urban Research Institute. Projekti synon të përmirësojë efikasitetin energjetik të ndërtesave private në lagjen Vullnetari, duke kontribuar në neutralitetin klimatik dhe përmirësimin e mjedisit urban.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, shprehu angazhimin për këtë nismë, duke theksuar se, “ky projekt është një hap konkret drejt një të ardhmeje më të gjelbër për Elbasanin. Me përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe nxitjen e sjelljeve të reja, ne jo vetëm që ulim ndotjen, por dhe përforcojmë qëndrueshmërinë e qytetit tonë. Jemi krenarë që Elbasani është pjesë e misionit të BE-së për qytete neutrale ndaj klimës dhe do të vazhdojmë të përkushtohemi në projekte të tilla që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve tanë.”

Gjatë këtij projekti do të zhvillohen disa hapa të rëndësishëm, si:

Vlerësimi dhe përmirësimet energjetike për të identifikuar dhe zbatuar masa që përmirësojnë efikasitetin energjetik të ndërtesave.

Mekanizma të qëndrueshëm të financimit për të lehtësuar kostot dhe për të nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve.

Politika inovative dhe nxitja e sjelljeve të reja për të mbështetur dhe motivuar qytetarët drejt një qasjeje më të përgjegjshme ndaj mjedisit.

Ndërtimi i kapaciteteve lokale përmes trajnimeve që fuqizojnë komunitetet për të përvetësuar praktikat e qëndrueshme.

Projekti “GreenElb” është një shembull i përkushtimit të Elbasanit për të qenë një qytet që ecën drejt të ardhmes së gjelbër dhe të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.

Trajnim mbi higjenën kibernetike në Bashkinë Elbasan: Masat për një mjedis të sigurt dixhital

Në ambientet e Bashkisë Elbasan u zhvillua  një trajnim mbi sigurinë kibernetike, me pjesëmarrjen e kryetarit të Bashkisë, z. Gledian Llatja, dhe drejtorit të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), z. Igli Tafa. Trajnimi u përqendrua në rritjen e ndërgjegjësimit për “higjienën kibernetike” dhe rëndësinë e masave mbrojtëse për të garantuar sigurinë e informacionit për qytetarët dhe institucionet publike.

Z. Llatja theksoi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në çdo nivel, duke përfshirë përdorimin e fjalëkalimeve të forta, përditësimet e rregullta dhe shmangien e rreziqeve online. “Me rritjen e shërbimeve dixhitale që ofrojmë, është e rëndësishme të kujdesemi për sigurinë e të dhënave dhe të informacioneve të qytetarëve tanë,” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, z. Tafa ndau disa statistika, duke theksuar se 70% e sulmeve kibernetike ndodhin për shkak të gabimeve njerëzore. Ai përmendi se edukimi në këtë fushë duhet të nisë që në moshë të hershme, për të mbrojtur hapësirën dixhitale të individëve dhe grupeve vulnerabël. Trajnimi i sotëm shërben si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të sigurisë kibernetike për të gjithë punonjësit e bashkisë.

Ky aktivitet është pjesë e një fushate të gjerë për ndërgjegjësimin mbi sigurinë dixhitale, që do të vazhdojë me trajnime të mëtejshme për punonjësit dhe qytetarët, duke përfshirë dhe mësuesit, për të siguruar një ambient të sigurt dhe të mbrojtur në hapësirën dixhitale të Elbasanit.