Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 14 Prill 2026

Elbasani prezanton Kontratën Klimatike dhe nis zbatimin

Elbasani më i gjelbër, më i pastër dhe më i qëndrueshëm nuk është më vetëm një vizion, por një rrugëtim i qartë drejt së ardhmes që duam të ndërtojmë së bashku.

Marrja e vlerësimit evropian për Kontratën Klimatike të Qytetit është një moment krenarie për Elbasanin dhe një dëshmi konkrete e përkushtimit, potencialit dhe progresit të arritur deri më sot. Ky vlerësim rikonfirmon angazhimin e qytetit tonë në rrugën drejt neutralitetit klimatik, duke e vendosur Elbasanin si model inovacioni dhe transformimi për qytetet e tjera deri në vitin 2050.

Elbasani është sot një nga 112 qytetet evropiane të përzgjedhura në kuadër të Misionit të Qyteteve dhe një nga vetëm 3 qytetet e Ballkanit Perëndimor që mban këtë status, duke qenë në pararojë të tranzicionit të gjelbër në rajon. 🇪🇺

Por ky është vetëm fillimi. Tashmë sfida jonë është të ecim me vendosmëri drejt zbatimit, të forcojmë bashkëpunimin me partnerët dhe ta kthejmë këtë vizion në projekte konkrete, të matshme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve tanë.

Kjo është një rrugë që ndërtohet çdo ditë me punë, me vizion dhe me besimin se Elbasani meriton gjithmonë më shumë.

Faleminderit çdo elbasanasi që beson në të ardhmen e këtij qyteti. Së bashku, do ta bëjmë Elbasanin një shembull të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të së ardhmes.

Për këtë qëllim, në Elbasan u mbajt konferenca dyditore “Zbatimi i Kontratës Klimatike të Qytetit”, në ambientet e Rozafa Fish City, ku u prezantua Kontrata për Qytetin Klimatik dhe gatishmëria për zbatimin e saj, duke e pozicionuar qytetin si lider në nivel kombëtar dhe duke forcuar angazhimin institucional, financiar dhe teknik për transformimin urban drejt neutralitetit klimatik, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisjes vendore e qendrore, institucioneve evropiane dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Elbasani drejt zbatimit të Kontratës Klimatike, zhvillohet Konferenca Ndërkombëtare “Elbasani 2030”

Elbasani ka hyrë në një fazë vendimtare të transformimit të tij drejt një qyteti klimatikisht neutral, duke organizuar Konferencën Ndërkombëtare “Elbasani 2030, Zbatimi i Kontratës Klimatike të Qytetit”. Kjo konferencë shënon një moment kyç në kalimin nga planifikimi strategjik në zbatimin konkret të objektivave për reduktimin e emetimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm urban.

Si pjesë e programit evropian “EU Mission: Climate-Neutral and Smart Cities”, Elbasani është ndër 112 qytetet e përzgjedhura në Evropë dhe një nga vetëm tre qytetet e Ballkanit Perëndimor që mban këtë status. Ky pozicion e vendos qytetin në një rol pionier në tranzicionin e gjelbër, duke e kthyer atë në një model referimi për Shqipërinë dhe rajonin.

Pjesëmarrës nga i gjithë vendi dhe partnerë ndërkombëtarë u mblodhën sot në konferencën “Zbatimi i Kontratës Klimatike të Qytetit”, për të mbështetur tranzicionin drejt qyteteve klimatike neutrale.

Kryetari i bashkisë Gledian Llatja së bashku me Albana Koçiu, Sofjan Jaupaj dhe Arbjan Mazniku përshëndetëm nisjen e punimeve, duke theksuar se përvoja e Elbasanit mund të shërbejë si model për një transformim urban klimatik neutral në shkallë kombëtare në Shqipëri.

“Një moment i veçantë dhe krenarie për qytetin tonë ishte marrja e “lable” të Kontratës së Qytetit për Klimën, një vlerësim i rëndësishëm evropian që konfirmon angazhimin tonë të fortë drejt neutralitetit klimatik dhe forcon rolin e Elbasanit si pararojë e tranzicionit të gjelbër në Shqipëri dhe në rajon”tha kryebashkiaku Llatja.

Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, theksoi se përfshirja e Elbasanit në këtë mision nuk është thjesht një angazhim mjedisor, por një projekt transformues për zhvillimin ekonomik dhe social të qytetit. Ai nënvizoi se Kontrata e Qytetit për Klimën përfaqëson një angazhim konkret për të ulur me 80% emetimet e gazeve serrë deri në vitin 2030, përmes një pakete prej 34 projektesh strategjike në fusha si energjia, transporti, ndërtesat dhe menaxhimi i mbetjeve.

“Ky është një moment historik për Elbasanin. Ne kemi ndërtuar një vizion të qartë dhe tani sfida jonë kryesore është ta kthejmë këtë vizion në investime konkrete dhe rezultate të matshme për qytetarët,” u shpreh Llatja.

Pas një procesi trevjeçar pune intensive, me mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë dhe aktorëve lokalë, Elbasani ka siguruar miratimin e Kontratës së Qytetit për Klimën nga Komisioni Evropian, duke marrë edhe vlerësimin përkatës (EU Mission Label). Ky zhvillim rrit ndjeshëm besueshmërinë e qytetit dhe hap rrugën për akses më të lehtë në financime ndërkombëtare.

Konferenca synon të mbledhë vendimmarrës nga niveli vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar për të forcuar bashkëpunimin dhe për të mobilizuar mbështetjen e nevojshme për zbatimin e projekteve klimatike.

Fokusi kryesor është kalimi nga planet strategjike drejt investimeve konkrete, duke siguruar përputhje institucionale, financim dhe kapacitete teknike.

Një element thelbësor i diskutimeve është roli i qeverisë qendrore në mbështetjen e këtij procesi. Ndryshe nga qytetet e Bashkimit Evropian, Elbasani përballet me kufizime në aksesin e drejtpërdrejtë në instrumentet financiare të BE-së, çka e bën të domosdoshëm krijimin e mekanizmave kombëtarë të bashkëfinancimit dhe mbështetjes rregullatore.

Kryetari Llatja theksoi se suksesi i këtij transformimi kërkon një qasje të koordinuar. “Elbasani nuk mund ta realizojë i vetëm këtë tranzicion. Nevojitet një angazhim i fortë nga qeveria qendrore, partnerët ndërkombëtarë dhe sektori privat për të garantuar që projektet tona të bëhen realitet.”

Konferenca pritet të kontribuojë në forcimin e angazhimit politik për veprimin klimatik, përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional dhe krijimin e një platforme kombëtare për qytetet klimatike neutrale në Shqipëri.

Me këtë hap, Elbasani nuk pozicionohet vetëm si përfitues i një iniciative evropiane, por si një model konkret i zbatimit të politikave të BE-së në nivel vendor, duke kontribuar drejtpërdrejt në avancimin e agjendës së integrimit evropian dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.