Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 23 Prill 2026

Promovohet në Bibliotekën “Qemal Baholli” libri “Mendoj si Europian” i Agim Leka në Ditën Ndërkombëtare të Librit

Në ambientet e Bibliotekës “Qemal Baholli” u zhvillua promovimi i librit më të ri të autorit Agim Leka, me titull “Mendoj si Europian”, në prani të miqve, intelektualëve dhe dashamirësve të librit.

Vepra “Mendoj si Europian” fokusohet në ndërtimin e mendimit përmes edukimit, duke integruar filozofinë, shkencën dhe fenë në institucione kyçe si familja, komuniteti qytetar, shkolla, shteti dhe institucionet fetare.

Libri është fryt i një kërkimi të gjatë filozofik dhe i përvojës së autorit në procesin mësimor-edukativ, si në arsimin parauniversitar ashtu edhe në atë universitar. Në thelb, ai trajton edukimin si një proces të gjerë që përfshin përvetësimin e njohurive, zhvillimin e aftësive dhe ndërtimin e vlerave, besimeve dhe zakoneve.

Në këtë aktivitet morën pjesë nënkryetarja e bashkisë, deputetja Aulona Bylykbashi,Klaudja Krasnika, kryetarja e qarkut Ermira Urupi, si edhe përfaqësues të tjerë nga bashkia, ndër të cilat Dorina Rroseni. Të pranishëm ishin gjithashtu shumë qytetarë dhe dashamirës të kulturës, duke e kthyer këtë takim në një moment të bukur bashkëndarjeje dhe reflektimi.

Aktivitetin e çeli përgjegjësja e bibliotekës, Elisa Janku, e cila theksoi rëndësinë e nismave të tilla për promovimin e leximit dhe kulturës. Më pas, autori prezantoi librin e tij, duke ndarë me të pranishmit frymëzimin dhe qëllimin që qëndron pas kësaj vepre, e cila sjell reflektime të thelluara mbi mendësinë, zhvillimin dhe sfidat në kontekstin evropian.

Agim Leka është gjithashtu autor i librave “Histori e filozofisë” dhe “Histori e filozofisë moderne perëndimore”, duke kontribuar ndër vite në pasurimin e mendimit filozofik dhe edukativ në vend.

Ky aktivitet përkoi simbolikisht edhe me Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e të Drejtës së Autorit, duke i dhënë promovimit një domethënie të veçantë dhe duke rikthyer edhe një herë vëmendjen te rëndësia e librit dhe fuqia e tij për të ndriçuar mendjen dhe për të pasuruar shpirtin.

Vijon lirimi i hapësirave publike në Elbasan

Aksioni për lirimin e hapësirave publike vijon intensivisht në të gjitha lagjet, duke synuar heqjen e objekteve pa leje që zënë hapësirat e përbashkëta dhe pengojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve.

 Këto ndërhyrje janë të domosdoshme për të garantuar akses të plotë për banorët, si dhe për shërbimet emergjente si zjarrfikësja dhe ambulanca.

 Strukturat përkatëse janë angazhuar çdo ditë në terren për të rikthyer funksionalitetin e hapësirave publike dhe për të përmirësuar cilësinë e jetesës në komunitet.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, u shpreh se, “ky është një proces i rëndësishëm për qytetin, pasi synon t’u rikthejë qytetarëve hapësirat që u përkasin dhe të garantojë siguri e akses për të gjithë”.

Puna do të vijojë pa ndërprerje në çdo lagje.