Promovohet në Bibliotekën “Qemal Baholli” libri “Mendoj si Europian” i Agim Leka në Ditën Ndërkombëtare të Librit
Në ambientet e Bibliotekës “Qemal Baholli” u zhvillua promovimi i librit më të ri të autorit Agim Leka, me titull “Mendoj si Europian”, në prani të miqve, intelektualëve dhe dashamirësve të librit.
Vepra “Mendoj si Europian” fokusohet në ndërtimin e mendimit përmes edukimit, duke integruar filozofinë, shkencën dhe fenë në institucione kyçe si familja, komuniteti qytetar, shkolla, shteti dhe institucionet fetare.
Libri është fryt i një kërkimi të gjatë filozofik dhe i përvojës së autorit në procesin mësimor-edukativ, si në arsimin parauniversitar ashtu edhe në atë universitar. Në thelb, ai trajton edukimin si një proces të gjerë që përfshin përvetësimin e njohurive, zhvillimin e aftësive dhe ndërtimin e vlerave, besimeve dhe zakoneve.
Në këtë aktivitet morën pjesë nënkryetarja e bashkisë, deputetja Aulona Bylykbashi,Klaudja Krasnika, kryetarja e qarkut Ermira Urupi, si edhe përfaqësues të tjerë nga bashkia, ndër të cilat Dorina Rroseni. Të pranishëm ishin gjithashtu shumë qytetarë dhe dashamirës të kulturës, duke e kthyer këtë takim në një moment të bukur bashkëndarjeje dhe reflektimi.
Aktivitetin e çeli përgjegjësja e bibliotekës, Elisa Janku, e cila theksoi rëndësinë e nismave të tilla për promovimin e leximit dhe kulturës. Më pas, autori prezantoi librin e tij, duke ndarë me të pranishmit frymëzimin dhe qëllimin që qëndron pas kësaj vepre, e cila sjell reflektime të thelluara mbi mendësinë, zhvillimin dhe sfidat në kontekstin evropian.
Agim Leka është gjithashtu autor i librave “Histori e filozofisë” dhe “Histori e filozofisë moderne perëndimore”, duke kontribuar ndër vite në pasurimin e mendimit filozofik dhe edukativ në vend.
Ky aktivitet përkoi simbolikisht edhe me Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e të Drejtës së Autorit, duke i dhënë promovimit një domethënie të veçantë dhe duke rikthyer edhe një herë vëmendjen te rëndësia e librit dhe fuqia e tij për të ndriçuar mendjen dhe për të pasuruar shpirtin.