Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Janar 2025

Një parcelë me lule që zbukuron gjithë Shqipërinë/ Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja viziton biznesin familjar në Papër

Një investim që nuk e humb kurrë vlerën, ai i luleve, po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në fshatin Papër të Elbasanit. Marigleni dhe Marseli kanë ngritur një parcelë të madhe me mbi 40 mijë rrënjë lulesh, të cilat zbukurojnë shtëpi, ambiente të përbashkëta, lokale dhe qytete nga Shkodra deri në Sarandë.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, ka vizituar këtë sipërmarrje të suksesshme dhe ka vlerësuar përkushtimin e dy vëllezërve, të cilët me punën e tyre të palodhur rrisin bimët nga fidani dhe i kthejnë në lule dekorative për tregun shqiptar.

“Ju jeni një krenari për ne dhe një model shumë i vyer për të gjithë të rinjtë e zonave rurale, sidomos për të rinjtë e Paprit. Kjo është një sipërmarrje që jo vetëm mbështet ekonominë familjare, por tashmë është kthyer edhe në një atraksion për zonën, duke tërhequr vizitorë dhe klientë nga e gjithë Shqipëria,” u shpreh kryebashkiaku Llatja.

Biznesi familjar, ku punojnë gjashtë anëtarë të familjes, ka rrënjë të hershme, duke nisur me babanë e dy vëllezërve, i cili dikur kultivonte domate. Sot, kjo sipërmarrje ka marrë një dimension të ri, duke u shndërruar në një nga serat dhe fidanishteve më të rëndësishme në njësinë administrative të Paprit dhe në të gjithë Elbasanin.

Me një sipërfaqe prej 4.5 dynym tokë, kjo parcelë e mbushur me fidanë dhe lule është jo vetëm një histori suksesi, por edhe një shembull frymëzues për të gjithë ata që duan të investojnë në bujqësi dhe hortikulturë. Me fillimin e sezonit të shitjeve, ky biznes premton të vazhdojë të rritet dhe të japë kontributin e tij në zbukurimin e Shqipërisë.

6000 fidane pishash, frymëmarrje të re liqenit të Valeshit             

6,000 fidanë pishe të reja janë mbjellë pranë liqenit të Valeshit, në një zonë që ka vuajtur nga erozioni. Ky projekt, i udhëhequr nga Bashkia Elbasan me pjesëmarrjen e kryetarit z. Gledian Llatja, ka për qëllim rikthimin e gjelbërimit dhe rigjenerimin e kësaj zone me rëndësi të veçantë për biodiversitetin dhe ekosistemin lokal.

Pisha, e njohur për vetitë e saj për të parandaluar erozionin dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit, do të ndihmojë në krijimin e një ekuilibri natyror afatgjatë, duke e bërë zonën një atraksion më tërheqës për banorët dhe vizitorët. Liqeni i Valeshit, tashmë i rrethuar nga këto fidane të reja, pritet të shndërrohet në një simbol të harmonisë midis njeriut dhe natyrës.

Kreu i Bashkisë z. Gledian Llatja theksoi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit si një detyrim për brezat e ardhshëm, duke vënë në dukje se çdo pemë e mbjellë është një investim në të ardhmen e qytetit dhe komunitetit tonë. Kjo nismë përfshihet në një plan më të gjerë të Bashkisë Elbasan për të shtuar sipërfaqet e gjelbëruara dhe për të adresuar sfidat mjedisore që përballon qyteti dhe zonat përreth.

Njoftim për mbledhjen e Këshillit Bashkiak

NJOFTIM

Lënda: Njoftim për mbajtjen e mbledhjes së rradhës së Këshillit Bashkiak Elbasan.

Ju njoftojmë se më datë 29.01.2025 ora 11:00 në ambientet e Qendrës Rinore zhvillohet mbledhja e rradhës e Këshillit Bashkiak Elbasan e thirrur nga Kryetari i Këshillit Bashkiak në bazë të Ligjit 139/2015, neni 53 pika 3), me këtë rend dite:

  1. Miratimi i rendit të ditës së Mbledhjes.
  2. Miratimi i procesverbalit të muajit Dhjetor 26.12.2024.
  3. Mbi miratimin e dhënies së ndihmës ekonomike nga fondi i bashkisë për muajin Dhjetor 2024.
    1. Mbi miratimin e dhënies së ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për muajin Dhjetor.
  4. Mbi lirimin e Sekretarit të Këshillit Bashkiak Z. Elvi Çuni.
  5. Për vendosjen në institucionet rezidenciale të shërbimeve sociale Znj. Shqipëri Hasanas.
  6. Dhënie titulli “Qytetarë Nderi” Z Aristir Lumezi.
  7. Dhënie titulli “Qytetarë Nderi” Rudolf Deliana.
  8. Dhënie titulli “Qytetarë Nderi” Sadik Kasa.
  9. Dhënie titulli “Qytetarë Nderi” Ali Shashaj.
  10. Dhënie titulli “Qytetarë Nderi” Olimbi Bilali.
  11. Dhënie titulli “Qytetarë Nderi” Bukurosh Stafa.
  12. Dhënie titulli “Qytetarë Nderi” Tefta Hamzaraj.
  13. Dhënie titulli “Qytetarë Nderi” Et’hem Lulja.
  14. Dhënie titulli “Qytetarë Nderi” Antoneta Kristo.
  15. Mbi miratimin e marrëveshjes ndërmjet Bashkisë Elbasan dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
  16. Mbi dhënie  në përdorim (rinovim kontrate) të ambjentit (klasë) të shkollës Dhaska Todri nga Bashkia Elbasan.
  17. Mbi dhënie  në përdorim (rinovim kontrate) të ambjentit ish menca e Konviktit të Shkollës së Muzikës “ONUFRI”, nga Bashkia Elbasan.
  18. Mbi dhënie  në përdorim (rinovim kontrate) të ambjentit (zyrë) ish-Godina e Partive Politike nga Bashkia Elbasan.
  19. Mbi dhënie me qira (rinovim kontrate) të ambjentit (dhomë farmaci), Nj. Adm. Bradashesh nga Bashkia Elbasan.
  20. Mbi dhënie me qira (rinovim kontrate) të ambjentit (bodrum), lagjja Kongresi i Elbasanit nga Bashkia Elbasan.
  21. Mbi miratimin në parim i mbështetjes financiare për investime në programin social “Përmirësimi i kushteve të banimit për komunitete të varfra dhe të pafavorizuara, listën e familjeve përfituese si dhe miratimin e deklaratës për bashkëfinancim me MFE”.
  22. Për miratimin e dhënies me qira te ambjenteve në godinën e pallatit të sportit “Tomorr Sinani”, në lagjen “28 Nëntori”, nga Bashkia Elbasan”.
  23. Për miratimin e ekipeve sportive dhe të trajnerëve përkatës të Klubit Shumësportësh, Bashkia Elbasan, për sezonin sportiv vjetor 2025.
  24. Për miratimin paraprak të Planit të Mbarështrimit të ekonomisë pyjore: “Polis Vasjan”.
  25. Për miratimin e normave dhe kritereve për disiplinimin e shpenzimeve për automjete motorike në administrim të ASHPR, MZSH, QSB.
  26. Mbi miratimin e normave dhe kritereve për displinimin e shpenzimeve për automjete motorike në administrim të ASHPU.
  27. Informacion për nxjerrjen jashtë përdorimi të disa aktiveve në ASHPR për vitin 2024.

Të ndryshme,

Komisionet do të mblidhen ditën e premte date 24.01.2025 në orën 11:00 në ambientet e Bashkisë Elbasan, salla e mbledhjes së komisioneve.

KRYETAR I KËSHILLIT BASHKIAK

LUTFI LALA

Investimi në Përroin e Gurrës zgjidh problematikat e përmbytjeve

Përroi i Gurrës së Shushicës ka qenë një nga problematikat më të mëdha që ka hasur Bashkia Elbasan, për shkak të prurjeve të inerteve që vijnë nga zonat malore. Disa muaj më parë, Bashkia ndërhyri me një projekt të rëndësishëm për të parandaluar ardhjen e inerteve në këtë përrua, duke mundësuar prita malore. Ndërkohë, para disa ditësh, është pastruar edhe Gurra e Poshtme, një hap tjetër kyç për përmirësimin e kushteve mjedisore.

Kreu i Bashkisë, Gledian Llatja i shoqëruar nga Drejtuesi Politik i Qarkut, Arbjan Mazniku, zhvilluan një inspektim të përbashkët në Përroin e Gurrës, ku ata vlerësuan nga afër përfundimin e një projekti të rëndësishëm për lidhjen e lagjes Çerrëve me Varrezat e fshatit, si dhe për ndihmën në përmirësimin e infrastrukturës në pjesën tjetër të Shushicës.

Kreu i Bashkisë, Gledian Llatja gjatë inspektimit theksoi se “në zonat e sipërme, shirat dhe prurjet e inerteve krijonin vështirësi të mëdha duke përmbytur shtëpitë, ndërsa në zonat e poshtme vërshimet godisnin parcelat bujqësore. Gjatë viteve të fundit, kemi ndërmarrë masa konkrete për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe vazhdojmë të realizojmë investime të tjera për të përmirësuar jetesën e tyre. Kur kam ardhur para disa vitesh në Shushicë, si kandidat për kryetar bashkie, nuk kishte asnjë metër asfalt të hedhur deri tek qendra e fshatit. Sot kemi më shumë se 5 kilometra rrugë të shtruara brenda fshatit, dhe jemi duke investuar edhe për 2 kilometra të tjera.”

Duke vijuar, ai shtoi se “po ashtu, kemi bërë rregullime të ndriçimit dhe shumë investime të tjera që kanë përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën. Ky është një angazhim i qëndrueshëm për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin e zones, si edhe një përgjigje ndaj kërkesave të banorëve për të zgjidhur problemet me përmbytjet dhe për të garantuar një mjedis më të sigurt dhe më të zhvilluar.”

Drejtuesi Politik i Qarkut, Arbjan Mazniku, u shpreh se, “ky është një projekt i madh që ka përfshirë zona me parcela bujqësore, të cilat janë punuar nga vetë banorët. Por sigurisht, ka disa gjëra që nuk mund t’i bëjnë vetë banorët dhe që duhen mbështetur nga shteti. Ky investim tregon angazhimin e qeverisë dhe të Bashkisë për zhvillimin e kësaj zone dhe të përmirësimit të kushteve të jetesës për banorët e Shushicës.”

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e reformës administrative të bërë para 10 vitesh, e cila i bashkoi ish-komunat me Bashkinë dhe mundësoi investime edhe në zonat që më parë nuk kishin mundësi të zhvillonin projekte për shkak të burimeve të kufizuara financiare. “Tani, falë buxheteve më të mëdha dhe alokimeve të mundshme nga qeveria, investimet po shtrihen në të gjitha zonat, duke përfshirë edhe ato rreth qytetit. Ky projekt në Shushicë është një shembull i qartë i angazhimit tonë për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të nxitur zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit”, përfundoi Mazniku.

Shushica, një nga fshatrat më të mëdhenj të Elbasanit me rreth 4000 banorë, ka njohur investime të shumta nga ana e Bashkisë, por ka qenë e domosdoshme ndërlidhja e dy lagjeve të mëdha që ajo ka. Ky investim është një kërkesë e gjatë e banorëve të fshatit, të cilët kanë pasur probleme të vazhdueshme me përmbytjet e shtëpive dhe parcelave bujqësore, pasojë e prurjeve të përrenjve dhe inerteve që vinin nga zonat e Shpatit.

Investimet në infrastrukturë avancojnë në Rajonin Nr. 3 të lagjes “Skënderbej”

Investimet në infrastrukturë në rajonin nr. 3 të lagjes “Skënderbej” po avancojnë me ritme intensive. Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me drejtuesin politik të qarkut, Arbjan Mazniku, inspektuan sot nga afër punimet në këtë zonë, ku një sërë rrugësh dhe rrugicash po transformohen plotësisht.

Në fillim, u përfunduan investimet në rrugën kryesore “Iljaz Kosova,” e cila shërben si arteria lidhëse e zonës. Pas kësaj, u hap rruga për investime të tjera, përfshirë rrugën “Ahmet Gashi,” e cila tashmë është përfunduar. Aktualisht, Bashkia Elbasan ka fokusuar energjitë në asfaltimin e tre rrugëve të tjera: “Agim Hoxha,” “Florenc Balla,” dhe “Hysen Dakli.”

Kryetari Llatja theksoi se këto rrugë ishin prej kohësh një shqetësim madhor për banorët, pasi shpesh mbusheshin me baltë dhe kërkonin mirëmbajtje rutinë me çakull. Tani, falë këtij investimi, këto rrugë po transformohen në standarde moderne, duke zgjidhur përfundimisht problemet infrastrukturore.

“Pasi kemi përfunduar një sërë investimesh në kanalizimet e ujërave të zeza dhe furnizimin me ujë të pijshëm, kemi nisur një aksion për asfaltimet, jo vetëm në qytet, por edhe në zonat rurale,” tha kryetari Llatja. Ai shtoi se falë bashkëpunimit me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe mbështetjes së qeverisë shqiptare, një pjesë e projekteve janë adresuar dhe të tjera do të vazhdojnë në mënyrë të planifikuar.

Nga ana e tij, drejtuesi politik i qarkut, Arbjan Mazniku, vlerësoi punën e bërë, duke theksuar rëndësinë e këtyre investimeve për përmirësimin e jetës së banorëve në zonat periferike dhe të pajisura më parë me infrastrukturë informale. Deputeti Florenc Stafa, i pranishëm në inspektim, falënderoi Bashkinë Elbasan për këtë projekt të rëndësishëm, duke nënvizuar se rajoni nr. 3 është një nga lagjet me shtrirjen më të gjerë në qytet dhe këto investime janë jetike për banorët e saj.

Banorët e zonës shprehën mirënjohjen e tyre për realizimin e një kërkese të kahershme dhe pritjet e tyre për përmirësime të tjera në të ardhmen.

Elbasani bëhet qendër bashkëpunimi për zhvillimin e qëndrueshëm

Sot, në Bashkinë e Elbasanit, kryetari Gledian Llatja mirëpriti delegacionin e Forumit të Partneritetit të Gap Fund, një iniciativë e rëndësishme që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm dhe përballjen me sfidat klimatike.

Në delegacion ishin përfaqësues të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Qeverisë së Luksemburgut, GIZ, Bankës Europiane të Investimeve dhe Bankës Botërore.

Gjatë takimit u diskutua për projektin e ndriçimit inteligjent të rrugëve dhe rritjen e efiçencës së energjisë në ndërtesat publike, dy iniciativa që synojnë përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Falenderojmë Gap Fund dhe European Investment Bank për mbështetjen e tyre në këtë rrugëtim. Elbasani po tregon se mund të jetë model për zhvillimin e qëndrueshëm dhe efikasitetin energjetik në rajon,” u shpreh kryetari Llatja.

Ky bashkëpunim është dëshmi e angazhimit të qytetit për një të ardhme më të gjelbër dhe inovative, duke e pozicionuar Elbasanin si një pikë referimi për politikat e qëndrueshme në rajon.